Për Dhori Qiriazin

Nga Bardhyl Prifti

Dhori Qiriazi  ishte një nga firmat e njohura të poetëve shqiptarë, që filluan të botonin poezitë e tyre aty nga fundi i viteve 1950.  Në atë kohë dolën në dritë edhe poezitë e Ismail Kadaresë, Dritëro Agollit, Agim Shehut, Fatos Arapit dhe shumë të tjerëve, që po pasuronin letërsinë me zëra të rinj me të ardhme. Dhorin e kam njohur, kur ai ishte nxënës në shkollën shtatëvjeçare të Ersekës. Fëmijë i qetë, i rregullt, pa shumë fjalë, energjik, me trup të shëndoshë dhe një nxënës shumë i mirë.

Ai jetonte në fshatin Lëngëz, shtatë-tetë kilometra larg Ersekës, një fole e vogël dallëndyshesh në fund të një lugine të ngushtë, por shumë të bukur, e cila e frymëzoi Dhorin më vonë për shumë e shumë lirika të tij dhe i dha atij shpirtin e një romantiku dhe admiruesi të pangopur me natyrën. Pas mbarimit të shtatëvjeçares Dhori shkoi në Shkodër në Gjimnazin “29 Nëntori”.

Në vitin 1954 filloi studimet në UT, Dega e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Edhe në fakultet Dhori tregoi se ishte një nga studentët më të mirë të kursit të vet dhe premtonte për t’u bërë një poet shumë i mirë. Krijimet e para ai i nxori në gazetën “ Letrari i ri”, që dilte çdo javë në korridorin e katit të dytë të fakultetit. Botimi i asaj gazete ishte ngjarje e veçantë, sepse aty shkruanin poetë si Ismail Kadareja, (shok kursi i Dhorit), Agim Shehu dhe të tjerë. Poezitë e para të Dhorit dalloheshin për thjeshtësinë e vargut dhe për temat që trajtonte. Studimet ai i mbaroi në vitin 1958 dhe u emërua si mësues i letërsisë në shkollën e mesme, që u hap atë vit në qytetin e Ersekës.

Atij i pëlqente shumë puna me nxënësit dhe ishte për ta jo vetëm mësues, por edhe edukator, prind, poet, njeri me shumë kulturë, veprimtar i mirë në jetën kulturore e shoqërore, gjë që ngjalli edhe një farë zilie nga drejtuesit e pushtetit në rreth. Kështu që Dhorit iu desh të përplasej me ata jo vetëm për punët në arsim, por edhe për probleme të strehimit të tij në Ersekë, për qëndrimin e tij prej njeriu të kulturuar dhe shumë parimor për probleme të kulturës dhe arsimit në rreth. Të ishe shok, mik dhe koleg me Dhorin ishte privilegj. Dhori ishte shumë i kujdesshëm në përzgjedhjen e shokëve dhe miqve. Njeri serioz, i përmbajtur ai dinte si t’i zgjidhte ata dhe gjithmonë përpiqej ta zgjeronte rrethin e tyre.

Bisedat me të ishin të shumë fushave. Por bisedat për letërsinë ishin të pafundme, formuese për këdo që e dëgjonte. Në çdo bisedë sado e thjeshtë të ishte, kishe çfarë të mësoje nga Dhori. Mësoje për stilin e të shkruarit, për temat, rrymat letrare, idetë, për jetën dhe krijimet e shkrimtarëve më të mirë shqiptarë dhe të huaj. Dhori ishte gjithmonë në korent me sukseset e letërsisë shqipe dhe botërore. Ai i njihte shumë mirë rrymat letrare, shkrimtarët francezë, anglezë, gjermanë, ruse, amerikanë, kinezë, shkrimtarët e vjetër iranianë, grekë, kulturën arabe etj. Ai fliste me shumë pasion për Homerin, Eskilin, Shekspirin, Bërnsin, Pushkinin, Lermontovin, Saadiun, Petrarkën dhe dhjetëra shkrimtarë të tjerë nobelistë me famë botërore…

Kur Dhori ulej të shkruante vargjet e veta, bëhej i heshtur, zhytej në muzën e vet, nxirrte një stilolaps të vogël dhe hidhte shpejt e shpejt vargun e parë. -“Vetëm pasi hedh vargun e parë, them se e kam mbaruar këtë poezi. Vargu i parë është ai që i jep tingullin e pastër çdo poezie. Pas këtij strofat vijnë vetë, rreshtohen si ushtarët dhe… bëjnë gati armët, fjalët,”- thoshte shpesh Dhori. Ai ishte mjeshtër i vargut, e limonte atë me shumë kujdes. Në vargjet e poezive të tij nuk ka hapësira bosh, atyre nuk mund t’u heqësh asnjë rrokje, sepse çdo germë është në vendin e vet, ashtu si tullat në një mur. -“Limimi i vargut është si puna e gurgdhendësit, që kërkon saktësi në çdo detaj, ndryshe prishet gjithë portreti,”- thoshte Dhori gjithnjë.

