Pejiç dhe Ekuban, në dilemë e ardhmen

Publikuar më 01. 06. 2017 nga Jola Alimemaj

Pero Pejiç dhe Khaleb Ekuban ishin protagonistët kryesorë në këtë kampionat me skuadrat e tyre respektive. Kroati Pejiç u shpall golashënuesi më i mirë i kampionatit me 28 gola. Nga ana tjetër Ekuban shënoi 17 gola dhe asnjë me penallti. Pero Pejiç e ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës në kampionatin Shqiptar duke qenë edhe golashënuesi më i mirë në histori. Kroati është në përfundim të karrierës dhe nuk ka më ambicie për të qëndruar në Superligë pasi ka arritur çdo objektiv. Nga ana tjetër Italo-Ganezi Ekuban është në fillimin e karrierës dhe që tani ai është cilësuar si një nga të huajt më të mirë që kanë luajtur në Kategorinë Superiore.

Partizani i ka kërkuar Chievos, e cila zotëron kartonin e lojtarit, që të zgjasë huazimin por situata është delikate. Sulmuesi është në vitin e fundit të kontratës me klubin italian e cila pretendon të rinovojë me lojtarin edhe për tre vitet e ardhshme dhe më pas ta japë sërish me huazim. Ditët e fundit ka patur dy oferta për sulmuesin por që janë refuzuar. Slovan Bratislava është e interesuar për Ekuban i cili e ka refuzuar pasi nuk është i kënaqur me kushtet ekonomike. Një ofertë tjetër ka mbërritur në adresë të sulmuesit kësaj radhe nga Egjipti me një pagë shumë të mirë por lojtari nuk preferon atë kampionat pasi pretendon për diçka më shumë.

Për Kroatin, Pero Pejiç te skuadra e Kukësit e kanë vlerësuar tej mase pasi është kryegolashënuesi i skuadrës dhe i gjithë kampionatit. Ai ka arritur në kuotën e 28 golave sezonalë, duke shënuar më shumë se gjysma e golave total të skuadrës  e cila ka shënuar 51. Mosha e vjetër e tij  nuk premton për të ardhmen por shqetësimi tjetër për klubin veri-lindor është edhe paga që kroati përfiton. Në sezonin që lamë pas ai fitoi plot 80 mijë euro nga akordi me presidentin Gjici. Lojtarit i mbaron kontrata në fund të këtij sezoni por para se të vendosë për të ardhmen i duhet të paraqitet në ndeshjet eliminatore të Championsit. Kukësi është hedhur në sulm për të siguruar 2 sulmues në tregun e huaj çka të bën të mendosh se Pejiç nuk është pjesë e planeve të skuadrës për sezonin e ardhshëm.