Përse më dhëmbin veshët?

Publikuar më 30. 10. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Blertina Koka

Problemet e fëmijëve me dhimbjet e veshit. Infeksionet dhe zhurmat e ndryshme. Si duhet vepruar dhe këshillat që japin mjekët pët këto raste

Prindërit e dinë sa të zakonshme janë dhimbjet e veshit tek fëmijët, megjithatë edhe të rriturit mund të kenë herë pas here dhimbje gjithashtu. Nuk është e thënë që të keni ndonjë infeksion apo ndonjë problem më madhor për të pasur dhimbje veshi.

Këto janë shkaktarët më të zakonshëm të dhimbjeve të veshit:

Dylli në vesh

Veshi prodhon dhe pastron dyllin gjatë gjithë kohës. Nëse ky proces nuk funksionin mirë, grumbullohet shumë dyllë në vesh, prandaj dhe bllokohen kanalet e veshit. Me raste shkaktohen edhe dhimbje të veshit. Mos përdorni kunja prej pambuku ose objekte të tjera për të nxjerrë jashtë dyllin. Vetëm sa do ta shtyni më thellë kanalit dhe do ta bllokoni këtë të fundit. Mund t’ju dhëmb veshi, të acarohet apo infektohet. Mund të keni edhe probleme me dëgjimin për njëfarë kohe.

Në këtë rast do të ishte mirë të shkoni tek mjeku specialist, kështu ai mund të heqë dyllin pa e dëmtuar veshin.

Trysnia e lartë e ajrit

Veshi bën një punë fantastike në mbajtjen në balancë të trysnisë në të dyja anët e daulles së veshit. Zhurma e lehtë që dëgjoni kur gëlltisni ushqimin është pjesë e këtij procesi. Megjithatë, ndryshime të shpejta, si kur jeni në avion ose në ashensor, mund ta prish këtë balancë. Në këtë rast mund t’ju dhëmbin veshët, madje të keni edhe probleme me dëgjimin.

Për të shmangur këto probleme në avion:

Përtypni një çamçakëz, një ëmbëlsirë të fortë ose diçka tjetër gjatë ngjitjes dhe zbritjes.

Qëndroni zgjuar kur të ulet avioni.

Merrni frymë thellë, mbani për pak sekonda hundën të mbyllur dhe më pas nxirrni me ngadalë frymën nga hundët.

Përpiquni të shmangni udhëtimet me avion kur jeni me ftohje, ose vuani nga një infeksion i sinusit ose simptoma të alergjisë.

Veshi i notarit

Nëse ju dhëmbin veshët kur tërhiqni llapën e veshit, mund të keni infeksion të kanalit të jashtëm të dëgjimit. Veshi i notarit apo infeksioni akut i kanalit të jashtëm të dëgjimit është një gjendje inflamatore që fillon në shumicën e rasteve me futjen dhe “burgosjen’’ e ujit në vesh, sidomos tek personat që frekuentojnë ambientet e pishinave apo plazheve, prandaj quhet edhe i tillë.

Me futjen e ujit në vesh, bakteret fillojnë të gjejnë kushte të përshtatshme për t’u zhvilluar. Prandaj dhe shkaktohen kruajtjet, skuqja dhe fryrja e mureve të kanalit, sekrecione me erë nga veshi, ulje të dëgjimit dhe një dhimbje të vazhdueshme shumë të fortë që e detyron pacientin të kërkojë ndihmë tek mjeku.

Për të shmangur këto infeksione, është mirë t’i mbani veshët të thatë gjatë dhe pas notit.

Mjeku mund t’ju rekomandojë antibiotikë me pikatore për të pastruar veshin.

Infeksioni i veshit të mesëm

Ftohja, alergjitë ose një infeksion i sinusit mund të bllokojnë kanalet në veshin e mesëm.  Një ndër patologjitë më të shpeshta në këtë rast është otiti i mesëm akut, një infeksion i pjesës së mesme të veshit, zonë që ndodhet menjëherë pas daulles së veshit (timpani i veshit) dhe shkaktohet nga mbyllja e zonës së Eustakit (kanali që bën ajrosjen e veshit të mesëm).

Ndodh kryesisht kur pacienti kalon ndonjë virozë, ka ftohje, dhimbje fyti, hundë të bllokuara, inflamacion të bajameve etj. Nëse nuk trajtohet, ky infeksion mund të përhapet dhe të shkaktojë edhe humbje dëgjimi.

Shkaktarë të tjerë

Mund të keni dhimbje në vesh edhe kur burimi është diku tjetër në trup, si dhimbja e dhëmbëve për shembull. Kjo ndodh sepse nervat në fytyrë dhe qafë janë shumë të lidhura. Mjekët e quajnë këtë lloj dhimbje që fillon në një pjesë e ndihet në një tjetër si “dhimbje e referuar”.

Nëse dhimbja e veshit shoqërohet edhe me dhimbje të shumta fyti, mund të jetë një infeksion i bajameve ose faringitit. Dhimbja  e veshit është në fakt simptoma më e tmerrshme e këtyre dy gjendjeve