Për ata që sytë dhe veshët i mbajnë mbyllur, kjo ndodhi 21 vjet më parë në Reçak

Në orët e hershme të mëngjesit të datës 15 janar 1999, ashtu siç ishte planifikuar në Beograd, fshati Reçak  u zgjua i rrethuar nga formacionet e policisë speciale, ushtarake dhe paraushtarake serbe të shoqëruar edhe me mjete të shumta.

Sipas dëshmitarëve që kanë mbijetuar krimin, aty rreth orës 6:30 minuta forcat serbe me artileri të rëndë kanë filluar të bombardojnë fshatin, prej vendeve të quajtura “Pishat“, “Gështenjat”, “Rrasa e Çallakut” dhe nga “Çesta” përmbi Reçak. Pas ndërprerjes së bombardimeve, forcat serbe janë futur në fshat dhe kanë filluar bastisjet shtëpi për shtëpi. Në këto momente mjaft të rënda, fshatarët janë përpjekur të largohen nga fshati apo të gjejnë një vendstrehim më të sigurt, por rrethimi i hekurt e ka bërë të pamundur një gjë të tillë.

Forcat policore serbe që ishin futur përmes rrugës kryesore të fshatit kishin arrestuar në oborrin e shtëpisë (afër xhamisë) Banush Azem Kamberin, ndërsa familja e tij pak kohë më herët kishte braktisur shtëpinë. Forcat kriminale, Banushin pasi e maltretojnë fizikisht e ekzekutojnë me rafale automatiku në oborrin e fqiut të tij Rashit Rashiti. Këta barbarë të mesjetës, nuk e lënë me kaq, pas ekzekutimit Banushit ia këpusin edhe kokën, e cila nuk është gjetur dot në vendin e krimit. Formacionet kriminale, në të cilat janë radhitur edhe serbët lokalë, në këtë operacion shfarosës nuk lanë vend në fshat pa kontrolluar, djegur e shkatërruar.

“Radio Evropa e Lirë”, ka realizuar vitin e kaluar një dokumentar me dëshmi rrëqethëse të të afërmve të viktimave, të cilët brenda dhimbjes së tyre janë të mllefosur për faktin se ende pas kaq vitesh nuk ka persona të dënuar.

Përkujtimi

Ndërkohë sot paradite në orën 10:30 Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, presidenti Ilir Meta dhe përfaqësues të tjerë të politikës, zhvilluan homazhe në Kompleksin Përkujtimor në Reçak. “Masakra e Reçakut ishte krim kundër njerëzimit dhe genocid. Serbia duhet të japë llogari. Drejtësia herët a vonë do të ngadhënjejë” tha Thaçi duke dënuar dhe heshtjen e ndërkombëtarëve. Çdo përpjekje për të mohuar këtë masakër, por edhe çdo masakër tjetër në këtë rajon është një rrezik për riciklimin e dhunës”, tha Meta. Ndërkohë në orën 11:00, Meta ishte i pranishëm në Akademinë Përkujtimore në nderim të të rënëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet