Përgjimi në burg i vrasësit vërtetoi akuzat për gjyqtarin

Publikuar më 13. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Nikoleta Kovaçi

Shkëlqim Miri lihet në burg pa afat. Lexohen në gjyq bisedat e shumave që duhet të jepeshin për Dodën. I arrestuari justifikon mbledhjen e parave

Ka përgjime të shumta, me shifra dhe fakte tronditëse në lidhje me gjithçka kanë kryer kushëriri dhe një miku i tij në emër të punës që do të bënte gjyqtari Shkëlqim Miri. Ky i fundit, dje ka dalë përpara gjykatës dhe është njohur me masën e sigurisë, ndërsa avokati mbrojtës i tij ka kundërshtuar ashpër vendimin e prokurorisë dhe të gjykatës bashkë. Në seancën e djeshme të vlerësimit të masës, prokuroria ka lexuar mesazhe të përgjuara prej muajsh, që në kohën kur personi që do t`i dorëzonte paratë kishte nisur të vepronte për t`i shpëtuar masës së dënimit në Gjykatën e Apelit. Janë një sërë të dhënash që flasin për faktin se është përgjuar fillimisht Gentian Doda.

Përgjimi mësohet që është bërë në dy numra telefoni që ka përdorur Doda kur ishte në qeli. Po ashtu nga hetimi bëhet me dije se për më shumë se tre muaj Doda ka komunikuar me persona për të mësuar të vërtetën e lirimit të tij dhe për këtë akuza ka fakte të pakundërshtueshme. Sipas të dhënave bëhet me dije se gjatë deklarimeve të gjyqtarit në prokurori, janë mohuar që lekët të jenë të gjitha të tijat. Ai ka pretenduar se një shumë e konsiderueshme është e kunatit të tij, i cili ia ka dhënë për ta ndihmuar në kuadër të kurimit që do të bëjë në Gjermani, ndërsa ende nuk dihet se përse pjesa tjetër ka qenë e padeklaruar nga ana e gjyqtarit të njohur prej më shumë se dy dekadash.

Masa e arrestit   

Paraditen e djeshme, gjyqtari i prangosur ka dalë parë kolegëve të tij. Është njohur me masën e arrestit po edhe me një sërë përgjimesh që e kanë “fundosur” tashmë me gjithë tentativat e tij për t`i shpëtuar këtij akti. Kështu  Gjykata e Krimeve të Rënda vlerësoi të ligjshëm ndalimin e gjyqtarit të Apelit të Tiranës, Shkëlqim Miri, e vendosi ndaj tij masën “arrest me burg” me dyshimet se ai ka kryer korrupsion për të lehtësuar pozitën para drejtësisë të Gentian Dodës, i dorëzuar prej amerikanëve si një i shumëkërkuar.

Në seancën me dyer të mbyllura iu tregua gjykatës mbi përgjimet e kryera ndaj kushëririt të gjyqtarit, Kujtim Mirit, që shfaqet në kamera duke marrë një valixhe me lekë, të dorëzuara nga ndërmjetësi tjetër Alban Buçi, aktualisht i shpallur në kërkim. Prokuroria thotë se, pas këtij momenti, Alban Buci njofton në “ëhatsapp” Gentian Dodën, që priste vendimin në burg. Pas një seance dy orëshe me dyer të mbyllura, me kërkesë të palëve, Gjykata e Krimeve të Rënda dha masën “arrest me burg” për gjyqtarin Shkëlqim Miri. Gjykata ka pranuar gjithashtu si të justifikuar ndalimin dhe kontrollin e banesës së tij.

Përgjimet

“Rri pa merak, i dorëzuam dokumentet. I thamë s’kemi gjë tjetër, vetëm shpirtin. Do të dalësh nga mesi i muajit tjetër”, thotë ndërmjetësi. Ai që është në kërkim, që ende policia nuk ka mundur ta gjejë dhe dyshohet se ka mundur ta dalë jashtë territorit të vendit. Ishte prokurori Klodian Braho që pretendoi para gjykatës se dorëzimi i së paku 20 mijë eurove për të lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë Mat është bërë më 30 maj të këtij viti, ndërkohë që hetimet kanë nisur më herët, pas informacioneve se gjykatat po hapnin rrugën për lirimin e Dodës, i cili nga i dënuar me 20 vite për vrasje, përfundoi i shpallur fajtor për plagosje me pasojë vdekjen. Organi i akuzës për të provuar faktet, vendos të ndërhyjë.

U kërkon burgjeve të ushtrojë kontroll dhe sekuestrojë dy celularët e të dënuarit. Në fakt ashtu ndodh. Celularët bllokohen për llogari të hetimit. Ndërsa Prokuroria, me vendim gjykate ka të sekuestruara në një llogari të posaçme mbi 250 mijë eurot e gjetura në shtëpinë e Shkëlqim Mirit, avokati i tij Ardian Visha këmbënguli publikisht se kjo shumë do të shpenzohej për kurimin e klientit të tij: “Shuma e konsiderueshme, natyrisht, është relative në kushtet e kohës sonë kapitaliste ku jetojmë. Ky gjyqtar ka 25 vite që punon me një pagë të konsiderueshme, bashkëshortja e tij ka një pagë të konsiderueshme gjithashtu. Në fund të majit, ky gjyqtar ka shkuar në Gjermani dhe është konfirmuar ekzaminimi i bërë nga Spitali Amerikan, me tumor në kokë. Gjendja shëndetësore, natyrisht ka edhe nevojë për një ndërhyrje kirurgjikale”, tha avokati Visha. Ditën e sotme pritet të dalë para gjykatës edhe kushëriri i gjyqtarit, Kujtim Miri, që shihet si njëri nga ndërmjetësit në këtë aferë korrupsioni!

I liruari

Kështu me 7 qershor të këtij viti Apeli vendos të lërë në fuqi vendimin e gjykatës së Matit për dënimin me 8 vite për Dodën. Por e paqartë mbetet sesi Doda nuk mori dënim për këtë vepër nga gjykata e Krujës. Kujtim Miri pritet të dalë sot përpara gjykatës, por Gentian Doda dhe miqtë e tij të përfshirë në skemën korruptive deri më tani nuk janë vënë në pranga. Doda u hetua dhe dënua për vrasjen e Gazmir Dedjas mesditën e 27 tetor të vitit 1997. Për këtë vrasje Doda do të dënohej 4 vite dhe më pas, në vitin 2001 me 20 vite burgim. Pesë muaj më pas Doda apelon vendimin por gjykata e apelit lë në fuqi 20 vitet e burgut duke mos pranuar ankimin e tij.

Një vit më pas 2 shkurt 2002 po e njëjta gjykatë apeli i Tiranës lë në fuqi dënimin me 20 vite burg të dhënë nga shkalla e parë e gjykatës së Matit.  Nga arratia Gentian Doda vjen në Gjykatën e Lartë aty ku sërish mbetet në fuqi i njëjti dënim për të duke mos i pranuar rekursin. Gjithçka ndryshoi ku në 2012 Gentian Doda ekstradohet nga Amerika, ku u arrestua në Kaliforni për llogari të drejtësisë shqiptare. Më 13 korrik 2012, Doda ekstradohet nga agjentët amerikan duke u sjell në Rinas me pranga dhe u vendos në burgjet shqiptare për të shlyer dënimin me 20 vite. Me anë të rekursit ai i drejtohet sërish gjykatës së lartë për të hequr dënimin ndaj tij, por në 2014 kjo kërkesë e Dodës nuk u pranua!