PE refuzon kandidatët rumunë dhe hungarezë për Komisionin Evropian

Anëtarët e Parlamentit Europian të enjten kundërshtuan kandidatët rumunë dhe hungarezë për Komisionin e ardhshëm Europian. Shqetësimet kishin të bënin në lidhje me konfliktet e mundshme të interesit. Hungaria nuk do të mundet të ketë postin e zgjerimit të BE-së

Erjon Dervishi

Hungaria nuk do të mund të marrë në dorëzim postin e zyrës që merret me zgjerimin e Bashkimit Europain. Eurodeputeti nga Hungaria, Laszlo Trocsanyi nuk e kaloi testin e Vettingut të Parlamentit Europian dhe si rrjedhojë duket se dhimbjet e kokës për Presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen kanë filluar. Vendimet e komitetit për çështje juridike të Parlamentit Europian përfaqësuan një pengesë të parë të madhe për Ursula von der Leyen që kur ajo u zgjodh për të udhëhequr Komisionin e ardhshëm, i cili do të marrë detyrën në 1 nëntor. Komiteti për çështjet e drejtësisë dhe transportit bllokoi gjithashtu edhe Rovana Plumb, e nominuara për rolin e komisioneres së transportit, pas një seance me dyer të mbyllura gjatë së cilës ata morën në pyetje Rumaninë për shqetësimet financiare. Ata bllokuan gjithashtu emërimin e Laszlo Trocsanyi të Hungarisë për postin e komisionerit europian për zgjerimin dhe fqinjësinë pas një seance të ngjashme. Duke folur ndërsa dolën lajmet për refuzimet e tyre, zëdhënësja e Komisionit Europian, Mina Andreeva tha: “Ajo çfarë do të thotë tani për tani është se procedura është pezulluar”. Të dy Plumb dhe Trocsanyi ishin të pranishëm në Komitetet përkatëse, për shkak të seancave dëgjimore të konfirmimit nga komitetet e specializuara javën e ardhshme. Nominimi i ish-ministrit hungarez të Drejtësisë, Lazso Trocsanyi si Komisioner për Fqinjësinë dhe Zgjerimin ka qenë lajmi më i mirë i mundshëm që mund të merrte Serbia nga Brukseli, por ekspertët nuk janë të bindur nëse ky është një lajm po aq i mirë edhe për Shqipërinë. Edhe pse në Tiranë zgjedhja e tij është pritur me skepticizëm, aleatja më e madhe e Hungarisë në rajon, Serbia, ishte e shpejtë për të shprehur kënaqësinë e saj për zgjedhjen e ish-ministrit hungarez. “Serbia mirëpret zgjedhjen e tij Trocsanyi, ne besojmë se është shumë e rëndësishme që dikush nga rajoni, i cili ka një qasje të ekuilibruar, i cili është një mik i vërtetë i Serbisë e të emërohet për këtë pozicion”, deklaroi Presidenti Aleksandër Vuçiç. “Ne e dimë që zoti Trocsanyi është një njeri i jashtëzakonshëm, punëtor dhe i përkushtuar dhe besojmë se emërimi i tij do të thotë shumë për përparimin e Serbisë “, shtoi presidenti serb. Integrimi në BE i Ballkanit Perëndimor është tejet i rëndësishëm nga pikëpamja e interesave afatgjata të BE-së. Megjithatë, Brukseli, i preokupuar me problemet e veta si Brexit dhe polarizimi politik, ka hequr dorë nga politikat më ambicioze në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Kjo është arsyeja pse ndikimi i Hungarisë dhe këmbëngulja e saj për integrimin e rajonit po rritet. Budapesti, por edhe vendet e tjera të Europës Qendrore dhe Juglindire kanë këmbëngulur se hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është një domosdoshmëri për të ruajtur besueshmërinë e BE-së në rajon. Hungaria ka qenë shumë e vendosur për mbajtjen e Ballkanit Perëndimor në krye të agjendës, duke u mbështetur në dy argumente kryesore, së pari solidariteti dhe së dyti siguria e Europës Juglindore. Sipas Peter Szijjarto, ministrit të Punëve të Jashtme të Hungarisë, “sa më shumë anëtarë që këtë BE-ja, aq më e fortë do të jetë”.

Reagimi i Bashkimit Europian

Andreeva tha se vendimet e komitetit për çështje juridike “nuk do të thotë se tani duhet të propozohet një kandidat i ri automatikisht”, thekson revista e njohur, “Politic.eu”. Ajo tha se hapat e ardhshëm do të varen nga mënyra se si Parlamenti Europian do të zgjedhë të procedojë, në koordinim me von der Leyen. Por një zyrtar i Parlamentit tha se legjislatura së shpejti do ta sqarojë me shkrim se dy kandidatët nuk janë të pranueshëm. Pesëmbëdhjetë anëtarë të komitetit votuan kundër kandidaturës së Plumb ndërsa gjashtë votuan në favor të saj. Kishte dy abstenime. Plumb, një anëtare e grupit socialistë dhe demokratë, u thirr para komitetit për llogaritë me dy kredi, me vlerë afro 1 milion euro që ajo nuk i deklaroi në deklaratën e saj origjinale financiare të shqyrtuar nga eurodeputetët. Komiteti votoi kundër Trocsanyi me një diferencë prej 11 vota kundër dhe nëntë pro. Dy eurodeputetët abstenuan. Sergey Lagodinsky, nënkryetari i komitetit, i tha Politico: “Të dy kandidatët janë refuzuar”. Lagodinsky tha se hapi tjetër do të jetë dërgimi një letër von der Leyen, “duke nënvizuar pozicionin tonë dhe të vendosë se çfarë do të ndodhë më tej”. “Procesi tani është pezulluar derisa Presidentja e Komisionit të reagojë,” shtoi ai. Miratimi i komitetit për çështje juridike është një parakusht thelbësor që të zhvillohen seancat parlamentare. Pa dritën e saj të gjelbër, rregullat e Bashkimit Europian shprehin se procedura e konfirmimit për caktimin e komisionerit është pezulluar. Hapi tjetër është që Presidenti i Parlamentit të pyes von der Leyen se si dëshiron të vazhdojë. Një zëdhënës i Parlamentit Europian tha se refuzimi i një kandidati në komitetin e çështjeve juridike është i pashembullt dhe “ne duhet të shohim se çfarë do të ndodhë”. “Është e qartë se dëgjimi nuk mund të zhvillohet”, shtoi zëdhënësi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet