Pedagogët: Të shkarkohet bordi, ose hyjmë në grevë!

Forumi për Liritë Akademike dhe Autonominë Universitare kërkon dorëheqjen e Bordit të Administrimit, ndërsa Ministrisë i kërkohet të shkarkojë anëtarët që janë në varësi të saj. Pas vonesës 10 ditore të rrogave, kërkohet rishikimi i ligjit të arsimit të lartë dhe nisja e një debati për standardet e mësimdhënies

Forumi për Liritë Akademike dhe Autonominë Universitare ka dalë me një deklaratë në përfundim të takimit të të hënës ku kërkon dorëheqjen e Bordit të Administrimit, ndërsa Ministrisë i kërkohet të shkarkojë anëtarët që janë në varësi të saj. Pas problematikës së fundit kur pedagogëve iu vonuan rrogat më shumë se 10 ditë, Forumi kërkon rishikimn e ligjit të arsimit të lartë dhe nisjen e një debati brendauniversitar në lidhje me standardet e mësimdhënies. Sipas pedagogëve, nëse Ministria e Arsimit dhe Kryeministri nuk reagojnë për kërkesat e tyre, brenda dhjetë ditësh ata do të përshkallëzojnë protestën.

Forumi për Liritë Akademike dhe Autonominë Universitare, organizoi më 12 shkurt 2018, në orën 10, një takim me pedagogë të Universitetit të Tiranës, në godinën Liria, pranë qytetit Stdudenti, për të diskutuar në lidhje me gjendjen e rëndë të krijuar në Universitetin e Tiranës. Në takim morën pjesë 123 pedagogë nga Fakulteti i Drejtësisë, Fakulteti i Shkencave Sociale, Fakulteti i Shencave të Natyrës, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja dhe Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë. Pedagogët pjesëmarrës, me diskutimet e tyre, bënë një analizë të gjendjes së rëndë të krijuar në Universitetin e Tiranës i cili është zhytur në një krizë të thellë që rrezikon të përkeqësohet më tej nëse profesorati, studentët, autoritetet drejtuese dhe institucionet qeveritare nuk ndërhyjnë në mënyrë emergjente për përballimin e problemeve të krijuara.

Pas debatit të zhvilluar në këtë takim u konkludua se:

  1. Vonesa e pagave të pedagogëve edhe pse mjaft problematike dhe shqetësuese për mënyrën sesi u trajtuan profesorati dhe personeli ndihmës i UT-së, nuk është shqetësimi themelor i UT-së; shqetësim themelor i UT-së është bllokimi total insitucional i UT-së.
  2. Ky bllokim është pasojë e ligjit për arsimin e lartë, i cili krijon dy strukutura pararalele në UT që pengojnë njëra-tjetrën, Bordin e Administrimit dhe administratorët nga njëra anë, rektorin dhe autoritetet e zgjedhura akademike nga ana tjetër. Bordi i adminstrimit dhe administratorët me prirjen për të vendosur një sundim administrativ mbi universitet u kundërvihen dhe bllokojnë qëllimisht organet e zgjedhura nga trupa akademike dhe studentët.
  3. Bordi i adminstrimit dhe admistratori janë përgjegjësit kryesorë për gjendjen e krijuar pasi ata kanë dështuar në menaxhimin financiar të UT-së.
  4. Qeveria është përgjegjëse për mosnxjerrjen e akteve nënligjore, për rastin në fjalë, gjë që ka shkaktuar edhe një pjesë të shqetësimeve aktuale.
  5. Rektorati, senati, dekanatet e deri në nivel të përgjegjësve të departamenteve janë përgjegjës për mosreagimin, për mosushtrimin e autoritetit që u cakton ligji si dhe për mosinformimin e gjithë trupës së pedagogëve dhe studentëve për gjendjen e krijuar.
  6. Qeveria merr përsipër financimin e buxhetit të pagave vetëm për 9 muaj dhe për të mbuluar këtë boshllëk, 3 muaj merren nga të ardhurat e taksave të studentëve, në vend që këto taksa të përdoreshin për investime, për përmirësimin e shërbimeve ndaj studentëve, rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe kërkimit shkencor. Kjo është një shkelje e hapur e Kushtetutës e cila garanton mbështetjen financiare të plotë të universiteteve publike nga ana e institucioneve.
  7. Pedagogët e pranishëm në takim u shprehën se edhe zgjidhja e bërë nga Bordi i Administrimit duke e tejkaluar përkohësisht problemin e pagave përmes pjesës së buxhetit të brendshëm nga taksa studentore është e papranueshme, pasi taksat e studentëve duhet të përdoren në funksion të përmirësimit të kushteve të studentëve (siç u shprehëm në pikën më lart), të cilësisë së mësimdhënies dhe të kërkimit shkencor dhe jo për pagat e pedagogëve.

