Perëndimi, jo me dy standarde për Edvinin

Publikuar më 26. 10. 2017 nga Bleona Metushi

Nga Ferdinand Xhaferaj
Cudia në lidhje me fatin e ish ministrit të brëndshëm Saimir Tahiri zgjati më shumë se tre dite.
Kjo sepse kreu i qeverisë u përfshi në punët e drejtësisë duke vlerësuar si corbë dosjen e prokurorisë Italiane. Ndërsa ministri i brëndshëm shkoi edhe më tej duke goditur politikisht organin e akuzës shqiptare.

Kërkesës për ndalimine e ish ministrit Tahiri i paraprinë arrestimet e një bande të krimit të organizuar që trafikonte drogë e armë drejt Italisë. Gjithçka u mundësua pas katër vitesh hetime e katërqind e kusur faqesh evidentimesh të bëra nga prokuroria e vendit anëtar të Bashkimit Evropian.

Fillimisht, kreu i qeverisë dhe instrumentat e tij të propagandës u kujdesën ta kapsulonin problemin nën etiketën “e një druri të shtrëmbër në rradhët e rilindjes”. Por, druri ka marrë flakë dhe duket se do të djegë edhe qeverinë.

Themi kështu sepse në dosjen voluminoze janë me shumicë episodet ku përmënden milionat e eurove që përfitojnë shtetarë e trafikantë shqiptarë për llogari të kërcënimit të sigurisë së Unionit.
EUROPOL ka provuar se 65 përqind e organizatave të krimit të organizuar që merren me trafikun e drogës janë të përfshira edhe në aktivitete të tjera kriminale që rrezikojnë sigurinë Evropiane.

Gjithashtu, në një nga bisedat e përgjuara midis trafikantëve bëhet e qartë se: “…. Saimiri ka bërë minimumi 5 milionë euro në muaj. Ndërsa Sabi thotë se ai këto para i ka humbur në fushatën elektorale. Moisiu thotë që atij (Saimirit) nuk i mjaftojnë as 20 milionë në një fushatë elektorale”. Pra, trafikantet replikojnë për shumën e parave që nevojitet në fushatë elektorale, por bien dakord se paratë e trafikut janë përdorur në zgjedhjet shqiptare.

Rama po përballet me një thikë me dy presa duke qenë se edhe ka prishur legjitimitetin e zgjedhjeve Shqiptare, edhe ka bezdisur radarët e sigurisë Evropiane.
Muaj më parë ambasadorë dhe zyrtarë të rëndësishëm të perëndimit për hir të stabilitetit të Shqipërisë dhe për domosdoshmëri të funksionimit të demokracisë detyruan Bashën të sakrifikohej me zgjedhje.

Perëndimi tashmë është i detyruar të ruajë standardin e vendosur në prag të zgjedhjeve të qershorit. Kujtojmë se në maj të 2017-ës, ambasadorja gjermane në Tiranë, Susanne Schutz do të deklaronte: “Nëse Partia Demokratike dhe partitë e tjera opozitare vazhdojnë t’i mbeten qëndrimit të tyre për të mos marrë pjesë, ky do të jetë një vendim i trishtueshëm për ne. Por ne do t’i njohim këto zgjedhje”.

Pak më herët, ne prill te 2017-ës, ambasadori Lu duke folur për Zërin e Amerikës bënte me dije se “është e vërtetë që zgjedhjet mund të konsiderohen të ligjshme dhe legjitime edhe pa pjesëmarrjen e opozitës”.

Opozita kishte muaj që deklaronte se nuk bëhej fasadë e zgjedhjeve që blihen me paratë e krimit. Ajo u detyrua të braktiste bojkotin sepse nuk donte të braktiste Perëndimin.

Ndërkombëtarët tashmë duhet të respektojnë dhe zbatojnë standardet që imponuan vetëm pak muaj më parë. Imuniteti dhe fati i Tahirit është çështje intitucionesh shqiptare. Por fati dhe imuniteti i qeverisë është edhe çështje institucionesh Evropiane.

Në krizat e vendeve të Ballkanit, sikurse diskutohet nga studiues të shkencave politike, përgjithësisht perëndimi ka ndërhyrë jo në kohën e duhur dhe jo me cilësinë e duhur.

Rama mund të vazhdojë të hyje e të dalë nga zyra sikurse Tahiri hyn e del në emisione televizive, por kjo është thjesht zvarritje që mund të marrë zvarrë edhe stabilitetin e vendit.

Pra, nëse Rama do vashdojë me këmbëngulje të drejtojë një qeveri jo-legjitime, opozita nuk mund të bashkëpunojë shumë gjatë me Kuvende jo-legjitime. Opozita do të shkojë drejt radikalizimit. Dhe e ka të gjithë të drejtën të bëjë këtë.