Përvoja për mësimdhënien e suksesshme

Nga Saba Lama

Të gjithë mësuesit pa dyshim dëshirojnë të zhvillojnë mësimdhënie të suksesshme, por jo të gjithë arrijnë ta realizojnë këtë objektiv të rëndësishëm. Lind pyetja përse është i vështirë realizimi i këtij procesi ? Që i interesuari të marë përgjigjen e duhur mendojmë të shtrojmë pyetjen : Ç”përfaqëson mësimdhënia dhe ora e mësimit për mësuesin ? Dihet që veprimtaria edukative e mësuesit në punën me nxënësit, si dhe me komunitetin e shkollës ku punon ai është mjaft e gjërë dhe e larmishme, por mësimdhënia me nxënësit është treguesi më i rëndësishëm për mësuesin parë në kontekstin profesional, pasi përbën një proces që shpalos në vetvete parametra shkencor, pedagogjik dhe psikologjik. Gjithashtu do doja të nënvizoja se për realizimin e një mësimdhënie të suksesshme nga mësuesi, krahas këtij konteksti, lipset prej tij edhe pasion e përkushtim, intuitë pedagogjike, lidhur me objektivat që i ka vënë vehtes për përvetësimin e suksesshëm të kësaj apo asaj teme mësimore nga nxënësit gjatë procesit mësimor, në varësi të kohës që ka në dispozicion. Problematikën e diktuar, për ta konturuar sa më mirë, mendoj ta analizoj në disa këndvështrime, bazuar në përvojat e kolegëve me të cilët kam punuar dhe bashkëpunuar për shumë vite në shkolla të ndryshme të rrethit, në përvojën e punës sime shumëvjeçare në profesionin e mësuesit, si dhe nga monitorimet e bëra më pas lidhur me këtë problem, kur unë kam ushtruar detyrën e inspektorit të arsimit për mjaft vite në rrethin tim.

Le të ndjekim seicilën prej tyre : 1. Këndvështrimi organizativ. Ky këndvështrim ka të bëjë me organizimin dhe përgatitjen paraprake të mësuesit, bazuar në përmbajtjen e temës që do tu shpjegojë nxënësve në procesin e mësimdhënies. Në këtë drejtim ai mendon për bazën materiale-didaktike që do të përdorë ( për vete si dhe për nxënësit ), metodat, strategjitë dhe teknikat që do të aplikojë për shpjegimin e informacionit të ri, etapat që do të ndjekë ( fazat ) për realizimin e objektivave që dikton tema e re mësimore, instrumentat që do të përdorë për të matur asimilimin ( thithjen, përvetësimin ) e informacionit të ri nga nxënësit, pas shpjegimit nga mësuesi, e ndonjë gjë tjetër që ai mendon për arritjen e një mësimdhënie të suksesshme me nxënësit. Pra mësuesi fillimisht bën një organizim paraprak ( paramendon ) se ç”farë detyrash i dalin atij për mësimdhënien e suksesshme, sipas përmbajtjes që dikton tema e re mësimore me qëllim që ajo të bëhet sa më tërheqëse dhe interesante, sa më konkrete dhe sa më e thjeshtë për tu përvetësuar nga nxënësit e tij. 2. Këndvështrimi planifikues. Kjo është faza e dytë e përgatitjes së mësuesit, që ka të bëjë me hartimin e ditarit ( përgatitja ditore e mësuesit ). Në këtë përgatitje mësuesi planifikon në fletoren e tij të veçantë, ( ditari i mësuesit ) gjithshka që ka menduar për realizimin dhe demonstrimin e mësimdhënies së suksesshme në procesin mësimor. Sigurisht planifikimi që bëhet në ditar në këtë fazë, është rrjedhojë e fazës së parë, që kishte të bënte me organizimin dhe përgatitjen paraprake të mësuesit. Pa dyshim që ky planifikim kërkon përgjegjësi profesionale në drejtim të hartimit. Pra ideon gjatë hartimit atë koncept që ka krijuar mësuesi në fazën paraprake të përgatitjes për mësimdhënien e suksesshme. Gjithashtu ky planifikim pasqyron dhe horizontin pedagogjik dhe e nivelin që ka mësuesi si mësimdhënës. 3. Këndvështrimi demonstrues ( demonstrimi i mirëfilltë profesional ). Kjo është faza më e rëndësishme pasi mësuesi përballet para nxënësve, duke shpalosur kulturën profesionale të tij në shumë aspekte, personalitetin e tij si mësimdhënës, përvojën e tij në këtë drejtim të fituar ndër vite. Për arritjen e suksesit në këtë fazë lipset për mësuesin që ai së pari : të zotërojë mirë lëndën në rrafshin shkencor.

