Përmbytjet, policia kalon në gatishmëri të përforcuar, po përdoren edhe gomonet

Publikuar më 04. 02. 2018 nga Eno Shkëmbi

Policia e Shtetit prej ditës së djeshme ka kaluar në gatishmëri të përforcuar, ku forcat speciale janë shpërndarë në zonat më të rrezikuara nga përmbytjet.

Në njoftimin e Bluve bëhet me dije se efektivët janë të pajisur edhe me gomone për t’u ardhur në ndihmë banorëve.

Njoftimi i Policisë 

Në Fier, Vlorë e Shkodër janë dërguar grupe të FNSH-së dhe të Delta Forcë.

Në Ferras e Novoselë ndodhen 2 njësi të FNSH- së Fier dhe 2 njësi të Deltës me makina me kalueshmëri të lartë dhe varka e gomone.

Në fshatin Theth Shkodër është kërkuar ndihmë për ta transportuar drejt spitalit Shkodër një shtetase të huaj e cila ka shfaqur probleme shëndetësore. Janë dërguar shërbimet e Policisë me mjet policie të larte dhe mjekun e zonës.

Shërbimet e Policisë në Gjirokastër gjatë mbrëmjes janë angazhuar në evakuimin e banorëve të një pallati ku ka pasur shkarje dheu dhe rrezikohej pallati.

Në të gjitha akset rrugore Policia Rrugore ka shtuar prezencën për të orientuar e ndihmuar drejtuesit e mjeteve për shkak të prezencës së ujit në rrugë apo të dëborës në zonat e thella.

Patrullat e Përgjithshme në të gjithë territorin janë në patrullim të pandërprere duke ju ardhur në ndihmë disa banorëve në qytete të ndryshme e fshatra që kanë kërkuar ndihmën e Policisë.

Në të gjitha Sallat Operative të Policisë është përforcuar shërbimi duke iu përgjigjur në kohë reale çdo telefonate të ardhur nga banorët në zona të ndryshme.

Policia e Shtetit është në gatishmëri të plotë duke bashkëpunuar e koordinuar veprimet me Emergjencat Civile dhe për çdo nevojë dhe ndihmë nga forcat e policisë te kontaktojnë në numrat e telefonit pa pagesë 112 e 129.

Gjithashtu në rast neglizhence nga punonjësit e policisë qytetarët të telefonojnë në numrin pa pagesë 0800 90 90 duke ju garantuar reagim të shpejtë e të paanshëm.