Pasazhet, në Tiranë nuk janë respektuar rregullat e ndërtimit

Intervista/ Arkitektja Elda Kruja thotë se situata e ndërtimeve në Tiranë e ka fragmentizuar qytetin. Pasazhet e ngushta janë pa korsi të dedikuara për personat me aftësi të kufizuar. Ke mungesë të planeve vendore dhe trajtimi i qytetit me njësi urbanistike ku përfshihen të gjithë elementet, edhe pasazhet

Enida Vërça

Arkitektja Elda Kruja në një intervistë për gazetën “Shekulli”, komenton situatën e ndërtimeve në kryeqytet, duke vënë theksin të fragmentizimi, i cili vjen si pasojë e dhënies së lejes së ndërtimit. Ajo thotë se në shumë ndërtime nuk ka studime të mirëfillta urbanistike duke i shkëputur nga konteksti i ndërtimit. Një element në të cilin ndalet edhe pasazhet, kryesisht ato mes pallateve. Arkitektja thotë se pasazhet e ngushta vijnë si rezultat i mosrespektimit të komisioneve urbanistike, duke e bërë të rrezikshme jetën e banorëve në atë hapësirë, për të vetmin fakt se pasazhi nuk i përmbush të gjitha kushtet për këmbësorët

Znj. Kruja, si e shikoni situatën e ndërtimeve në kryeqytet?

Situata e ndërtimeve të reja dhe atyre ekzistuese në Tiranë nuk është normale për një qytet i cili zhvillohet në kushtet e ekonomisë së tregut, e funksionimit të instancave shtetërore, as e bashkisë, të mënyrës se si është kombinuar inspektori privat dhe menaxhimi i instancave shtetërore për punën që kryen privati. Në bazë të ligjeve të urbanistikës dhe të dhënies së lejes së ndërtimit, bashkia është përgjegjëse për miradministrimin e çdo hapësire të lirë publike, qofshin këto trotuare, rrugë, ndriçime, pasazhe, korridore, tunele, etj, pra të gjithë elementet e ndërtimit të urbanistikës, kalojnë në filtrin e instancave shtetërore dhe qeverisë lokale. Ajo që është shumë e dëmshme e cila ka ndodhur është mënyra e fragmentizuar e zhvillimit, që unë do ta përkufizoja si dhënie lejeve ndërtimit. Do të thotë që nuk ka studime të mirëfillta urbanistike. Pra, vlerësohet një shesh ndërtimi në mënyrë shumë të shkëputur nga konteksti urban, kjo ka prodhuar zhvillimin vetëm të zonave të fragmintizuara  pa i lidhur dhe pa kuptuar se si do të komunikohet dhe se si do të krijohet infrastruktura në mënyrë që të dy zonat të mund të integrohen, që infrastruktura të jetë në shërbim të qytetarëve.

Si po shfrytëzohen hapësirat e lejeve të ndërtimit?

Ndërtimi i pallateve të reja, pozicionet urbanistike kaq të ngushta, me prona ekzistuese, me shkolla, me pallate, pa krijuar infrastrukturën urbanistike, si korsia e biçikletës, trotuari për këmbësorët, hapësira e gjelbër dhe aksesi i automjeteve, në rast se nuk krijohet një harmonizim i elementeve, mund të themi që kemi një zhvillim komplet të gabuar. Ajo që ka ndodhur është se qyteti është trajtuar në mënyrë shumë të copëzuar dhe kjo marrë një bum tani, duke mos i trajtuar edhe zonat në mënyrë të dedikuar, duke parashikuar se çfarë impakti do të kenë këto zhvillime në raport me pronat ekzistuese. Koeficienti i shfrytëzimit të hapësirave të lejes së ndërtimit besoj se duhet të jetë vënë në kontroll teorikisht, por ajo që ne shikojmë çdo ditë, është mungesa e pasazheve, të kombinuara për të gjithë komunitetin. Do të thotë që të jetë gjithëpërfshirës, për fëmijë, të rritur, njerëzit me aftësi të veçanta. Hapësira publike nuk është e trajtuar në mënyrë të dedikuar në ndërtimet e reja. Te i njëjti pasazh kalon makina dhe nuk është marrë parasysh që aty kalojnë edhe këmbësor.

