Përmbytja e autostradës, nisin hetimet për autorët

Publikuar më 02. 12. 2017 nga Jola Alimemaj

Kërkohet se kush dha urdhrin për hapjen e rezervuarit pranë qendrës tregtare që përmbyti makina dhe biznese. Kryetari i Bashkisë së Vorës, Fiqiri Ismaili akuzon homologun e Tiranës, Erion Veliaj. Rrëfimet e të bllokuarve në autostradë

Ervin Karanxha është prokurori të cilit iu ka besuar verifikimi në terren i gjendjes së rënduar që ndodhi dy netë më parë kryesisht në atë pjesë rruge që quhet autostrada Tiranë-Durrës. Ndërsa u rrezikua jeta e dhjetëra personave të cilët u gjenden të papërgatitur nga ajo situatë kaotike dhe njëherësh dramatike për jetën e tyre, policia rrugore me urdhër nga Shtabi i Emergjenca Civile ka dhënë urdhër që ajo rrugë të bllokohet fare. E kjo ndodhi konkretisht në kohën kur nga qendrat tregtare po kërkohej të dilnin vizitorët e fundit dhe të niseshin në drejtim të Tiranës, kur një shkulm uji që nuk dihet nga ka ardhur ka bllokuar shumë mjete brenda të cilave gjendeshin gra dhe fëmijë. Më kot ka ndërhyrë policia dhe ushtria, pasi vizitorët e qendrës tregtare u detyruan të lënë mjetet e tyre nën ujë dhe të kthehen në ndërtesë për të kaluar aty orë të tëra.

Të dhënat flasin se bëhet fjalë për një rezervuar me ujë që gjendet në anë të qendrës tregtare, ndërkohë sipas informacioneve në një pjesë të autostradës nuk kanë funksionuar fare kanalet kulluese për shkak se ato janë zënë që në kohën kur janë mbjellë palmat. Pikërisht këto fakte do të hetojë prokuroria e Tiranës. Më saktë fillimisht pas verifikimeve do të shihet nëse ka veprën penale në gjithë këtë masakër urbane ku për mosfunksionimin e pusetave u rrezikua jeta e dhjetëra personash, u prishën shumë mjete e për pasojë u detyrua të mbyllej edhe rruga për orë me radhë!

Burimet zyrtare bëjnë me dije se prokurori Ervin Karanxha së bashku me hetues të tjerë të prokurorisë dhe oficerë të policisë, kanë shkuar në autostradë dhe kanë kryer këqyrjet e nevojshme në lidhje me dëmet e shkaktuara prej reshjeve të shiut. Gjatë punës në terren prokurori Karanxha ka thënë se hetimi po kryhet në koordinim me policinë e shtetit dhe ka për qëllim evidentimin e shkakut të bllokimit të autostradës si pasojë e grumbullimit të ujit dhe inerteve. Në hetim mësohet se janë dhjetëra biznese që kanë ndërtuar buzë autostradës duke dëmtuar kanalet kulluese dhe infrastrukturën publike.

Akuza e kryebashkiakut të PD-së

Një nga zonat më të dëmtuara për shkak të përmbytjes natën e kaluar ka qenë ajo në autostradë. Uji vërshoi si kurrë ndonjëherë duke kaluar trafikndarëset, duke bllokuar qarkullimin në të dy krahët dhe duke përmbytur bizneset. Shkak për katastrofën sipas kryetarit të bashkisë së Vorës, Fiqiri Ismailaj ka qenë shkarkimi i Liqenit të Kasharit dhe bllokimi i kanaleve kulluese për shkak të palmave në anë të autostradës. Fajin për hapjen e liqenit të Kasharit, thotë Ismailaj e ka kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj. “Bashkia e Vorës është në krye të detyrës dhe po kryen të gjitha funksionet e saj.

Nga informacionet që kemi, në lidhje me përmbytjet që kanë ndodhur tek City Park, tek Mercedes-i, tek Qafa e Kasharit, kanë ardhur si arsye e bllokimit të kanaleve që administrohen nga Bashkia e Tiranës. Ato kanale të mos zihen me palma, siç janë zënë aktualisht, por kanalet të jenë të pastruara dhe uji të shkojë në pjesën e vetë.