Këtë tregues pa dyshim da ta quaja më prioritarin në një proces mësimdhënie, pasi pa informacionin e duhur shkencor, s”bëhet fjalë për asnjë produkt tjetër të suksesshëm nga mësuesi lidhur me procesin që bëhet fjalë. Me zotërimin shkencor të lëndës duhet kuptuar jo vetëm njohja dhe dhënia me kompetencë e njohurive shkencore që dikton materiali i ri mësimor gjatë shpjegimit nga mësuesi, por ai duhet të jetë i qartë edhe për volumin e njohurive që do tu japë nxënësve, duke respektuar programin që diktohet në përputhje me moshën e tyre që të mos përjetohet mbingarkesë ose nën-ngarkesë, siç ndodh rëndom nga disa mësues, nga moszotërimi i duhur i informacionit shkencor për lëndën që zhvillojnë. Së dyti : zotërimi i mirë i lëndës në rrafshin metodik. Ajo që doja të nënvizoja për këtë rrafsh është se në përcaktimin e metodave, strategjive dhe teknikave të mësimdhënies është mësuesi ai që vendos dhe vetëm ai. Jam kundra ndërhyrjeve që u bëhen mësuesve nga instancat eprore të arsimit në rastet kur zhvillojnë inspektime te mësuesit lidhur me cilësinë e mësimdhënies, duke u diktuar dhe imponuar atyre ndryshimin e metodës që ka demonstruar mësuesi në x apo y temë mësimore. Instancat eprore të arsimit në aspektin metodologjik mund të japin mendime dhe sugjerime për arritje më cilësore në mësimdhënie, por jo urdhra dhe diktate, pasi përzgjedhja e metodës së mësimdhënies në aspektin pedagogjik, është një e drejtë ekskluzive e mësuesit. E rëndësishme është që metoda e përzgjedhur nga mësuesi, të japë rezultat në punën dhe në arritjet me nxënësit dhe në rastet kur metoda që bëhet fjalë, nuk jep rezultatin e duhur gjatë zbatimit të saj, mësuesi ka të drejtë të përzgjedhë një metodë tjetër më të suksesshme, nga spektri i metodave dhe strategjive që ofron lënda që zhvillon ai me nxënësit. 4. Matja e njohurive të dhëna. Ky është një moment mjaft i rëndësishëm që duhet respektuar dhe zbatuar nga mësuesi në ç”do proces mësimdhënie që zhvillon, pasi mat ( teston ) vetveten për cilësinë e mësimdhënies që realizoi gjatë demonstrimit para nxënësve, lidhur me treguesit e lartpërmendur.

Në këtë drejtim rëndësi për mësuesin kanë praktikat e punës ( instrumentat që përdor ai ) për të verifikuar shkallën e përvetësimit të njohurive nga nxënësit lidhur me informacionin e ri shkencor që prezantoi para tyre, gjatë procesit të mësimdhënies. Sigurisht kjo matje është një test edhe për nxënësit, përderisa gjatë matjes verifikohet niveli i përvetësimit të njohurive nga ana e tyre. Edhe disa rekomandime të tjera të rëndësishme për mësuesin gjatë procesit të mësimdhënies. a). Racionalizimi ( ekonomizimi ) i procesit mësimor. Është fjala për kohën e mjaftueshme që duhet të llogarisë mësuesi për realizimin e objektivave pedagogjik që ka menduar për të realizuar gjatë këtij apo atij momenti mësimor ( segmenti mësimor ), që janë pjesë përbërëse të të gjithë procesit msimor. b). Mënyrën e të komunikuarit para nxënësve. Është fjala për gjuhën e komunikimit që reflekton mësuesi para nxënësve. Në këtë drejtim gjuha e komunikimit që duhet të përdorë mësuesi, duhet të jetë e qartë dhe në përputhje me moshën e nxënësve ku zhvillon mësimin. c). Procesi i të pyeturit të nxënësve. Në këtë drejtim mësuesi duhet të jetë i kujdesshëm në formulimin e pyetjeve. Ata duhet të jenë pyetje të qarta dhe të kuptueshme për nxënësit. Pyetjet gjithashtu duhet të jenë formuese dhe thelbësore që nxisin dhe edukojnë të përvetësuarit logjik të lëndës mësimore nga nxënësit dhe jo të përvetësuarit mekanik të saj. Lidhur me rëndësinë e të drejtuarit të pyetjeve dhe mënyrën e të formuluarit të tyre nga mësuesi, dua të kujtoj thënien e Xhon Djuit ( 1859-1952 ), padagogut më të shquar amerikan dhe një ndër pedagogët më të shquar botërorë, filozof idealist dhe themeluesi i shkollës filozofike ). Në këtë drejtim ai shprehet : “Të dishë të bësh pyetje, do të thotë të dishë të bësh mësim “, ndërsa mësuesi i popullit, mësuesi i mësuesve shqiptar, i njohur tashmë me emrin, prof. dr. Aleksandër Xhuvani ( 1880-1961 ) ka thënë : “ Ti heqësh mësimit pyetjet, është sikur ti heqësh botës, diellin “. ç). Momenti i vlerësimit të nxënësve. Është shumë i rëndësishëm ky moment pasi ka të bëjë me vlerësimin e nxënësit lidhur me njohuritë që ka për lëndën, ndaj lind nevoja që nxënësi kur vlërësohet nga mësuesi, nota me të cilën vlerësohet të motivohet objektivisht në prezencën e tij, bazuar në njohuritë e vërteta të nxënësit.

