Përdoruesit “kryqëzojnë” “Apple”-in lidhur me bateritë e “IPhone”-ve, reagon kompania

Publikuar më 23. 12. 2017 nga Eno Shkëmbi

Lajmet se “Apple” ngadalëson qëllimisht celularët e vjetër sapo të dalin modelet e reja u përhapën masivisht në rrjetet sociale këtë javë.

Kompania prestigjioze më në fund e pranoi, bateritë kanë një jetëgjatësi të shkurtër dhe e ngadalësojnë punën e celularit sapo të vjetrohen.

“Apple” nuk u ndal me kaq, por në një reagim zyrtar bëri me dije se faji nuk qëndron te bateritë.

Bateritë kanë ngadalësuar celularët iPhone, duke i bërë shumë njerëz të mendojnë se kompania po i detyron njerëzit që të blejnë një smartfon të ri.

Ndërkohë kundër kompanisë në fjalë është ngritur edhe një padi nga përdoruesit e iPhone. Por “Apple” ka theksuar në deklaratë se përdoruesit jo detyrimisht duhet të ndërrojnë smartfonin në rast se bateria është konsumuar.

Sipas kompanisë përdoruesit mund blenë një bateri të re dhe të rikthejnë fuqinë e procesorit në smartfonë.