PD e Rilindja, larg duart nga zgjedhjet. Komisionet të jenë apartiake

Nga Erneta Shevroja

Kryetarët e partive opozitare zhvilluan një takim për rreth dy orë në Tiranë, për rëndësinë e reformës zgjedhore dhe ndryshimet që pritet në ndodhin në ligjin zgjedhor, ku arritën në disa konkluzione të përbashkëta. Në një njoftim të frontit të bashkuar të partive opozitare, u deklarua se reforma zgjedhore është e pakthyeshme, ndërsa konkluzionet e tryezës janë renditur në 7 pika. “Përfaqësuesit e partive politike opozitare që luftojnë për pastrimin përfundimtar të zgjedhjeve në Shqipëri, të mbledhura dje në një tryezë në Tiranë, me shqetësimin e thellë pse Shqipëria nuk ka arritur përparimin e duhur drejt demokracisë, deklaruan se ne jemi vendi i vetëm në rajon që nuk arrin të bëjë zgjedhje të lira, të barabarta dhe të ndershme. Tryeza e djeshme e partive opozitare politike konstatoi se reforma zgjedhore është mëma e të gjitha reformave. Pa reformën zgjedhore, asnjë reformë tjetër nuk mund të japë rezultatet që dëshirojmë dhe presim”, thuhet në dokument.

Në tryezë ishte i pranishëm edhe kryetari i “ZGJIDHJA”, Koço Kokëdhima, i cili theksoi rëndësinë thelbësore që kanë zgjedhjet demokratike për vendin. Lideri i ZGJIDHJA-s”, që mori i pari fjalën deklaroi se pa u realizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme Shqipëria nuk do të ketë lirinë dhe përparimin e duhur. Në tryezë shprehën mendimet e tyre edhe kryetarët e partive të tjera, si kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka që e vuri theksin tek lidhja e krimit me politikën. Ndërsa kryetari i PDS-së,Paskal MiloU shpreh se partitë e mëdha, me forcën e kartonëve në Parlament sërish do të tentojnë të diktojnë atë Kod Zgjedhor që i favorizon ata. Pjesë e tryezës ishin edhe përfaqësues të shoqërisë civile. Në fund të pranishmit në tryezë arritën në disa konkluzione, rreth të cilave do të vijohet të diskutohet edhe në javët në vazhdim.

Fjala e Koço Kokëdhimës

Për fat të keq vit pas viti Shqipëria nuk arrin përparimin e duhur drejt demokracisë. Zgjedhjet e fundit ishin një tregues real se sa larg shteteve të rajonit dhe të botës demokratike është Shqipëria, si vend i vetëm që nuk arrin të bëjë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Numërimi i 64 kutive të Tiranës ishte shembulli emblematikë i asaj që ndodhi më 25 qershor. Vetëm në 7 kuti nuk ishte deformuar vullneti i zgjedhësve, ndërsa në 57 kutitë e tjera votat e partive të vogla u numëruan për llogari të katër partive që administruan zgjedhjet. Misionet që asistoj në Shqipërinë e dinë më mirë se kushdo tjetër se në vendet demokratike zgjedhjet nuk i administrojnë partitë politike, aq më shumë që partitë shqiptare janë bashkësi parapolitike tërësisht autokratike. “ZGJIDHJA” propozon ti bëjmë thirrje partnerëve ndërkombëtarë të Shqipërisë që ta bëjnë me kurajë zgjedhjen e tyre për t’u vendosur përfundimisht në anën e popullit shqiptar dhe jo në anën e politikanëve të kapur të Tiranës, që blejnë, vjedhin dhe manipulojnë zgjedhjet me paratë e marijuanës dhe të krimit. Në anën e demokracisë së vërtetë dhe jo në atë të një stabiliteti fals të Shqipërisë së varfër, të korruptuar e të pashpresë.

Një Shqipëri e tillë nuk e ndihmon dot për shumë kohë as paqen dhe as stabilitetin e Ballkanit. Ka ardhur momenti që historia e manipulimit të zgjedhjeve në Shqipëri të marrë fund një herë e mirë. Pa zgjedhje të lira dhe pa demokratizim dhe modernizim të partive politike ky vend nuk do të ketë as përparim, as liri të vërtetë dhe as stabilitet. Zgjedhjet e 25 qershorit u deformuan integralisht nga mafia e partive sepse nuk u plotësua asnjë kusht për zgjedhje të lira e të ndershme, siç ishte reforma zgjedhore, aplikimi i votimit dhe numërimit elektronik në qendrat e votimit, krijimi i një administrate shtetëror zgjedhore të departizuar etj. Rreth 55 për qind e qytetarëve nuk votuan duke shënuar kështu rekordin historik të shqiptarëve për mospjesëmarrjen në zgjedhje. Shqipëria tani renditet e fundit në rajon edhe për këtë tregues. Kjo prirje do të thellohet me shpejtësi nëse nuk reformohen dhe nuk rivendoset besimi tek zgjedhjet. Ne jemi dëshmitarë se listat e deputetëve, edhe në këto zgjedhje u hartuan nga kryetarët e partive, pa transparencë, pa konkurrencë, pa zgjedhje paraparake dhe pa pjesëmarrjen e militantëve të bazës së partive dhe qytetarëve të vendit.

Modeli shqiptar i zgjedhjeve është i vetmi në bashkësinë e vendeve demokratike ku partitë e vjetra e të kriminalizuara numërojnë votat e të gjitha partive të tjera. Me të drejtë njerëzit e këtij vendi pyesin: Kush e mban në këmbë këtë sistem zgjedhor të pabesueshëm? Kush është i interesuar që në Shqipëri të mos ketë zgjedhje të lira dhe me standarde? Një gjë është e sigurt: populli shqiptar nuk është porositësi i këtij modeli antidemokratik por viktima e përhershme e tij. Zgjedhjet duhet të organizohen në emër të interesit të popullit dhe jo të interesit të partive. Ne kemi pritur që veçanërisht lidershipi i Partisë Demokratike dhe ai i Rilindjes të kërkojnë ndjesë përpara popullit shqiptar për të gjitha krimet elektorale që kanë kryer këto dy parti në gjithë këto vite. Ne sugjerojmë që të mbështesim opsionin që reforma zgjedhore të udhëhiqet nga prezenca e OSBE-së, si garancia më e madhe që në Shqipëri të kemi një sistem zgjedhor të njëjtë me modelet më të mira perëndimore.

Respektimi i themeleve dhe vlerave bazë të demokracisë që e kanë zanafillën tek zgjedhjet e lira dhe të ndershme është rruga e vetme për ti dhënë fund tranzicionit shqiptar dhe për të mundësuar integrimin evropian të Shqipërisë. Do të shtoja edhe dy-tre propozime të vogla si të mundshme që të jenë konkluzione të kësaj tryeze. Kjo tryezë mund të ngrejë edhe një përfaqësi që të fillojë një raund takimesh dhe konsultimesh me aktorët politikë, OSBE-në dhe ambasadorët e vendeve perëndimore në Tiranë. Objekti i këtyre takimeve do të ishin detaje dhe propozime të tilla si kërkesa dhe nevoja që reforma zgjedhore të udhëhiqet nga prezenca e OSBE-së. T’u kërkohet ambasadorëve të vendeve partnere e mike të Shqipërisë i njëjti impenjim në favor të reformës zgjedhore, siç ata dëshmuan impenjimin e tyre për reformën në drejtë- si. Gjithashtu, kjo përfaqësi ose ky delegacion do të duhej të parashtronte dhe të argumentonte propozimet e kësaj tryeze dhe të atyre që mund t’i bashkohen kësaj tryeze dhe gjithë interesit të shoqërisë shqiptare për reformimin dhe demokratizimin e zgjedhjeve në Shqipëri.

