Përgjigjja e prerë e Lulzim Bashës për koalicionin me Ramën

Publikuar më 19. 06. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Erneta Shevroja

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha po “pastron” të gjithë tymnajën që qarkulloi në opinion për një koalicion të mundshëm me Partinë Socialiste pas zgjedhjeve. Në fakt ka qenë kryesocialisti Edi Rama ai që ka folur shumë për Lulzim Bashën në këtë fushatë, duke mos e sulmuar aspak por vetëm duke e ironizuar. Pas shqetësimeve që janë ngritur edhe brenda PD-së lidhur me gjuhën e zbutur të kryesocialistit por edhe të Bashës ndaj Ramës, kreu i PD-së dha dje një përgjigje të prerë. Gjatë një takimi me banorë të Peqinit, Basha tha se nuk do të ketë koalicion me Ramën pas zgjedhjeve. “Jo koalicion me Edi Ramën, se i ka mbetur në mendje.

Jo se, e keni parë që thotë: Është çun i mirë Luli, është çun i mirë Luli, mbaj fotografinë e Lulit, po pse kë do mbajnë tënden? 300 mijë vende pune i bëre 300 mijë refugjatë. Shëndetësinë falas e fute në gropë. Tani nga mëngjesi deri në darkë, Luli, Luli, Luli, thua se është shoku im. Ne do ta mundim nuk e lë më asnjë ditë në Republikën e vjetër”, u shpreh Basha. Ndërsa gjatë një takimi me banorë të Devollit, në orët e pasdites Basha akuzoi Ramën se mashtron qytetarët me deklaratat e tij, që sipas tij, as vetë kryesocialisti nuk i beson. Basha ka thënë se përgjegjës për korrupsionin dhe situatën ekonomike në vend është vetë kryeministri Edi Rama.

“Po ta dëgjosh se çfarë thotë me akuzat që bën, i bie që as Edi Rama nuk e voton Edi Ramën. Sepse përgjegjës për korrupsionin, për abuzimin me pushtetin, për mosmbajtjen e premtimeve, për varfërinë, për gjendjen e rëndë të vendit është një dhe vetëm një, Edi Rama, ai që qeverisi dhe kishte gjithçka nën kontrollin e tij në 4 vite”, u shpreh kreu i PD-së. Lulzim Basha gjatë një takimi me banorë të Korçës i ktheu një përgjigje Edi Ramës edhe në lidhje me planin e tij ekonomik që parashikon mbajtjen e fëmijëve shqiptarë në shkollë deri në orën 16.00, ku do të kryejnë detyrat, do të mësojnë gjuhë të huaja dhe ku shteti do t’u sigurojë edhe drekën.

“Edi Rama është përpjekur të tallet me këtë projekt të Lulzim Bashës, duke u thënë njerëzve që tani Luli do ushqejë fëmijët tuaj. Unë ushqej fëmijët e mi, por Republika e Re do të ushqejë fëmijët e shqiptarëve”, tha Basha. Sipas kryedemokratit në “Republikën e re, paratë nuk do të bëhen rrush e kumbulla, pllaka e palma të thara, siç i bëri Rama. Paratë do t’u kthehen shqiptarëve”, tha ai. Ndërkohë, në takimet e përditshme Basha fokuson edhe programin e tij ekonomik. Kreu i opozitës u foli qytetarëve për masat konkrete të planit të tij. “Vendosim këtë pullën dhe po u kap inspektor këtu do ta pijë e zeza, do të shkojë në prokurori.

Nuk do të shkojnë më paratë as për koncesione as për pllaka, as për palma, por tek brezi i ri dhe shtresat në nevojë. Por që të ndodhë kjo duhet të kemi biznesin e fortë, duhet të kemi ekonominë e fortë”, tha Basha, duke theksuar garancinë që do japë pulla fiskale. “Ata për ndjekje penale, jo biznesi për ndjekje penale”, theksoi ai. Për Bashën duket se pritshmëria është pozitive. Para qytetarëve ai deklaroi se më 25 qershor duhet të marrin fund kriminelët në politikë. Sipas tij, vendimi është marrë.

“Ju shoh të bashkuar, ju shoh të vendosur për atë që do të ndodhë më 25 qershor. Ndahemi nga krimi dhe kriminelët në politikë në radhë të parë. Do të marrin fund kriminelët në politikë, s’ka për të pas më kriminelë në politikë. Ata që i rren mendja, ta dinë mirë se i kanë orët e numëruara. Vendimi është marrë. Kemi ekipin, kemi planin, kemi vendosmërinë dhe do ta çojmë deri në fund. Mos lini derë pa trokitur pa u çuar lajmin njerëzve. Republika e vjetër ka marrë fund, është marrë vendimi”, ka theksuar ai.

Thirrja e Berishës për Ramën

Ish-kryeministri Berisha i ka bërë thirrje Ramës që të ndalë bandat. “Edi Rama ndal bandat, je i pashpresë! Në Zadrimë, bandat e Edi Rames para humbjes terrorizojnë banorët! Lexoni mesazhin e sapoardhur te qytetarit dixhital! ” Dua të bëj një denoncim që po ndodh tani. Në Gjadër, Lezhë janë mbi 3-4 furgona policie që po kërkojnë të kapin disa elementë të Partisë Socialiste që po ju dalin njerëzve përpara dhe po ju bëjnë presion bashke me prirësit e fushatës së PS në Lezhe. Situata është shumë e rënduar në Zadrimë nga presionet e militantëve të PS”, është mesazhi që ka marrë Berisha dje. Ndërsa në një reagim të dytë, Berisha akuzoi Ramën se po e bën fushatën me bandidtë dhe trafikantët, shkroi Berisha.