Patriotizmi me atlete e çorape të kuqe i kryeministrit Rama!

Publikuar më 01. 02. 2018 nga Jola Alimemaj

Nga Enver Bytyçi

Katër ditë në Kretë dhe tri ditë tjera në Korçë kanë mjaftuar që diplomacia shqiptare të shfaqet dhe një herë si një diplomaci amatotësh e të paaftësh, në llogari të interesave të pushtetit e jo të shtetit. Në fakt nuk ka si të ndodhë ndryshe me një qeverisje dhe një qeveri, e cila për interesat e ruajtjës së sundimit të saj kanabizoi dhe kriminalizoi Shqipërinë! Prej vitit 2009 e deri më sot shqiptarët janë bombarduar nga ish-opozita dhe nga mazhoranca e sotme me akuza pa fund kundër qeverisë “Berisha” për firmosjen e Marrëveshjes së detit me Greqinë. Ndërkaq midis mosratifikimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, përdorimit të vetos për pranimin në NATO dhe liberalizimin e vizave dhe asaj marrëveshjeje, qeveria Berisha zgjodhi këtë të dytën.

Opozita e viteve 2008-2013, pra Edi Eama dhe Partia Socialiste, e shfrytëzuan këtë marrëveshje për të hedh tonelata baltë “tradhëtie” mbi Sali Berishën dhe qeverinë e tij. Ishte e drejta e tij! Por është edhe e drejta jonë të gjykojmë mbi diplomacinë disekuilibruese të Edi Ramës dhe ministrit Bushati në kohët e ditët e sotme. Katër ditët e Kretës dhe tri ditët e Korçës bënë që fushata 9 vjeçare antiBerishë e Edi Ramës të sfumohet siç plas një tollumbace e çpuar! Ata që për gati 9 vite bënë mitingje dhe mbajtën dhe dhjetra fjalime kundër Marrëveshjes së Detit të atëhershme, ata që bërtitën deri në kupë të qiellit për “të drejtat e çamëve”, ata që organizuan protesta kundër varrezave të ushtarëve grekë në Jug të vendit,, pikërisht këta, pra Edi Rama, Ditmir Bushati dhe kompani firmosën lëshime territore e lëshime të tjera, të cilat nuk përmenden në marrëveshjen e vitit 2009!

Bënë një marrëveshje, me të cilën i falën Greqisë 12 milje det, fshinë nga kujtesa premtimin për të drejtat e çamëve dhe vendosën të ngrejnë komplekse varrezash për ushtarët grekë edhe në territore ku ata nuk shkelën kurrë ndonjëherë. Jo vetë kaq, por u morën vesh që termin Çamëri ta fshijnë nga tekstet shkollore dhe brezi i ri i shqiptarëve ta harrojë tragjedinë çame. Për ta mbuluar këtë skandal Edi Rama u turr në stilin e tij kamikaz kundër reagimeve të publikut shqiptar! Shihni se çfarë shkruan Edi Rama kundër kritikëve të tij: “Patriotë me çizme e çamëristë të sapongjizur në kazanin politik e mediatik, pasi i lanë poturet për çerekshekulli varur në telin e fqinjit dhe harruan edhe detin në shtëpinë e tij, na janë ndezur sot flakë e zjarr për të bërë shkrumb e hi qeverinë, në turrën e akuzave për tradhëti! Janë të mjerë që meritojnë veç mëshirë, po kujt ndër ju shqetësohet prej çizmeve të patriotizmës së tyre pa din e as iman, i them bëj durim edhe pak e prit, sa të shkruhen gjërat e zeza mbi të bardhë në dokumentet e marrëveshjes së re me fqinjin.

Dhe ndërkohë mos dysho hiçfare se ne që ditëm t’i hapim me kurajo e dinjitet, hesapet e 70 vjetëve me fqinjin, ne dimë edhe t’i mbyllim me dinjitet e mirëkuptim, në interes të Shqipërisë e të shqiptarëve pa dallim”. Pasi lexova këtë reagim të kryeministrit tim mjeran, u detyrova të shkruaj këto rrjeshta, për t’i kujtuar atij me krenari se kur ne flisnim e shkruanim libra e analiza të shumta për Çamërinë, Edi Rama nuk kishte haberin se çfarë ishte ajo! Në fakt nuk ka ngjizje më perverse se kjo, nuk ka e nuk mund të ketë mashtrim më të madh se ky! Marrëveshja me Greqinë, e cila me gjasa do të firmoset në prill me rastin e vizitës së Tcipras në Tiranë, është këmbanë alarmi për ne, për të gjithë shqiptarët, jo vetëm për tregëtinë e kryeministrit me territoret, por se ajo duhet parë gjithashtu si prelude i marrëzisë së tij në dëm të interesave qytetare e kombëtare të shqiptarëve. Partnerët e tij në Athinë e përgenjështrojnë Edin dhe Ditmirin së paku dy herë në ditë dhe këta të dy u turren shqiptarëve me kamxhikun e fjalës mashtruse të “kazanit politik e mediatik”!

E ndër kohë shqiparët lihen në hije të informimit, jo sikur flitet për territoret e tyre, por sikur bëhen pazare për çiflikun e kryeministrit! Se Greqisë iu dhanë 12 milje det, se në marrëveshje nuk ka asnjë fjalë për Çamërinë dhe çamët, se do të ndërtohen varreza për 8 mijë ushtarë grekë të paqenë në Shqipëri, të gjitha këto shqiptarët i mësuan nga deklaratat e ministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë, Kotzias dhe jo nga bashkëbiseduesi homologu i tij shqiptar, Bushati! Ky është paradoksi i dytë! Kryeministri dhe ministri ynë i Punëve të Jashtme vazhdojnë të gënjejnë dhe mashtrojnë, ndërkohë që gënjeshtrën dhe mashtrimin e tyre e zbulojnë grekët! Mjafton kjo mënyrë sjelljeje e atyre që ne na qeverisin, që këta sundimtarë të shpallen të padëshirueshëm për Shqipërinë dhe shqiptarët! Patriotizmi me atlete i Edi Ramës është shumë herë më i rrezikshëm sesa “patriotizmi me qizme”, të cilin ai e konsideron si produkt të kazanit politik dhe mediatik!