Përdhunimi i 13-vjeçares, gazetarja: Ne të rriturit kemi harruar të shihemi në sy me njëri-tjetrin

Gazetarja Sonila Meço nuk i gjen fajtorët vetëm te autorët e këtij krimi por edhe te ne të rriturit që siç shkruan ajo, “kemi harruar të shihemi në sy me njëri-tjetrin”.

Komenti i plotë

Neuroshkenca ka arritur në shpjegime të detajuara të ndikimit që fjalë, metafora e togfjalësha kanë në trurin tonë. Në cilat pjesë të trurit, cilat hormone nxinisin dhe çfarë prodhojnë si kundërpërgjigje. Pasojat janë të paimagjinueshme, duke patur parasysh se truri i shoqëron fjalët e përcaktimet me imazhe të caktuara, që gradualisht e më shpejt se ç’mendojmë u japin formë veprimeve tona.

Imagjinoni se çfarë u bëjnë fjalë, përcaktime e metafora të rënda, atyre që janë më të ndjeshëm, më të dobët, më të pambrojtur. Imagjinoni imazhet…

Po lexojmë e dëgjojmë gjithçka në raport me ngjarjen e Kavajës. Tejet delikate, kur protagonistë janë minorenë. Nuk mund të kemi kthjellimin dhe objektivitetin përballë dhunimit të një të miture nga tetë të mitur të tjerë. Të dhemb shpirti.

Ata janë fëmijë, të gjithë dhe ne si të rritur duhet të masim çdo fjalë. Disa pyetje duhet t’i bëjmë edhe pse kjo gjë dhemb.

Sepse mund të ishin fëmijët tanë, të fqinjëve e të afërmve tanë.

Çfarë edukate kanë marrë në shkollë, në shtëpi? A janë të edukuar seksualisht?

Çfarë ndikimi shkaktojnë imazhet në rrjet, ekran, filmimet, skena erotike që gjenden me një klikim?

Si i ndikojnë shembujt publikë, artistë, politikanë, personazhe televizivë?

Si po i rrisim sipas moshës, në raport me dijen e mirsjelljen?

Sa i dëgjojmë, sa kohë ju kushtojmë, sa hapësirë, sa i konsiderojmë?

Duhet aq shumë kujdes në trajtimin e kësaj teme, e para sepse është një dramë me protagonistë minorenë. E dyta, sepse viktima ka nevojë të ndihmohet për t’u rritur, trajtohet për të kuruar pasojat, të menaxhojë dhimbjen. Jo të kryqëzohet.

Djemtë, minorenë edhe ata, do të dënohen, por do të rikthehen dikur në shoqëri. Si minorenë duhen trajtuar për të mos iu rikthyer shoqërisë të rritur të dëmtuar.

Nuk ekziston një gurkyç për ta zbërthyer saktë në shkaqe e pasoja këtë që ka ndodhur. Ende e kemi të mangët informacionin, për rolin e prindërve, mësuesve, psikologes, policisë, shoqërisë, medias aty. Por të jemi të kujdesshëm në trajtimin e ngjarjes, sidomos tani. Për të mos shtuar viktima me fjalët tona, të hedhura nga zemërata, mllefi, dhimbja. Sepse kanë aq shumë ndikim fjalët sa do duhej ta nisnim nga gjuha e personazheve publikë gjetjen e fajtorëve. Ata janë kudo, në ekran, në youtube, në rrjetet sociale, instagram e një klikim. Shpesh më shumë hapësirë kalojnë me ta fëmijët tanë, prej përdorimit të teknologjisë.

Por edhe ne, të rriturit që kemi harruar të shihemi në sy me njëri-tjetrin.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet