Pedagogët drejt grevës për pagat

Publikuar më 12. 02. 2018 nga Jola Alimemaj

Nga Lindita Bushgjokaj

UNIVERSITETI/ Vonesa 10 ditore, Mark Marku njofton vendimin që do të merret sot

Dekani Sabri Laçi: Hartuesit e Ligjit të Arsimit të Lartë hoqën dorë nga përgjegjësia financiare

Pas 10 ditëve vonesë të marrjes së pagave për qindra pedagogë në Universitetin e Tiranës, faji kryesor u vihet autoriteteve shtetërore  që haruan Ligjin e ri Për Arsimin e Lartë, duke cenuar autonominë financiare dhe financimin e universiteteve dh duke favorizuar privatët. Prof. Mark Marku, në një intervistë për gazetën “Shekulli”, tha se pedagogët do të diskutojnë për grevë, pasi vonesat e rrogës janë të lidhura me problemet që krijon Ligji i ri për Arsimin e Lartë. Ai theksoi se ligji jo vetëm që nuk po bën rregullime, por mbetet i paqartë edhe për qeverinë që e ka krijuar dhe praktikisht kjo ka sjellë amulli në universitet.

“Forumi për lirinë akademikë dhe autonominë universitare, e ka shpalosur shqetësimin pedagogëve dhe të hënën do të bëjmë një takim, rreth orës 10 ku do të diskutojmë për versionin e grevës. Problemi qëndron me ligjin e ri që është krijuar. Nuk është vetëm problemi i pagave, sepse me ligjin e ri janë ndarë strukturat menaxhuese nga strukturat akademike, që në thelb nuk është gjë e keqe, por strukturat menaxhuese kanë bllokuar universitetin. Nga ana tjetër është paaftësia, problemet e ligjit, qeveria nuk ka reaguar në kohë dhe është krijuar një situatë amullie në universitet dhe praktikisht nuk po funksionon asgjë. Duhet të ishte vkm në mbështetje të ligjit, i cili do të bënte rregullimet. Nuk ka dalë, sepse vetë qeveria nuk e ka të qartë se çfarë duhet të bëjë me ligjin e vet. Është e sigurtë se institucionet zbatuese të ligjit, brenda dhe jashtë universitetit nuk kanë funksionuar dhe kjo ka sjellë bllokimin e situatës”, tha Marku.

Dekani Sabri Laçi            

Dekani i fakultetit të Histori-Filologjisë, z.Sabri Laçi tha, se kjo situatë ka marrë përmasa të mëdha dhe se do jetë në mbështetje të pedagogëve për takime intensive, deri në ndërgjegjësim të institucioneve jashtë universitare për ngërçin social-ekonomik të krijuar prej 10 ditësh. “Sigurisht që është një shqetësim i madh. Nuk mund të ndodhë që pedagogët të lihen pa paga për 10 ditë. Duke qenë se gjithsecili prej nesh jeton në sajë të pagës, të gjithë pedagogët janë të shqetësuar. Do të organizohen veprimtari që do të ndërgjegjësojnë të gjithë opinionin akademik dhe jashtë institucioneve universitare, për një çështje që është me ndjeshmëri të lartë sociale dhe ekonomike”. Laçi theksoi, se zgjidhja e ofruar nga Ministria e Arsimit nuk justifikon krijimin e problemit.

Ndër të tjera foli edhe për pagat e ulëta që kanë pedagogët në universitetet shqiptare, duke i cilësuar paga diskriminuese krahasuar me pagat që marrin pedagogët në vendet e rajonit dhe më gjerë. “Institucioni është i shqetësuar dhe do të reagojë për të korrigjuar defektet e punës që kanë ardhur për faj të administrimit. Nga Ministria e Arsimit është ofruar zgjidhja, por kjo nuk justifikon krijimin e problemit, sepse ai duhej të mos ishte krijuar. Ka ndryshime në administrimin e buxhetit të universitetit, ka një strukturë që do të merret me rregullimin dhe shpërndarjen e buxhetit nëpër universitete, duhet të ishte krijuar me kohë, pa pritur deri në krijimin e problemit.

Kemi vite që bëjmë luftë për autonominë në universitet dhe gjykojmë se Ligji për Arsimin e Lartë e ka cunguar autonominë universitare. Pagat janë diskriminuese, krahasuar me pagat që ka profesorati në universitetet e vendeve fqinje. Kjo do të thotë, që janë pothuajse sa gjysma e pagave që ka një staf akademik me titullin profesor në universitetin e Prishtinës. Mjafton kaq, për të thënë sesa të ulëta janë pagat në Universitetin e Tiranës dhe universitetet e Shqipërisë. Rroga e një pedagogu, duhet të jetë më e lartë se rroga e një deputeti. Profesori duhet të jetë i përkushtuar në punën e tij dhe të mos lërë profesionin e profesorit në universitet për t’u bërë deputet”, tha Laçi.

Sa duhet të jetë paga e një pedagogu?

Nuk mund të jepet një përgjigje e shpejtë dhe e shkurtër për këtë pyetje. Çdo shtet ka një hierarki të pagave. Do të ishte e drejtë dhe në dinjitetin e qeverisë shqiptare nëse pagat e profesorëve të universitetit do të ishin në lartësinë e detyrës së tyre, të kualifikimit dhe të kontributeve që ata kanë për shoqërinë shqiptare. Në gjykimin tim, paga duhet të jetë e tillë që t’i motivojë profesorët e universiteteve shqiptare që t’i dedikohen me përkushtimin maksimal punës së tyre, duke hequr dorë nga angazhime plotësuese, herë-herë edhe jashtë profesionit. Një profesori me pagë dinjitoze nuk do të duhej t’i shkonte mendja kurrë të linte profesionin për të cilin ka investuar gjatë shumë viteve të jetës së tij, për t’u përfshirë, fjala vjen, në listat e deputetëve (me gjithë respektin për ta), që hartojnë kryetarët e forcave politike, sa herë që ka zgjedhje. Çështja e pagave është një nga shqetësimet e mëdha të profesoratit. Debati që sapo ka nisur, pritet të përfshijë edhe artikulimin e kërkesave serioze dhe të argumentuara për rritjen e pagave.

Mynyr Koni: Ministria e Arsimit të paguajë sot!

Rekori i universitetit të Tiranës Mynyr Koni, ka reaguar me anë të një statusi në facebook për vonesat e rrogave të pedagogëve. Ai e ka konsideruar të paprecedentë veprimin e autoriteteve përgjegjëse, ndërsa nga pritja e një akti nënligjor është bllokuar transferta e pagave për Institucionet e Arsimit të Lartë. Ai, përmes këtij statusi i bën thirrje në emër të gjithë punonjësve të Universitetit të Tiranës, Bordit të Administrimit, që të bëhet pagesa e punonjësve për muajin ditën e hënë. “Të nderuar kolegë dhe punonjës të Universitetit të Tiranës. Jam shumë i shqetësuar në lidhje me mospagesën për punën tuaj të kryer për muajin Janar 2018.

Ky është një veprim i paprecedentë nga autoritetet përgjegjëse të ngarkuara me ligj, Bordi i Administrimit dhe Administratori i Universitetit. Në pritje të daljes së një akti nënligjor është bllokuar transferta e pakushtëzuar për Institucionet e Arsimit të Lartë publik. Në këto kushte Bordi i Administrimit duhet të kishte çelur fondin për pagat nga të ardhurat e institucionit. Kështu që në Universitetin e Tiranës, të ardhurat e trashëguara nga viti 2017 janë të mjaftueshme për çeljen e fondeve të pagave për personelin e Universitetit të Tiranës. Bordi i Administrimit të UT si dhe Administratori i UT nuk kanë vepruar në çeljen e fondit të pagave nga të ardhurat, të paktën për muajin Janar.

Kjo ka bërë të mundur që punonjësit e UT të mos kenë marrë pagat. Ky veprim i BA dhe Administratorit vjen si pasojë e paaftësisë apo mosveprimi i tyre ka të bëjë me trysninë ndaj stafit akademik dhe joakademik të UT, ashtu siç po veprohet me një pjesë të stafit të Rektoratit të UT të cilët nuk kanë marrë pagat për afro 8 muaj. Në emër të gjithë punonjësve të UT i bëj thirrje Bordit të Administrimit dhe Administratorit të çelin fondin e pagave të muajit Janar nga të ardhurat dhe të bëhet pagesa e punonjësve brenda ditës së hënë, datë 12.02.2018.”-shkruan Koni.

