Pensionet, formula e re e përfitimit

Publikuar më 30. 10. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Neritan Gjergo

Skema e re e pensioneve parashikon pagesa mujore shtesë për të moshuarit. Dy mundësi për të përfituar deri në 1800 lekë më shumë në  pragun e pensionimit dhe pas daljes në pension. Detajet dhe dokumentet për shtesat

Nëse mbushni moshën për pension dhe ju caktohet për të përfituar 16 mijë lekë, atëherë mund të merrni shtesë deri në 6 për qind, në qoftë se vijoni të paguani kontributet. Edhe nëse sot jeni pensionistët dhe filloni punë duke paguar kontribute, atëherë përsëri mund të përfitoni shtesë prej 6 për qind. Janë këto dy favorizimet e skemës së re të pensioneve, e cila parashikon që për të gjithë të moshuarit të marrin shtesë. Kjo do të thotë se një person i cili është në prag të daljes në pension dhe do përfitonte 18 mijë lekë në muaj, duke e shtyrë daljen në pension për 12 muaj, merr shtesë 6%, që do të thotë 1800 lekë më shumë. Për çdo muaj që shtyni daljen në pension, apo për çdo muaj që ndërprisni pensionin dhe ripaguani kontribute merrni 0.5% shtesë në pension.

 Ligji

“I siguruari, i cili ka plotësuar kushtet për pension pleqërie, merr shtesë në masën 0,5 për qind të pensionit për çdo muaj që shtyn datën e daljes në pension dhe vazhdon të paguajë kontribute”,  thuhet në ligjin për sigurimet shoqërore. “Përfituesi i pensionit të pleqërisë, që ndërpret pensionin, vazhdon të punojë dhe paguan kontribute, merr shtesë mbi pension në masën 0,5 për qind për çdo muaj ndërprerjeje. Kjo shtesë llogaritet mbi atë masë pensioni që rezulton pas rritjeve dhe indeksimit që ka pësuar pensioni gjatë kohës së ndërprerjes”, – theksohet më tej në ligjin për sigurimet shoqërore.

Dokumentet

Për të marrë shtesat në pension, ISSH ka sqaruar se nuk do të duhen më që pensionistët të sorollaten për të dorëzuar dokumentet. “Në funksion të lehtësimit të procedurave për qytetarët për tërheqjen e kërkesave dokumentare të për aplikim për shërbimet e ofruara nga sigurimet shoqërore, sqarojmë se mbështetur në VKM nr. 495, datë 13.09.2017 “Për miratimin e rregullave të përfitimit të shërbimeve publike elektronike”, Agjencitë Lokale të Sigurimeve Shoqërore, për të gjitha shërbimet që ofrojnë dhe pranojnë dokumentacion nga qytetarët, nuk do të kërkojnë prej tyre depozitimin e dokumenteve të mëposhtme: Të gjitha llojet e certifikatave që gjenerohen nga sistemi i gjendjes civile; dëshmi penaliteti; dokumente të cilat gjenerohen nga strukturat e sigurimeve shoqërore.

Në çdo rast, punonjësit, të cilët do të aksesojnë të dhënat, mund ta realizojnë këtë vetëm pasi të jenë pajisur me autorizim me shkrim nga ana e aplikuesit për këtë qëllim. Përpunimi i të dhënave të përfituara nëpërmjet aksesit të drejtpërdrejtë kryhet në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale. Dokumentacioni do të gjenerohet nga portali e-albania.al dhe nga ndërveprimi i bazës të të dhënave të sigurimeve shoqërore me institucionet e tjera shtetërore. Gjithashtu theksojmë se për sa i përket dokumenteve apo vërtetimeve për përdorim jashtë vendit, deri në një moment të dytë, kërkesa për këto dokumente do të vazhdojë të kryhet nëpërmjet Postës Shqiptare sha, drejtuar Institutit të Sigurimeve Shoqërore”,  thotë Instituti i Sigurimeve Shoqërore.