Nisur nga këto probleme të diskutuara, të analizuara dhe të pranuara nga të gjithë kolegët e pranishëm, Forumi vendosi:

  1. Të kërkojë dorëheqjen e Bordit të Administrimit dhe administratorit të UT-së dhe t’i kërkojë Ministres së Arsimit të shkarkojë anëtarët e bordit në varësi të saj.
  2. Të kërkojë rishikimin e mundësisë për amendimin e disa prej neneve problematike të ligjit për arsimin e lartë ose përmirësimin e ligjit përmes akteve nënligjore. Forumi mendon se në aktet e fundit nënligjore pati një rregullim të tillë, që mund të përdoret si model për aktet e tjera nënligjore.
  3. Të kërkojë rritjen e financimit të Universitetit në tërësi, përmirësimin e kushteve financiare të pedagogut dhe kushteve të jetës studentore. Duke patur parasysh kapacitetin financiar të shtetit shqiptar pedagogët kërkojnë që si referencë të trajtimit financiar të merren vende me status ekonomik si ai i vendit tonë, ose më të ulët (Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi).
  4. Të kërkojë transparencë për korpusin universitar në kushtet kur UT-ja ka mungesë në infrastrukturë.
  5. Inicimin e një debati brendauniversitar, të hapur për profesoratin, studentët dhe publikun, në lidhje me standardet profesionale të mësimdhënies, të kurrikulave, në lidhje me kushtet e studentëve, gjithashtu në lidhje me vizionin për një universitet bashkëkohor, që do të forconte rolin e UT-së në sistemin e dijes e sigurisht në shoqëri.
  6. Nisjen e negociatave me Ministrinë e Arsimit, Kryeministrinë, Komisionin parlamentar të Medias dhe Edukimit për adresimin dhe zgjidhjen e problemeve të universitetit. Për këtë arsye forumi ka konstituuar një grup përfaqësimi prej 15 vetësh, i cili do të kontaktojë me autoritetet drejtuese të universitetit dhe do të diskutojë për gjetjen e zgjidhjeve për të dalë nga kjo situatë.
  7. Nëse Ministria, Kryeministria dhe institucionet e tjera nuk do t’i përgjigjen kërkesës sonë për negocim, dhe nuk do të reagojnë ndaj shqetësimeve tona, ne rezervojmë të drejtën që brenda dhjetë ditësh të përshkallëzojmë reagimet tona deri në grevë të përgjithshme.

Mynyr Koni: Bordi i Administrimit ka uzurpuar detyra që nuk i takojnë dhe në kundërshtim me ligjin

Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, rektori i Universitetit të Tiranës Mynyr Koni, ka treguar sesi funksionon ky bord, por edhe pakënaqësinë në mënyrën sesi e ka ushtruar detyrën e tij përgjatë kësaj kohë. Gjithashtu, Koni theksoi se është informuar me vonesë për situatën e pagave, duke e cilësuar anormale për universitetin, por tregon se bordi ka kryer edhe veprime të tjera kundër ligjit, si dhe presionet e ushtruara ndaj punonjësve të rektoratit.

Z. Koni si e komentoni gjithë situatën e ndodhur në Universitetin e Tiranës, pakënaqësinë e pedagogëve ndaj Bordit të Administrimit?

Kalimi i pagave për të gjithë pedagogët dhe punonjësit e Universitetit të Tiranës ditën e djeshme, tregoi dhe njëherë të drejtën time në deklaratën e ditës së shtunë, që kjo ka qenë paaftësi e drejtpërdrejtë e administratorit dhe Bordit të Administrimit. Nëse ka pasur një situatë teknike nga ana e Ministrisë së Arsimit për mungesën ose mospërgatitjen e një akti nënligjor, kjo nuk do të thotë që administratorët dhe bordi, që kanë përgjegjësi mbi veprimtarinë financiarë, të rrinë në heshtje, por duhet të vepronin, siç vepruan dje duke i kaluar pagat në të ardhurat e institucionit përkatës. Kjo situatë nuk kishte arsye të agravonte, për arsye se Administratori dhe BA kanë pasur informacionin e duhur, ndërsa unë si rektor nuk kam pasur asnjë lloj informacioni, siç e kam deklaruar.