Aljula Jubani: Kjo situatë lidhet me impaktin që do ketë skema e re e financimit

Aljula Jubani, pedagoge në Universitetin e Tiranës, tha në një intervistë për gazetën “Shekulli”, se teksa të gjithë kanë rënë në grackën e një date, kanë harruar se kjo situatë lidhet me impaktin që do ketë skema e re e financimit. Gjithashtu shpreh shqetësimin se në cilin vend do të renditet Universiteti i Tiranës me skemën e re, duke iu referuar akreditimit të tij. Ndërsa thekson, se kjo situatë cenon dinjitetin e secilit prej institucioneve tona.

Prof. Jubani, sa ditë ka që ju vonohet rroga?

Zakonisht paga merret në fillim të muajit. Ditën e premte, në datën 9, rektori, pasi u vu në dijeni për këtë situatë, u informua dhe na sqaroi se vendimi i Këshillit të Ministrave pritet të dalë në mes të javës në vijim. Duket se të gjithë kemi rënë në grackën e datës, por drama është shumë më e madhe. Çdo VKM që lidhet me Arsimin e Lartë është përcjellë më parë për mendim. Pse kësaj radhe jo?! Cila do të jetë skema e financimit?!

Pse u krijua ky ngërç?

Kjo është një situatë që duhet të rëndojë në ndërgjegjen e politikëbërësve, si në parlament, në qeveri dhe në universitete. Askush nuk duhet të çuditet kur drejtuesit fshihen pas gjëmës së ligjit dhe asgjë më shumë. Nuk kemi pse të çuditemi kur fajësohen administratorët. Ne e dimë se ç’kompetenca u jep ligji atyre. U gjet zgjidhja! Administratorët të kishin marrë masa e të paguanin stafet nga të ardhurat…. pse jo?! Këtu qëndron edhe thelbi asaj që s’artikulohet askund. Këtu nis edhe zbatimi i reformës financiare. Studentët të paguajnë taksa, që profesorët të marrin pagat nga paratë e tyre.

Çfarë po ndodh realisht?

E kemi kundërshtuar miratimin e këtij ligji, edhe kur thoshin se nuk dimë të lexojmë dhe sot jemi në këtë situatë absurde. Askush nuk mund të besojë se kjo vonesë lidhet me harresë dhe neglizhencë, por me impaktin e madh negativ që do të ketë zbatimi i skemës së re të financimit, që, në fakt, sipas nenit 139, të Dispozitave kalimtare, duhej të kishte filluar që në vitin 2016. Mjafton të hapësh ligjin e ta lexosh për ta kuptuar këtë. Neni 110,  Shpërndarja e fondeve nga Buxheti i Shtetit 1. Fondet nga Buxheti i Shtetit shpërndahen në formë granti, sipas kategorive të mëposhtme: a) granti i politikave të zhvillimit për institucionet publike të arsimit të lartë; b) granti i mësimdhënies; c) granti i punës kërkimore-shkencore dhe veprimtarive krijuese. 2. Këshilli i Ministrave miraton me vendim modelin e financimit të buxhetit për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor. 3. Zbatimi i skemës së financimit, sipas këtij ligji, për institucionet publike të arsimit të lartë, kryhet sipas udhëzimit të përbashkët të Ministrit të Financave dhe ministrit përgjegjës për arsimin.

Çfarë problemesh do të shkaktojë zbatimi i Ligjit?