Të favorizuarit në 2018-n

Edhe pse projektbuxheti i vitit 2018 nuk parashikon rritje pagash apo pensionesh, sikundër projeksioni afatmesëm 2017-2019,  Ministria e Financave dhe e Ekonomisë thotë se do të ketë kategori të caktuara punonjësish do të përfitojnë shtesë. Në projektbuxhetin e vitit 2018 fondi në total për rritjen e pagave dhe pensioneve llogaritet 2.8 miliard lekë, ndër të cilat 1 miliard për politikat e reja të pagave dhe 1.8 miliard për pensionet. Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Gelardina Prodani tha se niveli i rritjes dhe sektorët prioritarë do të përcaktohen përmes një vendimit të veçantë të Këshillit të Ministrave në përputhje me prioritetet e programit të saj. Nga 1 marsi i këtij viti qeveria vendosi rritjen mesatarisht me 10 % të pagave për punonjësit e administratës publike, disa institucioneve të pavarura, sistemit arsimor e shëndetësor si dhe atyre në varësi të Prefektit. Fondi për rritjen e pagave dhe pensioneve ishte 100 milionë dollarë që përbënte edhe vlerën më të lartë të fondeve të parashikuara për rritje pagash e pensionesh brenda një buxheti në 25 vite.

Projektbuxheti

Gjatë vitit 2018 nuk parashikohet ndryshim i pagave të administratës apo të pensioneve. Sipas shifrave paraprake të tabelës së shpenzimeve buxhetore, që shoqërojnë draftin e projektbuxhetit të vitit të ardhshëm, qeveria planifikon në të kundërt, rritje të pagesës për papunësinë.   Konkretisht, për politika të reja pagash vihet re një ulje fondi prej 82 përqindësh më 2018 krahasuar me këtë vit, pikërisht për faktin se vitin e ardhshëm nuk parashikohen ndryshime thelbësore. Po kështu, për politika të reja pensionesh janë planifikuar për vitin e ardhshëm 30 për qind më pak fonde se fondi i sivjetmë.

Madje, edhe me parashikimin që ishte bërë një vit më parë për shifrat e buxhetit 2018, kemi një ulje të ndjeshme: nga 3.12 miliardë lekë, në draftin e projektbuxhetit caktohen vetëm 1.82 miliardë lekë, ose 40 për qind më pak. Ndërkohë, ndërsa kohët e fundit punësimi ka shënuar rritje, të paktën në shifrat zyrtare, pagesa e papunësisë parashikohet me rritje jo të vogël: 33.3 për qind. Kjo le të kuptohet se një numër të punësuarish mendohet të humbasin punën, si rezultat i reformave institucionale nëpër dikastere, apo edhe nga avancimi drejt fundit i investimeve në fushën e energjetikës.

200 mijë punonjës me sigurime të papaguara

Përkundër individëve, të cilët kanë punuar në sektorë privatë apo në shtet, dhe kontributet e tyre janë paguar rregullisht, në vendin tonë ka dhe një anë të errët për mënyrën se si bëhen pagesat e punonjësve.  Dhe nga regjistri i Tatimeve figurojnë jo pak, por 200 mijë punonjës, të cilëve nuk u paguhen sigurimet shoqërore. Drejtoria e Tatimeve ka publikuar së fundmi një listë me 63 institucione dhe ente publike, më së shumti bashki dhe 20 ndërmarrje ujësjellësi, të cilat nuk kanë paguar detyrimet e sigurimeve shoqërore. Deri në fund të vitit 2016 janë akumuluar 14 miliardë lekë borxhe ndaj arkës së sigurimeve. Kjo shumë ishte sa 10% e borxhit tatimor të njohur gjatë vitit të kaluar.

Megjithëse tatimet kanë marrë masa për arkëtimin me forcë të detyrimeve tatimore të prapambetura, mbledhja e tyre nuk e zgjidh problematikën personale që kanë punonjësit me vitet e “vjedhura” të punës. Ekspertët në Institutin e Sigurimeve Shoqërore pohojnë se mospagesa e sigurimeve ka qenë një fenomen i përhapur edhe për entet shtetërore, por ISSH vetëm sa administron fondin e pensioneve dhe nuk ka tagër ligjor për t’i dhënë fund kësaj situate dhe as ta riparojë atë. Thjesht Instituti i Sigurimeve nuk mund të azhurnojë pension të plotë nëse sigurimet nuk janë paguar. Për të qenë pjesë e lehtësimit të procesit, ISSH-ja ka ndikuar në miratimin e një VKM-je që autorizonte entet shtetërore të paguajnë sigurimet e plota për punonjësit më të vjetër që më parë nuk i kishin paguar kuotat. Mirëpo edhe kjo masë nuk ka funksionuar.