Kemi informacione që edhe Liqeni i Kasharit është hapur nga reshjet e dendura të shiut duke krijuar këtë situatë” tha Kryetari i Bashkisë së Vorës, Fiqiri Ismaili. Mbjellja e palmave kushtoi 600 mijë euro, por zëvendësimi i tyre do të kushtojë edhe 2.5 milionë euro të tjera. Për pasojë është shkatërruar autostrada Tiranë-Durrës, si dhe qindra biznese.

Rrëfimet e udhëtarëve në autostradë

Drejtuesit e mjeteve që u  bllokuan në autostradën Tiranë-Durrës mbrëmjen e së enjtes tregojnë se kanë qëndruar në rrugë deri në orët e para të mëngjesit. Ata kanë treguar për median se i telefonuan policisë, por askush nuk shkoi për t’i ndihmuar. “Rreth orës 6 e gjysmë të pasdites dhe ishte stopuar trafiku dhe në një moment vërshoi komplet. Kishte dhe një stuhi me shi të menjëhershme dhe arriti uji deri në 1 metër. U detyruam të braktisnim makinat. Nuk na ndihmoi asnjeri, ishte e pamundur…

Njoftuam policinë, por siç duket ishin shumë të zënë. Unë jam larguar direkt, braktisa makinën dhe direkt jam kthyer për Tiranë, kam arritur pas 3 orësh në Tiranë nga ato rrugët dytësore. Më ndihmuan disa persona dhe…”. “Thjesht erdhi lum i madh këtu në autostradë. Ndihmë s’patëm nga njeri, deri në 05:00 të mëngjesit unë s’pashë njeri që të vinte. Të paktën u ngroha te ai hoteli atje pa drita”. “Në orën 6 e gjysëm doli uji këtej edhe ra shumë, u rrit niveli i ujit edhe ngelën. Nga Gjirokastra jam. Ja ai kamioni që ka ngelur i Gjirokastrës është”-deklaroi njëri prej shoferëve për televizionin ABC.

Kreu i Emergjencave

Kreu i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi, bëri gafën e radhës me të bllokuarit nga përmbytja, pas asaj të pak kohëve më parë kur deklaroi se “mos u mërzisni se në vjeshtë, do ketë tërmete të forta…”. Duke folur për “TV Fax”, kur u pyet se përse nuk po ndërhynte kush për të shpëtuar mbi 200 qytetarë të ngujuar nga uji në katin e dytë të qendrës tregtare, ai u përgjigj: “Nuk kemi detyrë të ndërhyjmë, pasi ne i kemi paralajmëruar (qytetarët) që pas orës 18.00 të mbyllen në shtëpi, e jo të dalin për të bërë shopping…”.

Banorët përplasjen me Xhafajn

Banorët në autostradën Tiranë-Durrës janë përplasur me ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj, pasi ai shkoi dje të inspektojë gjendjen nga përmbytjet. Uji ka pushtuar shtëpitë dhe bizneset e qytetarëve, të cilët i kërkuar zgjidhje Xhafajt. Banorët u shprehën se e njëjta situata ndodhi edhe vitin e kaluar, por në fund, askush nuk shkoi t’i ndihmojë. “Ne jemi të pashpresë, ne jemi biznesmenë, ne jemi kuajt e ekonomisë, pa ne nuk ecën qerrja. Për këtë më vjen keq” – u shpreh një tregtar.

“Do e shikoj me entin e Rrugëve, të premtoj që do ta trajtoj këtë gjë. Unë jam pjesë e qeverise, e shtetit. Kam detyrim të të shërbej deri në një” – iu përgjigj Xhafaj. “E ke gabim, e ke gabim ti zotëri. Ti nuk do na zgjidhësh gjë. Përmbytemi çdo vit, asnjë zgjidhje nga bashkitë. Kemi një vit që jemi në emergjencë” – i tha një tjetër banor. Një tjetër u shpreh se i është përmbytur 7 herë shtëpia dhe se ndërron çdo vit mobiljet. Një i ri u përlot teksa ankohej dhe Xhafaj i dha numërin e telefonit duke i premtuar zgjidhje.