Pse nuk ju ka njoftuar në kohë Bordi i Administrimit për problemin pagave, mendoni se ishte veprim i qëllimshëm?

Ditën e premte me dt.09.02.2018, këtë shqetësim e kam marr nga kolegët që më kanë shkruar me email për problemin e pagave. Në lidhje me këtë situatë menjëherë unë kam kërkuar sqarim nga administratori, i cili nuk më ka dhënë asnjë lloj sqarimi me email apo me shkrim. Në këto kushte, pasi kam komunikuar me autoritetet e Ministrisë së Arsimit, kam njoftuar të gjithë kolegët me email, se arsyeja e vonesës së pagave në të gjithë IAL është përgatitja e një akti nënligjor që pritet të miratohet të hënën deri në mesin e javës. Atëherë me analizën përkatëse kam gjykuar se Universiteti i Tiranës ka të ardhura të trashëguara nga viti 2017 dhe BA në zbatim të kompetencave ligjore duhet të kishte bërë çelje të fondit të pagave nga të ardhurat, të paktën për muajin janar dhe administrati duhet të kishte vepruar.

Gjatë takimit që organizuan pedagogët për problematikat që po kalon Universiteti, kanë gjykuar se rektorit i mungojnë kompetencat e duhura për të vepruar. Kanë të drejtë sipas jush?

Unë sapo të thashë që Administratori i institucionit në lidhje me këtë situatë nuk më ka njoftuar, por është një veprim jo korrekt në institucion.

Si është i ndarë Bordi i Administrimit dhe cilat janë kompetencat e tij?

Senati Akademik  është organi kolegjial, përgjegjës për përmbushjen e misionit të institucionit të arsimit të lartë, ndërsa Bordi i Administrimit është organi, i cili garanton përmbushjen e misionit të institucionit të Arsimit të Lartë. Administratori duhet të plotësojë nevojat që ka Rektori për realizimin e misionit të Universitetit. Në këto kushte kur lind një problematikë të gjithë jemi pjesë për zgjidhjen e saj, secili sipas kompetencave te ligjit jep kontributin për zgjidhjen e problemit. Në këtë rast, për problemin e pagave, nuk kam pasur informacion nga strukturat përkatëse dhe kjo gjë nuk është normale. Sipas meje një situatë e caktuar ku ka pasur probleme si ai që përmenda më sipër, bordi duhej të mblidhej të analizonte këtë situatë, të bënte çeljen e fondeve nga të ardhurat për pagesën e pedagogëve. Kompetencat e tij janë administrimi financiar.

Pse mendoni se nuk ju ka informuar, cila ka qenë arsyeja sipas jush?

Duhet të pyesni administratorin. Në momentin kur lind një problem ai duhet të më informojë.

A mendoni se kanë të drejtë pedagogët që kërkojnë shkarkimin e këtij bordi?

Është e drejta e pedagogëve që të shprehin çdo lloj konsideratë dhe mendimet e tyre në lidhje me shqetësimet që mund t’ju kenë krijuar.

A mendoni se janë mohuar kompetencat që ka rektori i Universitetit të Tiranës?

Problemet që kanë qenë në vijueshmëri, kanë qenë probleme të bllokimit institucional të shkaktuara nga struktura e ish kancelarit dhe administratorit, e cila administrohet nga Bordi i Administrimit. Ka një periudhë për afro një vit që me veprimet dhe mosveprimet e administratorit, të suportuara nga BA, ushtrohet një presion ndaj punonjësve të rektoratit. Që nga muaji Mars 2017 në mënyrë të përsëritur Kancelari i UT, si nëpunës autorizues, ka vonuar 10 deri 15 ditë vonesën e pagave; rreth tetë punonjës nuk janë paguar prej tetë muaj; Zyra e Burimeve Njerëzore është bllokuar në mënyrë brutale nga administratori, duke shkaktuar një problematikë në funksionimin e institucionit; me urdhër verbal të administratorit shoqëria e ruajtjes fizike nuk lejon punonjës të futen ne Rektorat; punonjës që i janë ndërprere marrëdhëniet e punës nga Rektori vazhdojnë të paguhen nga administratori. Administratori, ka nënshkruar kontrata të punës me punonjës ndihmës-akademik, duke uzurpuar detyra që nuk i takojnë, nuk plotëson nevojat e rektorit për probleme të punës në universitet etj.

Të tjera

Abissnet