Ndërmarrjet e ujësjellësit, njësitë e pushtetit vendor, ndërmarrje komunale në varësi të pushtetit vendor, drejtoritë rajonale arsimore dhe ato të Shëndetit Publik nuk janë korrekte në pagesën e sigurimeve. Sipas të dhënave nga tatimet janë rreth 200 mijë persona në të gjithë vendin, një pjesë e të cilëve edhe në sektorin publik me sigurime të papaguara. Sipas të dhënave të fondit të pensioneve, një shifër e ngjashme të prekurish u zbulua edhe në vitin 2014, ku rreth 250 mijë persona ishin përfshirë nga mospagesa e sigurimeve, kryesisht nga institucionet publike. Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë në atë kohë, ndërmori një audit për të zbuluar borxhet e prapambetura ndaj arkës së sigurimeve, ku gjeti 9 miliardë lekë detyrime të papaguara. Që nga viti 2014 kur u ndërmor edhe një amnisti ndaj kamatave dhe gjobave, kundrejt pagesës së principalit, duket se situata nuk ka ndryshuar, madje është përkeqësuar. Vetëm në tre muajt e fundit të vitit 2016 janë shënuar 34 mijë raste të reja që kanë krijuar borxhe. Ligji për Procedurat Tatimore thotë se punëdhënësi ka detyrim ligjor përllogaritjen, deklarimin dhe pagesën e kontributeve, sipas afateve të përcaktuara në ligj.

Plakja e popullsisë, kërkohen fonde shtesë

Plakja e popullsisë po rrit me shpejtësi numrin e pensionistëve në vend e për pasojë, nevojën për fonde shtesë ndaj arkës së pensioneve. Të dhënat nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore tregojnë se për vitin 2016, numri i personave në pension arriti në 611 544 persona, me një shtesë prej mbi 12 600 pensionistësh nga 2015-a. Për pasojë, shpenzimet ndaj përfituesve u rritën me 4.5 miliardë lekë vitin e kaluar, ose rreth 32 milionë euro. Në harkun kohor të gjashtë viteve, numri i pensionistëve u rrit me 12,6% ose 68,491 persona. Në vitin 2010, statistikat zyrtare të ISSH-së raportonin 543 053 pensionistë, ndërsa në fund të vitit 2016, u raportuan 611,544 të tillë. Sipas të dhënave që i përkasin harkut kohor 2010-2016, ritmet e rritjes së numrit të pensionistëve u zgjeruan pas 2012-s. Në dy vitet e mëparshme, numri i tyre është rritur me pak më shumë se 5 mijë persona, por në vitin 2013, në skemë janë shtuar mbi 16 mijë pensionistë, më 2015 mbi 15 mijë pensionistë.

Ritmet janë ulur dy vitet e fundit, për shkak të reformës së re në pensione, që zgjati moshën e daljes në pension me 6 muaj në vit për gratë. Për pasojë, shpenzimet për arkën e pensioneve janë rritur dukshëm. Në vitin 2010, sipas të dhënave të ISSH-së, shpenzimet për pagesat e pensioneve ishin 63.7 miliardë lekë, ndërsa në fund të vitit 2016, këto pagesa arritën në 90.5 miliardë lekë, me një rritje 42%. Shpenzimet për pensione për vitin 2016 shënuan rritje vjetore me 5,6%. Në fillim të vitit 2017, popullsia e vendit, sipas INSTAT, ishte 2,876,591 persona, ndërsa numri i pensionistëve në këtë vit, sipas ISSH, ishte 611,544. Për rrjedhojë, të moshuarit në moshë pensioni, përbënin 24% të popullsisë së vendit. Numri i pensioneve është në rritje vit pas viti me një shtesë prej rreth 16 mijë pensionistësh deri në vitin 2014 dhe me një rënie të lehtë në këto dy vitet e fundit, si rezultat i rritjes së moshës së daljes në pension për gratë.