Gjithashtu, mendoj se me ligj mund të kërkohet që të ndalohet praktika e deritanishme kur populli çohet në votime për të votuar listat e kryetarëve. Ka shumë rrugë se si mund të ndërtohen listat e deputetëve dhe të përfaqësuesve të popullit për në zgjedhje. Thelbësore është që përfaqësuesit qofshin për parlamentin, qofshin për zgjedhjet vendore të zgjidhen në mënyrë demokratike. Mendoj se ne duhet të insistojmë të ketë një datë për përfundimin e reformës zgjedhore. Një datë optimale do të ishte 31 marsi i vitit 2018. Ideja për të mos i reformuar zgjedhjet e vitit 2019 është e papranueshme. Pretendimi i qeverisë që e kushtëzon reformën me listat e emigrantëve dhe diasporës dhe me votën e tyre është pretendim i pabazë. Vota e diasporës dhe të emigracionit nuk është e domosdoshme për zgjedhjet vendore të 2019-ës. Prandaj nuk ka asnjë arsye që reforma zgjedhore të shtyhet përtej datës 31 mars 2018. Nga kjo tryezë këtu do ti sugjeroja edhe atyre liderëve që flasin në emër të popullit opozitar dhe të opozitës së Shqipërisë të mos e bëjnë më këtë gjë. Le të flasin vetëm në emër të partive të tyre, aq më shumë që janë liderë që kanë mëkate të rënda për shkatërrimin e institucionit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri.

Agron Duka, kryetar i PAA-së: Unë kam qenë një nga aktorët e zgjedhjeve të fundit. Ajo që ra në sy ishte lidhja e mazhorancës aktuale me krimin, veç të tjerave, përdorimi i parave etj. Të flasim hapur, lidhja e politikës me krimin e ka zanafillën shumë vjet përpara, ndoshta 20 vjet përpara por asnjëherë nuk ka ndodhur që bota e të fortëve, të kriminelëve, të bëhet aktore e politikës. Kohët e fundit dhe në zgjedhjet e fundit kjo është katërcipërisht e vërtetuar që të fortët janë bërë tashmë partnerë, nuk janë më pjesë e asaj që ka ndihmuar një pjesë të sjellin në pushtet. Ka ndodhur edhe tek PD kur u bënë zgjedhjet në 2005 por nuk u bë asnjëri nga ata as deputetë, as nuk merrte vendime. Kurse sot po jua them me bindje se, të paktën në zonën që njoh unë nuk mund të mbarosh punë, as me këto që janë në qendër, aq me ato që janë në krye të pushteteve vendore sepse ata duhet të konsultohen me ata të tjerët, ata tashmë janë partnerë. Këtu rrezikohet jetesa normale në Shqipëri. Unë mendoj se e para punë që ne duhet të bëjmë është të rregullojmë reformën zgjedhore.

Paskal Milo, kryetar i PDS-së: Partitë e mëdha do të përpiqen ta çojnë deri në fund atë synim që filluan të realizojnë që në vitin 2008. Unë jam i bindur se ata do të synojnë të ndërtojnë një kod të tillë zgjedhor përjashtues për të tjerët. Prandaj, ne duhet të përpiqemi që të ngremë zërin pikërisht për ta ndaluar, nëse mund ta ndalim sepse në fund të fundit është forca e kartonëve që ata e kanënë parlament dhe do të ndikojnë atë Kod Zgjedhor që ata dëshirojnë të bëjnë.

Fronti i partive opozitare: Reforma zgjedhore është e pakthyeshme

Fronti i bashkuar i partive opozitare miratoi deklaratën për reformën zgjedhore, në të cilën u arrit në disa konkluzione të përbashkëta. Në një njoftim të përbashkët, u deklarua se reforma zgjedhore është e pakthyeshme, ndërsa konkluzionet e tryezës janë renditur në 7 pika.

