Pensionet për 2018-n, ndryshon mosha dhe llogaritja

Publikuar më 11. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Neritan Gjergo

Instituti i Sigurimeve Shoqërore publikon manualin e ri të pensioneve me  vitet e punës dhe moshën e daljes. Përfitimet nga sigurimet shoqërore sipas viteve dhe formula për secilin individ

Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka publikuar së fundmi manualin që përcakton përfitimet që lindin nga sigurimet shoqërore. ISSH-së mbështetet në Ligjin nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë“, të ndryshuar, VKM-ve, Udhëzimeve të Ministrisë së Financave dhe të ISSH-së, të cilat kanë dalë në zbatim të Ligjit të sigurimeve shoqërore, llogarit dhe jep përfitimet, të cilat sqarohen në manualin e fundit. Sipas institucionit, një grua, aktualisht duhet të jetë 60 vjeçe e 6 muaj, në mënyrë që të përmbushë kriteret e daljes në pension. Kjo pasi, sipas reformës parashikohet një rritje graduale e moshës dhe vjetërsisë në punë, çka lidhet direkt me masën e pensionit. Rritja e moshës prek vetëm gratë, të cilat përgjatë gjithë vitit 2018 do të dalin në pension pikërisht në moshën 60 vjeçe e 8 muaj dhe jo 60 vjeçe, që parashikohej në ligjin e vjetër.

Kjo pasi, me ndryshimet që iu bënë ligjit “Për sigurimet shoqërore”, parashikohet një rritje e moshës së daljes në pension me dy muaj në vit, duke u bërë 63 vjeç në vitin 2032. Më pas do të nisë rritja e moshës edhe për burrat, për të shkuar në 67 vjeç në vitin 2056, për të dyja gjinitë. Tabelat që boton “Shekulli” tregojnë për të dyja gjinitë, moshën e daljes sipas 3 kategorive të punës, sipas së cilës çdo individ mund të bëjë vetë llogaritë për vitet e punës dhe masën e pensionit që do t’i dalë. Por, ISSH referon se ndonëse burrat nuk preken menjëherë nga zgjatja e moshës së daljes në pension, ata ndikohen nga rritja e viteve të vjetërsisë në punë. Kjo do të thotë se, nëse një burrë, në dhjetor të vitit 2014 duhej të kishte 35 vite vjetërsi, nga data 1 janar 2018 duhet të ketë 36 vjet e 4 muaj. E njëjta logjikë vlen edhe për femrat.

Masa

Rritja graduale e vjetërsisë ndikon drejtpërdrejt në masën e pensionit të pleqërisë, duke qenë se është një prej përbërësve të formulës për përllogaritjen e tij. Sipas formulës së re, pensioni përbëhet nga një shumë bazë, që është e barabartë me pensionin social që është 7.065 lekë, shumëzim vitet e sigurimit që ka çdo person, pjesëtim vitet e vjetërsisë në punë. Në këtë pjesë të formulës kemi ndikimin në uljen e masës së pensionit, duke qenë se pjesëtimi do të bëhet me një numër më të madh. Për shembull, nëse kemi një person me 40 vite punë, për të përllogaritur pensionin bazë duhet të bëjmë këtë veprim: 7.065×40/36 = 7.850 lekë. Ndërkohë që vitin e kaluar, baza e pensionit me këto të dhëna do të ishte 7.665 lekë, pra rreth 185 lekë më e lartë.

Ndërkaq, pensioni përbëhet edhe nga një shtesë që është 1% shumëzim vitet e sigurimit shumëzim pagën mesatare. Paga mesatare përllogaritet në bazë të pagave bruto të deklaruara ndër vite, të cilat indeksohen me koeficientet përkatës, për t’i aktualizuar me tregun. Kjo bëhet duke i mbledhur pagat e deklaruara bruto (pas indeksimit) për çdo muaj dhe duke i pjesëtuar me numrin e muajve për të cilët janë derdhur këto paga. Pasi të kemi nxjerrë dhe vlerën e pagës mesatare, atëherë do të mund të përllogarisim dhe shtesën. Nëse supozojmë se kemi një person me 40 vite punë dhe me një pagë mesatare 45 mijë lekë, atëherë, në bazë të formulës kemi: 1% x 40 x 45.000 = 18.000 lekë. Në total ky person do të përfitojë: 7.850 + 18.000 = 25.850 lekë si pension pleqërie.

Pensioni i reduktuar

Masa e pensionit të reduktuar të pleqërisë është pjesë e pensionit të pleqërisë dhe mbetet i reduktuar gjatë gjithë kohës së përfitimit. Ky pension llogaritet duke zbritur nga pensioni i pleqërisë shumën që del nga shumëzimi i numrit të muajve të përfitimit të pensionit para mbushjes së moshës, me koeficientin mujor të reduktimit. Koeficienti i reduktimit është 0.6 % në muaj. Për shembull, në qoftë se një përfitues kërkon pension të reduktuar 20 muaj para mbushjes së moshës për pension të plotë pleqërie, nga pensioni i plotë mujor i llogaritur, që mund t’i caktohet 24.000 lekë, do t’i zbritet 12 % (që del nga prodhimi i 20 muajve që e ka përfituar më shpejt pensionin e pleqërisë me 0.6 %, që është koeficienti i miratuar).

Pensionet për 2018-n, ndryshon mosha dhe llogaritja by JolaAlimemaj on Scribd