Nxënësi duhet të dijë përse e merr këtë apo atë notë. Ku i ka pikat e forta dhe të dobta. Pa dyshim një gjë e tillë, i intereson edhe prindit të nxënësit. Jo të pakta i kemi rastet kur nxënësit dhe prindërit kanë patur kontestime lidhur me vlerësimin me notë nga mësuesit e tyre, si rrjedhojë e mosmotivimit të notës nga mësuesi gjatë vlerësimit të nxënësve. d). Reflektimi psikologjik i mësuesit në raport me nxënësit gjatë procesit mësimor. Kjo ka të bëjë me vigjilencën e mësuesit gjatë procesit mësimor, për të ndjekur dhe verifikuar se sa nxënësit e tij janë të vëmëndshëm dhe të interesuar për të ndjekur fjalën e mësuesit dhe shpjegimin e tij gjatë gjithë procesit mësimor, me qëllim që nxënësit ti ketë nën kontroll, që ata të mos dalin jashtë këtij procesi. dh). Respektoni mendimet e nxënësve gjatë të shpjeguarit të informacionit të ri shkencor. Këtu është fjala që të krijoni mundësitë dhe hapsirat e duhura te nxënësit për të tërhequr edhe mendimin e tyre dhe të bashkëpunimit me ta ( metoda interraktive apo ndërvepruese ).

Veçanërisht kjo është e mundur dhe e domosdoshme, në rastet kur tema e mësimit ka lidhje me temat e shpjeguara më parë, ose kur nxënësit kanë informacion lidhur me temën e re mësimore që do të shpjegojë mësuesi. Sigurisht një mësimdhënie cilësore do të bëjë për mësuesin që e demonstron, që të ndjejë sadisfaksion në punën e tij. Bie fjala të arritjeve me nxënësit në drejtim të përvetësimit të suksesshëm të materialit të ri mësimor, të fitimit të respektit, mirënjohjes dhe konsideratës së duhur te nxënësit e tij, për rrjedhojë të gëzimit të një autoriteti të mirëfilltë pedagogjik para tyre, pasi ky autoritet nuk u është imponuar nxënësve nga mësuesi, por i vendosur përmes një pune të përditëshme me nxënësit, përmes një procesi gradual, duke reflektuar, pasionin dhe përkushtimin, aftësitë e tij pedagogjike në drejtimin profesional, pa mohuar lodhjen dhe vështirësinë që ka ky proces, pasi e tillë është natyra e profesionit të mësuesit, parë në shumë aspekte. Mendoj se problematika e prezantuar, u vjen në ndihmë jo vetëm mësuesve të rinj dhe pa përvojën e duhur profesionale, por edhe atyre me përvojë shumëvjeçare në profesion, pasi materiali i diktuar në shkrimin e rradhës, përbën një akumulim përvojash dhe eksperiencash të nxjerra nga e gjithë karriera ime në fushën arsimore sipas pozicioneve që kam patur.

Të tjera

Ku po shkojmë?

Nga Koço Kokëdhima Fondi Monetar Ndërkombëtar ishte mjaft i ashpër dhe kritik në raportin e parë të programit të post…

Abissnet