Konkluzionet

Përfaqësuesit e partive politike opozitare që luftojnë për pastrimin përfundimtar të zgjedhjeve në Shqipëri, të mbledhura dje në një tryezë në Tiranë, me shqetësimin e thellë pse Shqipëria nuk ka arritur përparimin e duhur drejt demokracisë, deklaruan se ne jemi vendi i vetëm në rajon që nuk arrin të bëjë zgjedhje të lira, të barabarta dhe të ndershme. Tryeza e djeshme e partive politike konstatoi se reforma zgjedhore është mëma e të gjitha reformave. Pa reformën zgjedhore, asnjë reformë tjetër nuk mund të japë rezultatet që dëshirojmë dhe presim. Kjo tryezë mori vendime dhe rekomandoi e miratoi propozimet si më poshtë:

1-Krijimin e një delegacioni me përfaqësues të partive politike dhe të shoqërisë civile që të fillojë një raund takimesh dhe konsultimesh për reformën zgjedhore me aktorët politikë, OSBE-në dhe ambasadorët e vendeve perëndimore në Tiranë.

2-Reforma zgjedhore duhet të udhëhiqet nga prezenca e OSBE-së. Kjo reformë duhet të përfundojë deri në 31 mars 2018 me qëllim që zgjedhjet vendore të vitit 2019 të reformohen. Pretendimi i qeverisë që e kushtëzon reformën me listat dhe të drejtën e votës së diasporës nuk ka bazë. Vota e diasporës nuk është e domosdoshme për zgjedhjet vendore.

3-Partitë e vjetra politike, duhet të heqin dorë nga administrimi i zgjedhjeve. Ato kanë kryer krime të rënda elektorale dhe kanë shkatërruar zgjedhjet e lira në Shqipëri. PD dhe Edi Rama duhet të kërkojnë ndjesë publike për krimet elektorale që kanë kryer ndër vite. Zgjedhjet shqiptare duhet t’i zhvillojë një administratë zgjedhore shtetërore, e pavarur dhe apartiake si në të gjitha vendet normale demokratike në Europë. Rilindja dhe PD-ja nuk mund të vazhdojnë të numërojnë votat e partive të tjera.

4-Kodi i ri zgjedhor duhet të garantojë identifikimin biometrik të zgjedhësit, votimin dhe numërimin elektronik. Ky kod duhet të ndalojë që listat zgjedhore të hartohen nga kryetarët e partive. Listat të mos dalin nga kryetarët por të hartohen në rrugë demokratike, përmes zgjedhjeve primare, me pjesëmarrjen e gjerë të militantëve të bazës, anëtarësisë së partive dhe qytetarëve të vendit. Kodi i ri elektoral duhet të garantojë realisht e plotësisht përmbushjen e të drejtës kushtetuese të çdo qytetari shqiptar për të zgjedhur e për tu zgjedhur lirisht.

5-Reforma zgjedhore duhet të realizohet me transparencë dhe jo me pazar mes Rilindjes dhe PD-së, përmes një procesi të hapur e gjithëpërfshirës dhe jo përjashtues e në dëm të partive të reja. Drejtuesit e PD-së dhe LSI-së të mos flasin në asnjë rast në emër të opozitës shqiptare, por vetëm në emër të partive të tyre. Ato mund të flasin në emrin e frontit të opozitës së bashkuar vetëm kur të kenë edhe miratimin e tryezës sonë.

6-Kodi i ri zgjedhor duhet t’i shpëtojë zgjedhjet nga monopolet dhe oligopolet e partive të vjetra dhe nga paratë e krimit, korrupsionit dhe oligarkëve të lidhura me to. Ky kod duhet të garantojë jo vetëm lirinë e konkurrencës dhe të përfaqësimit të qytetarëve, individëve dhe partive e grupimeve politike, por edhe përfaqësimin e drejtë me mandate në Kuvend e në këshillat bashkiake të votës propocionale të popullit.

7-Tryeza falënderon atë pjesë të shoqërisë civile që është përfshirë në luftën për reformën zgjedhore dhe pastrimin përfundimtar të zgjedhjeve dhe fton të gjithë shoqërinë civile dhe inteligjencën e vendit që t’i bashkohet kësaj kauze jetike për të ardhmen e Shqipërisë dhe për fatet e populli.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet