Përshpejtohet rritja e çmimeve, inflacioni 2% më 2017

Publikuar më 10. 01. 2018 nga Eno Shkëmbi

Çmimet e mallrave të konsumit janë rritur me ritme më të larta gjatë vitit 2017. Sipas INSTAT rritja mesatare vjetore e çmimeve në vitin 2017 është 2,0 % nga 1,3 % që ishte në vitin 2016.

Ndërsa në muajin dhjetor 2017 ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit është 1,8 %. Një vit më parë ky ndryshim ishte 2,2 %.

Duke marrë në konsideratë deklaratat e përmuajshme të INSTAT përgjatë gjithë vitit 2017, rolin kryesor në rritjen e inflacionit e ka pasur ndryshimi i çmimeve të ushqimeve. Rritja e çmimeve të ushqimeve ka përbërë me shume se 80 për qind të inflacionit vjetor.

Rritja vjetore e çmimeve në muajin Dhjetor 2017 është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +1,13 pikë përqindje.

Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” kanë kontribuar me 0,45 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Transporti” kanë kontribuar me +0,13 pikë përqindje.

Çmimet e grupeve “Pije alkoolike dhe duhan”, “Veshje dhe këpucë, “Shërbimi arsimor” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” kanë kontribuar me +0,02 pikë përqindje secili.

 Çmimet e grupeve “Mallra dhe shërbime të ndryshme” dhe “Komunikimi” kanë kontribuar me +0,01 pikë përqindje secili.

Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin Dhjetor 2016, rritja më e madhe e çmimeve vihet re në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2,8 %, pasuar nga grupet “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 2,2 %, “Transporti” me 2,1 %, “Veshje dhe këpucë” dhe “Shërbimi arsimor” me nga 0,6 % secili, “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,5 % secili, etj.

Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “fruta” u rritën me 20,1 %, pasuar nga nëngrupet “peshk” me 5,5 %, “zarzavate përfshirë patatet“ me 3,5 %, “mish” me 1,7 %, etj. Nga ana tjetër çmimet e nëngrupit “sheqer, reçelna e ëmbëlsira” u ulën me 1,8 %, etj. N

Ndryshimi mujor i indeksit është +1,0 %. Krahasuar me muajin nëntor 2017 rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,8 %, pasuar nga grupet “Veshje dhe këpucë” me 1,3 %, grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,0 %. Çmimet e grupeve “Transporti” dhe “Shëndeti” shënuan një ulje prej 0,1 % secili, raporton “Monitor”.