Përkeqësohet situata në Vlorë, rruga lidhëse bllokon 6 fshatra

Publikuar më 02. 12. 2017 nga Xhentila Gjoshi

Gjashtë fshatra të qytetit të Vlorës gjenden në vështirësi pas daljes nga shtrati të lumit Vjosa. Situata është përkeqësuar dhe mjetet e vogla nuk mund të kalojnë në rrugë.
Nga ana tjetër, familje të shumta kërkojnë ndihmë, pasi kanë mbetur të bllokuar në banesa. Policia Kufitare, e Rendit dhe Ushtria janë në gatishmëri për të dhënë ndihmën e tyre për qytetarët e prekur. Në orët e pasdites pritet një përmirësim i situatës, dhe tërheqje e ujit, ndërsa ka mbi 80 banesa brenda të cilave ka depërtuar uji. Disa banorë nuk e prisnin, pavarësisht se Shtabi i Emergjencave i paralajmëroi për këtë situatë.
Rrjedha e krijuar në rrugën lidhëse mes fshatit Novoselë, Fitore, Bishan, Kuç etj, pra 6 fshatra, janë të pakalueshme. Mësohet se vetëm fuoristradat kalojnë në këtë aks rrugor.
Ndërkohë, Policia e Vlorës njofton se për shkak të reshjeve të shumta që vijojnë të bien nuk do të lejohet kalimi në këtë aks i mjeteve apo i këmbësorëve.
Në aksin rrugor Kuç-Kallarat-Bolenë, mund të shkëputet një pjesë e shpatit të malit e cila për pasojë mund të rrezikojë jetët e njerëzve. Shërbimet e Policisë, EC dhe shërbimi i mirëmbajtjes së rrugëve ndodhen tashmë pranë këtij aksi për të qenë në gatishmëri lidhur me cfarëdo ndërhyrje që mund të jetë e nevojshme.
Policia u bën thirrje banorëve të këtyre zonave që për arsye sigurie të mos kalojnë në këtë aks.