Cili është shqetësimi kryesor i planifikuesve urbanistikë dhe arkitektëve?

Shqetësimi kryesor është trajtimi i planifikimit urban në mënyrë të neglizhuar. Planifikimi urban në vetvete është një lloj lirie, pra i jep liri, projektuesve, arkitekteve për të qenë të lirë të projektojnë në kushte rregullash me qëllim që të gjithë njerëzit të shfrytëzojnë hapësirat. Rregullsia që të jep planifikimi, i jep liri të gjithë njerëzve që të shfrytëzojnë hapësirën e lirë. Zhvillimi i fragmentizuar që ka ndodhur në Tiranë, në këtë shpërthimin e ndërtimeve të reja, ka shkatërruar më shumë strukturën urbanistike. Urbanistika ka një objekt shkencor, ku përfshin çdo element.  Kemi rastin e shkollës “Servete Maçi”, është ndërtuar një shkollë një godinë mbi një shesh ekzistuese, është reklamuar si shkolla më e mirë në Shqipëri dhe në fakt ajo nuk ka oborr, dhe nuk ka asnjë ambient të jashtëm, duke mos shfrytëzuar çdo element të nevojshme. Janë këto raste të cilat ndodhin çdo ditë, duke e trajtuar qytetin në mënyrë të fragmentizuar, duke shfaqur problematikat e veta.

Pasazhet, kryesisht ata mes pallateve si janë të ndërtuara, sa i plotësojnë standardet?  

Pasazhet janë të domosdoshme dhe jetësore. Po t’i vëmë re, janë shumë të ngushtë në hapësirat e tyre. Pasazhet e ngushta janë si rezultat i mosrespektimit të komisioneve urbanistike, që mund të kenë qenë pjesë e lejes, ose mund të jenë ndërtuar pas dhënies së lejes së ndërtimit, kur bëhen zakonisht zgjerime. Sigurisht, kjo është e rrezikshme, pasi pasazhet e ngushta janë pa korsi të dedikuara, për të mos thënë që nuk parashikohet fare korsia e dedikuar për personat me aftësi të kufizuar, që edhe në bazë të ligjit çdo ndërtim duhet të ketë infrastrukturën e nevojshme në mënyrë që çdo ambient publik të jetë i aksesueshëm nga personat me aftësi të kufizuar. Ndërkohë që në pasazhet tona, janë pa korsi, të paktën për automjetet dhe këmbësorët.  Kemi një mungesë të planeve vendore dhe trajtimi i qytetit me njësi urbanistike ku përfshinë të gjithë elementet, edhe pasazhet.

Pasazhi

Pasazhi del më i bukur kur: Fasada e pallatit anash dhe sipër tij pëson thyerje, pra hyn 1 deri 2 m vijës ndërtimit. Kur aplikohet në pallate p.sh. mbi 5 kate. Kur shoqërohet me “dritare” e korniza, formë harku. Bëhen kollona ½ rrumbullake në fillim dhe gjatë pasazhit. Shoqërohet me konture të njëpasnjëshme. Kombinohet me veshje mermeri ose lyhet bukur. Pajiset me ndriçues të përzgjedhur, klasikë etj. Kur mbas pasazhit vazhdon rrugë me ndërtime të kujdesshme anash. Sikur arrihet një objektiv i qartë urbanistik, që Koloseun me pasazhe e dritare harkore aq madhështor e hyjnor, ne në Tiranë ta “shpërndajmë” nëpër bulevardet e kryeqytetit, “ta copëtojmë” me imagjinatën tonë dhe ta shtrijmë aty në jetën e gjallë tonën. T’i shpërndajmë p.sh. çdo 200,300, apo 400 m. Ato do i realizojnë ndërtuesit, sipas rasteve konkrete që do ju paraqitet. Shpenzimi është modest dhe do e përqafojnë me dashamirësi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet