Përplasja te Uji i Ftohtë/ Policia i largon me forcë, tregtarët kërcënojnë

Publikuar më 16. 09. 2017 nga Dionis Xhafa

Bashkia Tepelenë ka ndërmarrë një aksion për lirimin e hapësirave publike, por është ndeshur me kundërshtimin e shitësve ambulantë pranë zonës së Ujit të Ftohtë. Kundërshtimi i tregtarëve për të liruar hapësirën, ka bërë që të ndërhyjnë forcat policore, të cilat nuk kanë kursyer edhe shoqërimet e disa prej tyre, shkruan “Panorama”.

Policisë Bashkiake e Tepelenës ka qenë e para që ka mbërritur në zonën e Ujit të Ftohtë për të lajmëruar tregtarët që të hiqnin çdo mall që kishin për të shitur. Sipas tregtarëve, kjo që po ndodh është fryt i interesave të ngushta, pasi ata kanë 10 vite që punojnë aty. Në zonën pranë aktivitetit që ushtrojnë ambulantët, do të ndërtohet një kompleks turistik, i cili sipas Bashkisë së Tepelenës do të sjellë zhvillimin e mëtejshëm të turizmit në këtë pjesë.

Nga ana e tyre, tregtarët shprehen se ndërtimi i një kompleksi të tillë është i paligjshëm. “Kemi 10 vite këtu, nuk luaj nga këtu dhe do vdes”, shprehet një nga tregtarët. Gjatë konfrontimit mes Policisë Bashkiake dhe tregtarëve ambulantë, forcat e rendit ndërhynë duke bërë shoqërimin në komisariat të dy tregtarëve. Gjithashtu, atyre iu sekuestrua dhe malli, kryesisht mjaltë, vaj ulliri dhe produkte të tjera. Shitësit ambulantë, mjaft të indinjuar me veprimin më të fundit të Policisë së Shtetit dhe asaj bashkiake, kanë kërkuar që t’u jepet vendimi i Këshillit Bashkiak dhe gjithashtu kërkuan siguri për sistemimin e tyre pas përfundimit të këtij projekti.

Nga ana e saj, Bashkia e Tepelenës konfirmoi se projekti për ndërtimin e një kompleksi turistik me vlerë 2 milionë euro do të zgjerojë aktivitetin e punësimit për banorët e Tepelenës. Investitor i kësaj vepre është Idajet Hysa, ndërsa kontraktori firma “PIRRACI”. “Në këtë kompleks do të mundësohet punësimi i të paktën 50 personave”, bëjnë me dije burimet zyrtare nga Bashkia e Tepelenës. Në vendin ku do të ndërtohet ky kompleks tregtojnë rreth 40 shitës ambulantë.

Panorama

/D.Xh/