“Përmbytja do të ishte evituar nëse shteti do të ndërhynte në lumin Gjole”

Situata e përmbytjeve në Shqipëri nga moti i keq ka prekur shumë familje, të cilat nuk e dinë se nga ju ka ardhur kjo fatkeqësi, por jetojnë me shpresën që mos t’ju përsëritet më! Edhe pse disa e konsiderojnë si fatkeqësi nga moti i keq, ka ende shumë pikëpyetje mbi shkakun e përmbytjeve që ka shkatërruar gjithçka materiale të familjeve të prekura. Në fshatin Breg Shkozë, në bashkinë e vorës, në orën 10 të natës uji erdhi furishëm dhe hyri nëpër shtëpi, pa u kuptuar nga banorët që ishin në gjumë. Disa që kishin shtëpi me dy kate kanë arritur të shpëtojnë disi orenditë duke i transportuar menjëherë në katin e sipërm, por ata thonë se kjo situatë përmbytje ka ndodhur për herë të parë dhe ndihen të traumatizuar dhe të pasigurtë për vazhdimësinë normale të jetës në fshat, nga frika se mos përsëritet e njëjta situatë. Shkaqet e përmbytjes argumentohen në forma të ndryshme nga banorët, të cilët e konsiderojnë si fillim fatkeqësi natyrore, pastaj konstatojnë se mund të ketë ardhur nga lumi Gjole që ndodhet 100 metra larg banesave.

Ibrahim Terziu, njëri nga kryefamiljarët më të prekur nga përmbytja, që i ka shkatërruar gjithçka që kishte brenda, makinën dhe orenditë, rrëfen për gazetën “Shekulli”, se ishte i traumatizuar, aq sa i është dukur vetja si në filmin e “Titanikut”, sepse sapo ka hapur derën, uji erdhi furishëm duke marrë gjithçka përpara. “Tani duhet të bëj letrat për çrregjistrimin e letrave të makinës, të paguaj faturat e dritave apo të merrem me gjendjen e shtëpisë? Dorëzohem. Janë shpresa të vdekura! Sonte do ta kaloj natën të komshinjtë, nesër te familja, ku të mundem. Më është dukur vetja si në filmin e “Titanikut”. Të gjitha sakrificat t’i merr lumi dhe t’i lë në pikë të fundit. Tani duhen edhe 30 mijë lekë për të çregjistruar makinën, e cila është shkatërruar komplet sepse ka qenë gjithë natën në ujë”. Arsyen e përmbytjes Terziu e argumenton me vërshimin e lumit Gjole. Mund të ketë ardhur nga lumi. Disa thonë se ka dalë lumi i Fushë-Krujës, ka ardhur nga “Nord Park” te lumi Gjole dhe nga vërshimet e shumta nuk e ka përballuar dot dhe ka krijuar përmbytje”.

Tabloja e këtij fshati është shumë e zbehtë, pasi në fytyrat e tyre shikon vuajtje, pasiguri dhe zhgënjim. Sytë e tyre ishin të skuqur nga nata e gjatë pa gjumë, Ata kanë vetëm një dëshirë: “Ta kalojnë natën në një strehë të sigurtë dhe të ngrohtë”. Jo më larg se dy metra shtëpisë Terziu ndodhej familja Kurti, familjarë e të cilës, me rroba të lagura në trup, vazhdonin të sistemonin shtëpinë, të largonin ujin dhe mbeturinat që kishte sjellë lumi. Jakup Kurti, kryefamiljari i shtëpisë, rrëfen se asnjë nga familjarët nuk kishte vënë sy në gjumë. Uji ishte treguar i pamëshirshëm me prodhimet e kopshtit që ai kishte siguruar për dimër. Tani thotë se në tokën arë, nuk ka mbetur asgjë e dobishme për konsum, pasi mbajnë erë naftë. “Unë kam gjithë natën që rri zgjuar duke hequr ujin. Kam një dynym e gjysmë tokë dhe gjithçka që është prodhuar ka shkuar dëm, për shkak të përmbytjeve.

Prodhimeve të kopshtit u vjen era naftë. Nga lumi i Gjolit kanë ardhur këto mbeturina. Jam shumë i stresuar dhe presim me frikë përmbytje të tjera. Askush nuk ka marrë masa për këtë lumë, qeveria nuk interesohet, vetëm hedh mbeturina. Ka familje të tjera edhe më keq se ne. Brenda shtëpisë janë dëmtuar perimet dhe patatet. Tani çfarë është dëmtuar nuk rikuperohet më. Jemi në shpresë të Zotit, të na ruajë familjen dhe shtëpinë. Nëse do të kishte patur ndërhyrje nga qeveria në këtë lumë, mund të ishte parandaluar kjo fatkeqësi”, tha ai. Ndërsa Hanke Kurti, bashkëshortja e tij, e kishte përjetuar shumë keq këtë situatë, sepse është e sëmurë. Me lot në sy dhe shumë e traumatizuar, Hanke tha se këtë dramë e kaluan edhe shumë familje të tjera. “Në orën 23:20 ka ardhur djali i kunatit dhe na ka ngritur nga gjumi. Filluam të transportonim gjërat nga kati i parë në të dytin.

Uji arriti 10 cm, sepse kemi qenë gjithë natën duke punuar me familjen. Na ka ndodhur për herë të parë dhe vetëm sot po i kuptoj familjet që e kanë përjetuar një dramë të tillë”! Akoma më prekëse kjo natë në fshatin Breg Shkozë është përjetuar nga fëmijët të cilët tregojnë për “Shekulli”-n momentet e vështira të kësaj nate. Ejona Kurti, thotë se ishin aq shumë të stresuar dhe të frikësuar, saqë nuk e ndjenin as të ftohtin e ujit që i kishte kapluar, por mundoheshin se si të shpëtonim objektet me vlerë nga dëmtimi i ujit. Gjithashtu ndihet e pasigurtë për të shkuar në shkollë të hënën, pasi, nëse situata përsëritet, jeta e saj dhe e shumë të tjerëve do të jetë në rrezik. “Sapo na njoftuan, filluam të largojmë gjërat dhe mbushëm ujë që ta kishim për të larë diçka. Shkoi mami për të hapur derën e tualetit dhe ka dalë pisllëk nga sifoni. Mami mbylli derën dhe në u trembëm shumë. Në ato momente u ngjitëm sipër dhe ka shpërthyer uji nga dera. Jemi munduar ta bllokojmë me batanije. Mami filloi të qajë dhe unë gjithashtu. Ishim aq të stresuar, sa që të ftohtin nuk e ndjeja edhe pse isha në krahë të shkurtra. Vrapoja sa andej këndej për të shpëtuar gjërat dhe nuk dinim nga t’ia nisnim”..

Të tjera

Abissnet