Problematikat janë të shumta. Mbi ç’bazë do të bëhet ky financim, nëse, p.sh. neni 111 i Ligjit parashikon që Fondi për mbështetjen e institucionit dhe infrastrukturës akademike shpërndahet mbi bazën e renditjes së institucioneve publike të arsimit të lartë, të kryer nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor. Cila është renditja e bërë? Ku ndodhet Universiteti i Tiranës në këtë renditje? Sa janë të informuara stafet akademike në lidhje me këtë? A do të ndikojë rezultati i akreditimit në këtë skemë financimi? Janë pa fund çështjet që mund të ngrihen e që duhet të diskutohen dhe askush nuk do të donte të ishte në vendin e atyre që sot kanë tagrin e vendmimmarrjes. Megjithatë, askush nuk mund të pranojë a të justifikojë këtë mungesë informacioni, as edhe më optimistët e kësaj reforme universitare.

A keni menduar të bëni diçka?

Si mund të reagohet pa sqaruar se çfarë po ndodh?! Intelektualët bien pre e retorikës dhe pathosit, por me pasionin e pathosin humbim jo rrallë kthjelltësinë, ndërkohë që nismat jakobiniste shpesh na kanë zhgënjyer. Nuk ka nevojë për një analizë të thellë, për të parë se, në shumtën e rasteve, deklarata me thënie e arsyetime bombastike kanë në thelb shumëçka, por asgjë që të çon te kauza. Ndoshta, edhe ky është një nga çmimet që do të vazhdojmë t’i paguajmë komunizmit, një shoqëri me shpirt të shitur.

Çfarë mund të bëhet?

Para se të reagojmë, duhet të kuptojmë se nuk është thjesht një çështje e vonesës së pagës, nuk është veç kjo që cenon dinjitetin, por këtu luhet dinjiteti i secilit prej nesh dhe ekzistenca secilit prej institucioneve tona. Arsimi universitar është një e mirë publike, nuk mund t’i jepet askujt me koncesion. Duhet të ezaurojmë rrugët ligjore dhe këtë duhet t’a bëjmë nëpërmjet autoriteteve universitare, siç është vepruar gjithmonë në vite. Ata duhet ta ndiejnë këtë detyrim moral dhe institucional. Më pas, ndërgjegjja e lirë e bën çdo njeri të lirë …., edhe intelektualin shqiptar!

 

Orinda Malltezi, pedagoge në FSHS

Orinda Malltezi, pedagoge në Fakultetin e Shkencave Sociale, tha për gazetën “Shekulli”, se vonesa konsiston në një vkm, që do saktësojë sesa kohë do financojë shteti pagat e pedagogëve. Ndërsa arrin në përfundimin se kjo amulli e krijuar do jetë shkak që me skemën e re të financimit, shteti do të heqë dorë nga përgjegjësia financiare për universitetin shtetëror, duke ja ngarkuar këtë detyrë vetë institucionit.

“Nuk është e arsyeshme, nuk ka ndodhur më parë që të vonohen pagat nga qeveria, vetëm në raste kur është hapur në janar fondi më vonë. Presin një vkm që do të saktësojë deri në sa muaj do të mbulojë shteti me paga të pedagogeve të brendshëm, pasi ka disa vite që fondi nuk kalon i plotë për 12 muaj, por për 10 muaj, tani e kanë bërë 8 muaj. Ka që nga viti 2013, u bënë 10 muaj me justifikimin se pagat për pushimet e vitit i paguante vete universiteti me fondet e veta, ndërkohe para 2005 fondet e universiteteve publike që nuk harxhoheshin i kalonin buxhetit te shtetit.

Diku nga viti 2006 këto fonde i mbeteshin universiteteve dhe ideja ishte që universitetet kishin fonde mjaftueshëm për të paguar dy muaj pedagogët. Kjo qeveri nuk është se ka shumë haberin e vendimeve të mëparshme. Ata s’kanë dhënë asnjë justifikim, por thonë: “E gjetëm 10 muaj dhe po ja bëjmë 10 muaj”, por rasti në fjalë përderisa nuk ka dalë vkm-ja mund të jetë vetëm spekulim. Pra, problemi qëndron se pse është vonuar vkm-ja, pasi është një procedurë që bëhet çdo vit. Paaftësi e qeverisë apo thjesht s’duan të na japin pagat, mbetet për tua parë dhe spekuluar. Kjo është bërë me qëllim që në të ardhmen të mos i paguajë shteti pagat, por vetë institucioni’, tha pedagogia.