Përse nuk pendohet ish-kryeministri serb për Reçakun?

Prof. Dr. Mehdi Hyseni

Edhe pas vuajtjes së burgut 13-vjeçar të Hagës, ish-kryeministri serb i qeverisë së Republikës Federale Jugosllave (Serbia dhe Mali i Zi, 1992-2006), Nikola Shainoviq nuk është penduar se ka urdhëruar, ka planifikuar, ka mbështetur, ka diktuar dhe ka urdhëruar kryerjen e krimeve të gjenocidit ndaj shqiptarëve në Kosovë (1998-1999). Lind pyetja, sa ia vlen që sot Prishtina zyrtare të vazhdojë dialogun me Beogradin zyrtar, kur si Nikola Shainoviq, si presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ashtu edhe ministri serb në qeverinë e Kosovës, Ivan Teodosijeviq botërisht deklarojnë se Masakra e Reçakut “ishte një  fabrikim i shqiptarëve dhe i William Walker-it”!? Pikërisht, edhe ky qëndrim antihuman antishqiptar i Nikola Shainoviqit (sot anëtar në Kryesinë e SPS-it të Slobodan Milosheviqit-Ivica Daçiqit), është treguesi më karakteristik se çdo marrëveshje e re mes Beogradit dhe Prishtinës, do të jetë me “bisht të gjatë” për shqiptarët dhe për Kosovën, sepse  liderët serbë qoftë aktivë, qoftë në pension (politikanë, ushtarakë, policë, diplomatë etj), janë të pakorrigjueshëm, duke qenë se fare nuk janë penduar për krimet e bëra ndaj  mbi 12 mijë shqiptarë në Kosovës (1989-1999). Nikola Shainoviq në vend se t’u kërkojë falje shqiptarëve për krimet e bëra, ai sërish i akuzon! Mirëpo, pavarësisht nga ajo se çfarë gënjen dhe shpif, edhe  sot në liri (2015-2019) ish-krimineli dhe i dënuari i Tribunalit të Hagës, Nikola Shainoviq i akuzon shqiptarët se gjoja “Natën, shqiptarët i kanë sjellë të vdekurit në Reçak”. Mirëpo,  e vërteta është provuar ndryshe nga Tribunali i Hagës, i cili për shkak të organizimit, të planifikimit, të involvimit, të dirigjimit, të bashkërendimit, të bashkëpjesëmarrjes direkte, të urdhrit të politikës së lartë qeveritare të Nikola Shainoviqit dhe të Slobodan Milosheviqit me gjeneralët e ushtrisë dhe të policisë serbe, është kryer, jo vetëm Masakra e Reçakut, por të gjitha  krimet, vrasjet, masakrat e tmerrshme masive anembanë Kosovës, si dhe zhvendosja dhe deportimi me dhunë dhe me terror i mbi 1 milion shqiptarëve civilë nga Kosova(1998-1999). Pra, si mund t’u besohet  Aleksandar Vuçiqit (president) Ivica Daçiqit (ministër i Jashtëm) dhe Ana Bërnabiqit (kryeministre) për të lidhur ndonjë marrëveshje me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës, kur këta nuk pranojnë fajin për kryerjen e krimeve të gjenocidit serb në Kosovë (1998-1999), por i akuzojnë viktimat shqiptare, ashtu sikurse ish-kryeministri serb Nikola Shainoviq?

Pra,  sa ia vlen të dialogojmë me  liderët e lartë zyrtarë të Serbisë, kur edhe këta, edhe sot mbështetin kriminelin Nikola Shainoviq, i cili është dënuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, për shkak se ka luajtur rolin e  urdhëruesit, e koordinuesit dhe e planifikuesit të ekspeditave dhe të operacioneve ndëshkuese policore, paramilitare dhe ushtarake serbe për masakrimin dhe për deportimin e shqiptarëve nga Kosova, me qëllim të ndryshimit të strukturës demografike në Kosovë. Edhe pse  Nikola Shainoviq ( i dënuar  me 18 vjet burg nga Tribunali i Hagës për krimet e luftës kundër shqiptarëve në Kosovë), tani , në liri që nga 27 gusht 2015.  Dy vjet më pas, pikërisht  më 13 maj  2017, me rastin e shënimit të 17-vjetorit të bombardimeve  78-ditëshe të NATO-s kundër Serbisë dhe Malit të Zi,  me paturpësi dhe pa u penduar fare për kryerjen e krimeve të gjenocidit në Kosovë (1998-1999) deklaroi se “ Natën, shqiptarët i kanë sjellë të vdekurit në  Reçak”. Më pastaj, me qëllim të justifikimit dhe të amnistimit të politikës gjenocidale dhe kolonialiste të Serbisë, krimineli Nikola Shainoviq me paturpësi dhe pa asnjë argument valid orvatet ta “baltosë”, duke e akuzuar në tym, edhe shefin e misionit të OSBE-së në Kosovë, Ëilliam Ëalker, që me kohë reagoi kundër masakrës së Reçakut, të kryer nga njësitet vrastare serbe, duke sensibilizuar të gjithë faktorët relevantë të bashkësisë ndërkombëtare (OKB, NATO, BE) si dhe shtetin  vet (presidentin Bill Clinton dhe sekretaren Madeleine Aulbright) se në Reçak të komunës së Shtimes kishte ndodhur masakra ndaj 45 shqiptarëve civilë të pafajshëm, të cilët i kishin ekzekutuar forcat serbe.

Mirëpo, kjo e vërtetë e vretë edhe sot, pas 20 vitesh,  vret gjeologun e Borit (marionetë  e regjimit vrastar të Slobodan Milosheviqit), Nikola Shainoviq, sepse vetë ishte njëri nga  urdhëruesit dhe “arkitektët” e gjenocidit në Kosovë.  Prandaj, edhe pas vuajtjes së burgut në Hagë dhe në Suedi, për t’i fshehur krimet ee veta dhe të Serbisë  në Kosovë,  edhe sot gënjen dhe shpif të pavërteta kundër shqiptarëve dhe kundër Walkerit se gjoja ky, “William Walker ka  qenë dhe mbetet një kontraktor i rëndësishëm për projektin e Shqipërisë së Madhe, e cila ka funksionuar që nga Lidhja e Prizrenit. Ajo u mbështet gjatë Luftës së Parë Botërore dhe,  gjithashtu mbështetej nga Stalini dhe nga Mao Ce Duni. Mirëpo, ky projekt bëhet i realizueshëm vetëm pas hyrjes së Amerikës si fuqi dominuese në këto hapësira.”  Pikërisht, duke u bazuar në një strategji të tillë të trilluar etiketuese dhe fajësuese, me qëllim të rizgjerimit të kufijve territorialë të Serbisë së Madhe, Beogradi zyrtar, i ndihmuar nga Akademia, nga Kisha nga Universiteti, nga ushtria, nga policia dhe nga paramilitarët, zhvilluan 3 gjenocide kundër Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës (1989-1999). Pra, derisa politika, propaganda, shkenca, kisha dhe masmediat serbe të shërbehen me parullat e rreme propagandistike: “Velika Albanija” dhe “Velika Hrvatska”, edhe shqiptarët, edhe kroatët, duhet të mbajnë parasysh faktin se lufta me Serbinë e Madhe ka ngelur e hapur dhe, për çdo moment mund të shpërthejë, duke i fajësuar shqiptarët dhe kroatët si shkaktarë të saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Vija fatale e Ballkanit

Blerim Latifi Gjatë historisë, njerëzit në Ballkan kanë vuajtur nga një lloj fataliteti gjeopolitik. Ky fatalitet ka të bëjë me…

Abissnet