Përpjekjet e qeverisë për transparencë, harxhon 837 milionë lekë për një portal

Foto 1 nga 2 Pas Para

Pas hapjes së qindra portaleve në Shqipëri, kryesisht nga biznesmenë, politikanë dhe gazetarë anonimë, radha i vjen ekzekutivit. Tpz.al ka mësuar se Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit do ndërtojë një portal për qeverisjen e hapur me publikun. Portali do të quhet “opendata.gov.al”, ndërsa do të jenë të atashuara rreth 40 institucione, të cilat do të publikojnë të dhëna. Portali për qeverisjen e hapur, do të ndërtohet me një shumë që shkon deri në 837 milionë lekë të vjetra pa TVSh. Ndërsa me TVSH, shuma shkon deri në rreth 1 milionë USD. Sipas dokumenteve në Agjencinë e Prokurimit publik, qeveria është e angazhuar që të krijojë këtë portal, nisur edhe nga nënshkrimi i udhëheqësve të G8 në dokumentin “Open Data Charter”. “Të dhënat e hapura mbështesin dhe inkurajojnë inovacionin dhe sigurojnë një përgjegjshmëri më të madhe për përmirësimin e demokracisë” – thuhet në këtë document.

Por përveç shumës së çmendur, emri dhe funksioni i këtij portali i është “vjedhur”, një projekti që vepron prej vitesh në Shqipëri, dhe ka kryesisht të dhëna për tenderët, pasuritë e zyrtarëve apo të dhëna nga thesari i shtetit. Bëhet fjalë për http://open.data.al/, e drejtuar nga gazetarja Aranita Brahaj, e që prej disa vitesh ka ofruar për publikun transparencë mbi fondet dhe shpenzimet e thesarit të shtetit. Po në dokumentin e tenderit thuhet se “Open Data” është një platformë në formë portali të hapur, që shërben për katalogimin e të dhënave nga institucionet qeveritare. “Ky portal do të shërbejë për t’u dhënë qytetarëve akses në të dhëna qeveritare duke përdorur mjete informatike moderne për: shfletimin e të dhënave qeveritare, vizualizimin e te dhënave qeveritare, analizën e të dhënave qeveritare, shkarkimin e të dhënave qeveritare në formate të ndryshme, publikimin e të dhënave qeveritare nga sisteme të ndryshme qeveritare në kohë reale dhe sigurimin e besueshmërisë në të dhënat qeveritare.” – shton dokumenti.

Nuk dihet nëse kjo është një përpjekje reale e qeverisë për transparencë, apo është thjesht një mekanizëm propagande, që pritet të dështoj si shumë inciativa të tjera të qeverisë. Kujtojnë këtu që portali Transparenca.al u mbyll ndërsa një tjetër iniciativë për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve, Shqipëriaqëduam.al po shkon drejt dështimit./TPZ.AL/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet