PËRPLASJE SHBA-RUSI, Siri: Gjatë sulmeve amerikane vriten ushtarë rus!

Të paktën dy ushtarë rus janë vrarë gjatë sulmeve ajrore amerikane në verilindje të Sirisë që u zhvilluan gjatë javës së kaluar, bënë të ditur BBC, duke shtuar se sipas të gjitha gjasave fjala është për mercenarë të cilët janë angazhuar nga një kompani ushtarake private, e cila paguan ushtarë për llogari të ushtrisë siriane proqeveritare.

Rusia deri më tani nuk ka konfimruar vdekjen e ushtarëve, për të cilët u raportua fillimisht në mediat amerikane, por vetëm u tha se raporte të tilla nuk duhet të trajtohen si “burime primare”.

SHBA ka bërë të ditur se gjatë sulmeve të javës së kaluar ka vrarë më shumë se 1.000 luftëtarë, e ministri amerikan i mbrojtjes, Jim Mattis theksoi se përkundër raporteve mediatike, nuk e ka të konfirmuar se në mesin e të vrarëve ka edhe mercenarë rus.

“Nuk mund ta konfirmoj, asnjë fjalë nuk kam dëgjuar nga Shtabi i Përgjithshëm ose Pentagoni,” tha Mattis.

 

Çfarë ndodhi?

Qindëra luftëtarë të lidhur me presidentin sirian Bashar al Assad, kanë sulmuar pozicionet e Forcave Demokratike Siriane, SDF, të cilat mbështeten nga SHBA, në krahinën Deir Al Zour.

Ata kanë kaluar lumin Euphrat, duke goditur bazën SDF, ku ishin prezent edhe këshilltarët amerikanë, bënë të ditur BBC.

Më 7 shkurt, Amerikanët u përgjigjën me sulme ajrore dhe artilerike duke detyruar luftëtarët qeveritarë të tërhiqen.

Mediat siriane kanë bërë të ditur se gjatë këtij sulmi kanë mbetur të vrarë me dhjetëra njerëz, ndërkohë Ministria e Mbrojtjes e Rusisë theksoi se forcat qeveritare siriane janë sulmuar kur kanë filluar një operacion kundër luftëtarëve të  Shtetit Islamik, ISIS.

Nga ana tjetër, duke cituar një zyrtar të Pentagonit, CBS News raportonte më 8 shkurt se mercenarët rusë ishin pjesë e forcave proqeveritare që sulmuan bazën e SDF. “Nëse rusët janë midis atyre që u vranë, kjo do të shënonte herën e parë që një sulm ajror, SHBA ka vrarë rusët në Siri,” raportonte David Martin i “CBS News”.

Më shumë detaje rreth atyre që u vranë në sulme filluan të shfaqen në ditët në vijim. Të martën, bashkëpunëtorët e dy luftëtarëve rusë konfirmuan për BBC se ata u vranë më 7 shkurt. Ata madje identifikuan të vrarët si Vladimir Loginov, një kozak nga rajoni perëndimor i Kaliningradit të Rusisë, dhe Kirill Ananyev, një nacionalist radikal nga Moska.

Të martën reagoi edhe Kremlini, e zëdhënësi i presidentit rus Vladimir Putin nuk pranoi të jepte detaje.

“Ne kemi detaje të forcave të armatosura ruse, të cilët po marrin pjesë në operacionin ushtarak në mbështetje të ushtrisë siriane,” tha Dimitri Peskov dhe shtoi: “Ne nuk kemi informacion për rusë të tjerë që mund të jenë në Siri. Ju këshilloj që të kontaktoni ministrinë e mbrojtjes”.

Duke u përgjigjur në pyetje në vijim të BBC-së, zëdhënësi tha: “Sigurisht që duhet të kuptosh se shumë vende të botës, kanë një numër mjaft të madh të bashkatdhetarëve tanë rusë, dhe, sigurisht, është e vështirë të kemi të dhëna të hollësishme. Ne rekomandojmë që të mos i trajtojmë raportet e medias si burime primare,” tha Peskov.

Moska filloi një operacion ushtarak në Siri në mbështetje të Presidentit Assad më 30 shtator të vitit 2015. Më shumë se 45 persona ushtarakë rusë janë konfirmuar zyrtarisht të vdekur që prej asaj kohe.

Ndërkohë është edhe një numër i ushtarëve që janë angazhuar nga kompani private për të luftuar, dhe janë vrarë gjatë luftimeve në Siri, përfundon BBC.

Të tjera

Abissnet