“Përballja” e heshtur e Lul Berishës në gjyq me atentatorin e tij

Lulzim Berisha u shfaq dje, në sallën e Krimeve të Rënda pa bujë dhe larg syrit të mediave, këtë herë, në cilësinë e dëshmitarit. I konsideruari si atentator, Ahmet Ajeti deklaroi: Hoqa dorë nga vrasja, prandaj qëllova veten

Bleona Metushi

“Nuk më kujtohet”, ishte kjo përgjigja e pothuajse të gjithë dëshmitarëve, në seancën e djeshme në gjyqin ndaj Ahemt Ajetit, i cili pas 13 vitesh, po rigjykohet për tentativën e vrasjes ndaj Lulzim Berishës. Ky i fundit, pas kaq vitesh u shfaq dje në sallën e Krimeve të Rënda pa bujë dhe larg syrit të mediave, ndërsa këtë herë, ishte në cilësinë e dëshmitarit. Ndryshe nga të tjerët, të cilët nuk kujtoheshin për ngjarjen, Berisha vlerësoi se nuk kishte asgjë për të thënë për këtë proces, dhe gjithçka ka pasur, e ka thënë vite më parë. “Nuk kam çfarë të them, i kam thënë të gjitha në deklarimet e dhëna më parë”, tha i konsideruari si kreu i bandës së Durrësit, Lulzim Berisha. Ndërkohë që pas heshtjes së Berishës, avokati i Ajetit, Saimir Vishaj, kërkoi që të lexoheshin deklarimet e dhëna më parë, ndërsa prokurori i çështjes, Behar Dibra, tha se kjo dëshmi do t’i vihej në dispozicion mbrojtjes, pasi për akuzën, nuk e çmonte si të nevojshme. 13 vite më pas, Ahmet Ajeti, ose siç rezulton në disa dokumente të 2005-ës, Ahmet Taraku, ka risjellë njëri pas tjetrit, të njohurit si anëtarë të bandës së Durrësit, përballë Krimeve, gjykatë që në vitin 2010, i dënoi ata si pjesëtarë të grupit kriminal.

Plagosja dhe pretendimi i Ahmet Ajetit

Por ndërsa në dokumentet e Prokurorisë për  Krime të Rënda, thuhet se Ajeti është plagosur gjatë një sherri banal, para se të kryente porosinë, për vrasjen e Lul Berishës, ai vetë jep një tjetër variant. Për kosovarin, ai është vetë plagosur, kjo pasi kishte hequr dorë nga vrasja Lulzim Berishës. “Unë kam hequr dorë nga vrasja e personit në fjalë, Lulzim Berishës. Pas këtij momenti kam plagosur veten dhe kam hipur në një pallat, ku kam pritur”, tha Ahmet Ajeti, i cili pas dëshmisë së dhënë nga mjeku ligjor, i cili në vitin 2005, kishte bërë akt-ekspertimin e tij, ku konstatonte se pavarësisht se është plagosur shumë pranë kërthizës, plumbi nuk kishte prekur asnjë prej organeve jetësore, vendos të tregoj mënyrën e vetëplagosjes. Ajeti, nëpërmjet avokatit të tij, Saimir Vishaj, pretendoi se ai ka qëlluar veten, duke tërhequr lëkurën në një krahë, në këto kushte, nuk do të kishte lëndime serioze. “I mbrojturi prej meje, ka qëlluar vetë veten e tij, duke tërhequr lëkurën. Kështu ai nuk do të kishte pasoja për shëndetin. Në spital, Ajeti ka qenë me rrobat e tij, ndërsa është marrë nga policia që është deportuar për në Kosovë”, tha avokati.

Dëshmitarët

Ndërkohë që dëshmitarët e thirrur deri më tani në sallën e gjyqit, nuk kanë sjell fakte të reja dhe një pjesë e tyre kanë thënë se nuk e mbajnë mend ngjarjen, Prokuroria këmbëngul që në marrjen e dëshmive të tjera, ku një prej personave që pritet një përgjigje është bashkëpunëtori i drejtësisë, Adriatik Coli. Sipas prokurorit Bujar Dibra, ai nuk do të heq dorë, pasi dëshmia e tij në këtë proces është shumë e rëndësishme. Për shkak të marrëveshjes së bërë me drejtësinë, Adriatik Coli, nuk ndodhet në Shqipëri dhe prokurori, u shpreh se duhet të gjendet një mundësi për ta pyetur, edhe nëpërmjet video-konferencës. Nga ana tjetër, kryetari i trupës gjykuese, Bibë Ndreca tha në sallë, se ata nuk kanë marrë ende një përgjigje nga Drejtoria e Mbrojtjes së Dëshmitarëve, në lidhje me këtë dëshmitar, pavarësisht shkresës së çuar. “Në lidhje me dëshmitarin e kërkuar Adriatik Coli, është çuar një shkresë Drejtorisë së Mbrojtjes së Dëshmitarëve, por nuk është marrë asnjë përgjigje”, tha gjyqtari Bibë Ndreca. Gjithashtu, për seancën tjetër, e cila do të zhvillohet në datën 13 dhjetor, pritet të dëshmojë, vetë Ahmet Ajeti, si dhe dy dëshmitarë të tjerë, që kanë dijeni në lidhje me ngjarjen e ndodhur në gusht të vitit 2005.

 

Ngjarja

Referuar dosjes rezulton se në datën 28.08.2005, Endrit Dokle dhe Adriatik Coli, për realizimin e qëllimit të tyre, për vrasjen e Lulzim Berishës, pas konflikteve që kishin lindur, midis anëtarëve, dikur të së njëjtës bandë, kanë kontaktuar dhe më pas kanë lidhur marrëveshje, me dy shtetas kosovar, me Osman Korpuzi e Ahmet Ajeti. Rezulton se, këta persona, janë takuar në Tiranë dhe u janë treguar të dhëna për Lulzim Berishën dhe lëvizjet e tij dhe ata marrin përsipër që ta qëllojnë Lulzim Berishën, me armë zjarri, të llojit pistoletë. Më pas të Korpuzi dhe Ajeti, të shoqëruar nga Sardian Sulejmani, janë dërguar në qytetin e Durrësit dhe janë sistemuar në hotelin e Asto Hanxhari. Në datën 30.08.2005, rreth mesditës, të gjykuarit Osman Korpuzi e Ahmet Ajeti, të armatosur, janë nisur në drejtim të lokalit, ku, qëndronte zakonisht Lul Berisha, me qëllim vrasjen e tij. Por, në afërsi të lokalit të shtetasit Lulzim Berisha, në rrethana jo shumë të qarta, Ahmet Ajeti, ka mbetur i plagosur.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet