“Përmbytja na shkatërroi, nuk kam ku të kaloj natën”

Publikuar më 02. 12. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Lindita Bushgjokaj

 

Në fshatin Breg Shkozë, të bashkisë vorë, shumë familje të prekura nga përmbytjet ndanë përjetimet e tyre me gazetën “Shekulli”. Por ato theksuan se rasti i tyre nuk është asgjë krahasuar me familjen Terziu. “Shekulli” vëzhgoi nga afër gjendjen e kësaj familje, të izoluar prëj shumë orësh nga uji dhe balta. Saide Terziu, një grua rreth të 30-ave, ishte në gjendje shumë të rëndë shpirtërore. Në një interviste për “Shekulli”-n ajo përshkruan mes lotëve, përjetimet e mesnatës së të enjtes, duke luftuar me ujin dhe mezi ka arritur të shpëtojë familjen. Ajo është e pastrehë dhe nuk e di se ku të kalojë natën, pasi askush nuk i është përgjigjur thirrjeve të saj për ndihmë.

Është e hera e parë që ju ka ndodhur kjo situatë përmbytjeje. Na përshkruaj pak momentin e parë kur kuptuat që shtëpia po mbushej me ujë?

Si çdo familjar hëngrëm bukë dhe u shtrimë për të fjetur. Kur ka ndodhur përmbytja, ne ishim në gjumë dhe ka ardhur si dallgë. Nuk e kemi ndjerë vetëm si zhurmë shiu, por si një bori e lehtë. Imagjino, kur jemi zgjuar, kemi parë det me sy. Nuk kemi as rroba që të ndërrohemi, vetëm ato që na kanë dhënë. Miqtë tanë na morën në telefon dhe na thanë shikoni se mos ka ardhur ujë brenda. Kishte ardhur aq shumë ujë, sa nuk dilnim dot nga dera kryesore dhe u detyruam të dilnim vetëm unë dhe bashkëshorti nga dritarja. Arritëm të nxirrnim dhe fëmijën e vogël, ndërsa nënën nuk e nxorëm dot, sepse nuk hapej dera. Ka dalë bashkëshorti dhe ka përplasur derën me forcë dhe i gjithë uji u fut me furi brenda. Vetëm atëherë arritëm të nxjerrim nënën. Ajo ishte shumë keq, pasi vetëm kokën kishte sipër ujit. Kemi gjithë këto vite që kemi punuar me djersë, ky ishte investimi unë dhe kërkojmë që të vejë dikush dorë dhe shteti të kujtohet për ne.

Cili është shkaku i kësaj përmbytje?

Nuk mund të besoj të ketë ardhur as nga lumi Gjole, pasi nuk ka ndodhur më përpara, por besoj nga mungesa e kanalizimeve dhe mungesa e vëmendjes nga bashkia. Këtu është dëmtuar gjithçka, asgjë nuk ka mbetur! Duke filluar që nga orenditë, frigoriferi, lavatriçja, të gjitha.

Çfarë keni bërë sot?

Ja po pres që të vijë dikush të më ndihmojë, sepse nuk e di ku të shkoj në darkë, nuk di ku të strehohem. Nuk i marr dot fëmijët, sepse kam frikë se mos vjen sërish kjo përmbytje. Këtu nuk ke as ku të rrish.

Ju ku po qëndroni aktualisht?

Po qëndroj te shtëpia e babit tim, madje edhe atje ka hyrë ujë brenda, por kemi vendosur divan mbi divan që të shpëtojmë disi nga uji. Ne njoftuam shtetin, policinë me mijëra herë dhe i thosha të lutem: Na ndihmoni me fëmijët të paktën, na i nxirrni në xhade dhe na i strehoni diku. Ishte ora 10:30 e natës dhe deri në orën 4 të mëngjesit telefoni ynë nuk pushonte duke telefonuar. Ata thjesht thonin: Ooo prit dhe pak, 5 minuta! Deri tani nuk ka ardhur askush për të na ndihmuar sadopak. Unë nuk di ku të strehohem sonte.

Ndërkohë uji në çfarë niveli kishte arritur dhe si ja bëtë për ta nxjerrë nënën jashtë. Si ishte ai moment për ju?

Uji kishte arritur 1 metër e ca dhe nëna kishte mbetur brenda, pasi dera nuk hapej. Nga dritarja nuk e nxirrnim, sepse kisha dhe vajzën dhe nuk e lija dot. Vetëm koka ishte jashtë, dhe vajza nuk pranonte të dilte, thoshte: Dua nënën! Ndërsa nëna thoshte: “Ikni ju shpëtoni, mua më lini këtu”. Ajo është e vjetër dhe thoshte se nuk më mbani dot. Unë dhe bashkëshorti dolëm nga dritarja, mori dhe vajzën në krahë. Nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të thyente derën për të nxjerrë nënën.

Si po e përjetonit gjendjen të mbuluar nga uji mbrëmjen e ftohtë të dimrit?

Për herë të parë më ka ndodhur dhe ishte e tmerrshme dhe nuk ia uroj askujt. Gjatë gjithë kësaj kohe, pavarësisht se jam bërë prind shumë e re dhe babai më la shumë të vogël, me shumë djersë dhe sakrifica kemi arritur, që me punë të bashkëshortit të kompletojmë një shtëpi sado e vogël që ishte.

Keni bërë apel, jeni drejtuar dikujt për ndihmë?

I drejtohem dikujt, kushdo qoftë, mjafton të më ndihmojë me një vend që unë të fus kokën bashkë me familjen time. Kjo nuk bëhet si shtëpi më. Kam njoftuar policinë dhe i kanë thënë: Të lutëm më ndihmo që të shpëtojmë fëmijën të paktën, e ma nxjerr nga këtu, sepse nuk po më interesonte jeta ime në ato momente.

Kjo ka ndodhur në momentin kur ishit duke tentuar të dilnit nga shtëpia?

Po. Këtu përmbytja kishte arritur një metër, ndërsa jashtë kishte arritur më shumë, vetëm koka ishte jashtë, ishim komplet të lagur.

Si e përjetuan fëmijët?

Goca është pak e sëmurë. Më mirë mos ta them fare këtë pjesë. Ju lutem kërkoj sadopak ndihmë. Sikur një pastrim, sikur një divan që të ulet fëmija dhe nëna e moshuar, pasi nuk e mbajmë dot ndryshe. Investimet tona këto ishin, jemi të papunë!

Çfarë dëmtimesh ka sjellë përmbytja që nuk rikuperohen?

Makina është dëmtuar komplet. Ajo nuk bën më dhe ka kushtuar 3.500 euro. Ashtu edhe të gjitha orenditë brenda shtëpisë. 5 milionë ka shkuar oborri që kemi investuar. Është dëmtuar lavatriçja, frigoriferi dhe gjithçka. Unë nuk kam as ku të strehohem. Pres që të paktën të më ndihmojnë me diçka sado të vogël, sepse nuk më ka mbetur asgjë. Të paktën të kem një strehë në shtëpinë time. Me këtë lagështirë nuk mund të riparohet, vetëm nëse bëhet rikonstruktimi nga e para. gjithçka ishte e re që e kemi investuar me shumë sakrifica.

Sonte ku do ta kaloni natën?

Nuk e di! Kush të na ofrojë të na mbajë. Ndoshta do mundohemi të rrimë diku në një cep nën rrënojat e mbetura të përmbytjeve.