Persekutimi nga komunistët i austriakes në Tiranë dhe vdekja tragjike në aksident

Një ndër rastet tipike të persekutimit komunist ku bashkëshortët akuzohen si “agjentë” të agjenturave të kundërta është ai i elbasanasit Adem Balliçi dhe austriakes Blanka De Corvin. Blanka ishte vajza e një diplomati austriak. Në vitet 1931-1944 Adem Balliçi është shef i buxhetit dhe monopolit në Ministrinë e Financave. Çifti ndërtoi një shtëpi përballë legatës amerikane në rrugën e Elbasanit. Kjo shtëpi me rreth 1 mijë metra katrorë truall, iu dha me qira misionit të UNRRA-s në vitet 1945-1947. Pas vitit 1947, në këtë shtëpi kanë jetuar familjet e zyrtarëve komuniste: Sulo Kozeli, Dilaver Poçi dhe Mihal Prifti. Blanka njihej edhe si piktore si dhe dinte shumë gjuhë të huaja. Në vitin 1946, në kuadër të krijimit të legjendimin agjenturor të “sabotatorëve” të Maliqit, ajo ishte përcaktuar të ishte pjesë e këtij procesi, si “ndërlidhësja” midis inxhinierëve dhe Fultzit. Për të realizuar këtë gënjeshtër, do shërbente miqësia që Blanka kishte me Zorika Manon.

Blanka u arrestua më 28.10.1946. U mor në pyetje e u torturua çmendurisht nga hetuesi Delo Balili. Mirëpo, ajo nuk pranoi asgjë e për këtë arsye, nuk u nxor në gjyq me procesin e Maliqit, por u dënua për “procedurë” dhe me vendimin nr.84, datë 16.12.1948 të Gjykatës Ushtarake të Tiranës dënohet me 10 vjet burgim për “mosdenoncim arme”. U lirua me amnistinë e 28 nëntorit 1952. Blanka doli e shkatërruar prej hetuesisë e burgimit. Gjatë burgimit i dërgoi edhe një letër Enver Hoxhës me përmbajtje thellësisht fetare. Ajo jetoi me të shoqin në Elbasan, por vinte shpesh në Tiranë në kishën katolike të kryeqytetit sepse ishte shumë besimtare. Këtu u dyshua për herë të dytë si “agjente”. Adem Balliçi dyshohej si “agjent gjerman”, ndërsa Blanka u vu në përpunim më 19.6.1960 si “agjente angleze”. Gjatë kohës që Blanka frekuentonte kishën katolike, ajo ishte njohur me Dom Zef Bicin (i cili u pushkatua disa vjet më vonë). Blanka u riatdhesua në vitin 1963. Ajo jetoi në Trieste. Dy motrat saj jetonin njëra në Argjentinë dhe tjetra në Zagreb. Gjatë një udhëtimi në Zagreb në dimrin e vështirë të vitit 1985, Blanka u përfshi në një aksident të rëndë bashkë me 7 makina të tjera. Ajo dhe bashkëudhëtari i saj, ndërruan jetë.

Të tjera

Abissnet