Në rast se ai do të thurte vargje për një lule, për një fëmijë, për gjithçka ai  gjithmonë nuk kishte parasysh pamjen apo pafajësinë e lules dhe foshnjës, por thelbin e asaj që do t’i jepte lexuesit.  Me shpirtin e një poeti të vërtetë ai luante mjeshtërisht me vargun. Mbase kjo ka qenë edhe një nga arsyet që Dhori botoi pak. Por ajo që e lodhte më shumë poetin ishin “porositë” dhe rregullat që viheshin nga politika e prapë e sistemit. Ai i njihte mirë të ashtuquajturit “kritikë” letrarë. Ai nuk duronte ata që kërkonin edhe gjilpërën në kashtë. I kishte mbetur në mendje njëri, që e kishte kritikuar Dhorin se pse kishte krahasuar nusen pranë dhëndrit me një yll pranë Hënës !!! Flamuri turk !!! Gabim ideor !!! Ai nevrikosej shumë rrallë, por nuk e harronte atë kritik…–”As që më shkonte në mendje, -thoshte Dhori. -Ylli pranë hënës është varg në këngët popullore shqiptare… Kurse ky kritik paska gjetur gabim ideor !!!”

Tematika e poezive të tij ishte e larmishme, që nga temat e fshatit, të natyrës, të kulturës, temat shoqërore deri te ato filozofike dhe shumë rrallë ato politike. Ai qëndroi larg politikës, sepse ai e kishte kuptuar se “nuk bëhej shaka” me të ashtuquajturën “vijë të partisë” në art dhe kulturë. Por ai nuk ishte indiferent. Nuk mund të kuptohet ndryshe koha e fillimit të viteve 1980 të shekullit të kaluar, kur Dhori la pothuaj fare krijimet e veta poetike dhe filloi përkthimin e poemës së Nekrasovit  “Kush jeton mirë në Rusi”. Poemë protestë ndaj shfrytëzimit të bujkrobërve në Rusi… ishte një paralele edhe e asaj që po ndodhte në Shqipëri në atë kohë: varfëri, mundim, djersë, gjak, mizori…Pushtetarët injorantë vendas nuk e kuptuan ironinë therëse të përkthimit dhe poema e përkthyer mjeshtërisht prej tij doli në dritë.

Ata nuk e duronin qenien e Dhorit si mësues në shkollën e mesme, aq më tepër kur ai u bë i njohur si poet apo si njohës i shkëlqyer i gjuhës shqipe, kur Dhori krahas firmës së Çabejt, Kostallarit, Domit etj. hodhi firmën në dokumentin përfundimtar të Kongresit të Drejtshkrimit. E kishin halë në sy, prandaj e hodhën për të dhënë mësim në një shkollë tetëvjeçare shumë larg Ersekës. Për më tepër diku nga mesi i viteve 1970 pushtetarët e rrethit, i kërkuan Lidhjes së Shkrimtarëve që Dhorit t’i hiqej e drejta e botimit dhe të mos i jepej lejë krijuese. Tre vjet me radhë Dhori u përpoq ta çante “rrethimin”, t’u jepte të kuptonin atyre të Lidhjes, se kjo nuk ishte e drejtë. Bile edhe Dritëroi nuk mundi ta ndihmonte. Ai i kishte thënë Dhorit gjatë një bisede shokësh: – “Po të jetë për mua, ta jap lejen që sot… Të keqen e ke tek ata të komiteteve në Ersekë…” Edhe Dritëroi nuk mund t’i kundërshtonte, sepse mund ta akuzonin për qëndrime të huaja.

Ajo kohë ishte…Është shumë e gjatë historia e marrëdhënieve të tij me autoritetet e pushtetit dhe partisë në Kolonjë, një histori përplasjesh në heshtje të një intelektuali të formuar plotësisht me mediokritetin partiak të kohës. Ata nuk e lejuan Dhorin që të ikte nga Kolonja për të dhënë leksione në UT ose për të punuar në ndonjë nga ndërmarrjet botuese në Tiranë, me gjithë kërkesat e herë pas hershme të atyre. Duke ndjerë shigjetat që i dërgonin pushtetarët kohë pas kohe, Dhori kërkoi rrugë tjetër për t’u përgjigjur. Ai u dha pas përkthimeve nga gjuhët e huaja, nga gjuha angleze, franceze, ruse, arabe, duke përkthyer veprat më të mira dhe të njohura botërisht, të cilat në një farë mënyre, për problemet që trajtonin, ngjisnin edhe me gjendjen në Shqipëri në atë kohë. Për Dhorin mund të shkruhet shumë më tepër sidomos për krijimet e tij letrare, për përkthimet nga letërsia e huaj apo edhe për kërkimet e tij në histori, gjeologji dhe në shkencat e tjera.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet