Përçahen artistët, një përfaqësi takohet me Kumbaron në zyrën e saj

Publikuar më 14. 02. 2018 nga Dionis Xhafa

Një përfaqësi artistësh është duke zhvilluar një takim në zyrën e ministres të Kulturës të Shqipërisë Mirela Kumbaro. Ndërkohë, shumica e artistëve ndodhen në sallën e Teatrit Kombëtar, aty ku përfaqësuesja e qeverisë duhej që të shkonte dhe të ballafaqohej me kërkesat dhe pretendimet që kanë aktorët dhe vetë artistët. Bujar Asqeriu, i pranishëm në takimin me Kumbaron, duke iu drejtuar ministres së Kulturës i tha se ajo duhej të shkonte të takonte artistët në sallën e Teatrit Kombëtar. “E kishim lënë që ju do të vinit të ballafaqoheshit, të diskutonit me ne në sallën e Teatrit Kombëtar dhe jo që ne do të vinim në zyrën tuaj”, i tha aktori i madh, Bujar Asqeriu, ministres Kumbaro.

Ndërkohë, Artan Imami tha se duhen ndërmarrë sa më shpejt hapa në lidhje me Teatrin Kombëtar, duke shtuar se debati shpeshherë ka qenë frytdhënës. “Bashkohem me protestën dhe më duket e padrejtë që ne të shkojmë te Turbina, ndërsa TOB të vijë në godinën e Teatrit Kombëtar”, tha Imami. Ai ka shtuar se i vinte turp kur takon aktorë të huaj, për shkak se TK është në gjendje skandaloze. Ministrja e Kulturës është shprehur se pr/ligj përmban dy tre ndryshime nga ligji aktual, duke shtuar se arsyeja sepse ky ligj është hedhur në publik synon pikërisht njohjen e tij.

/D.Xh/