Pas tërmetit/ Shkon në 900 numri i të lënduarve në Spitalin e Durrësit dhe të Traumës

Rreth 900 shkon numri i qytetarëve të lënduar nga tërmeti i 26 nëntorit, të cilët po marrin trajtim në spitale, nga të cilët 731 vetëm në spitalin e Traumës dhe Durrësit.

Gjatë 24 orëve të fundit në Spitalin e Durrësit dhe të Traumës janë paraqitur 52 qytetarë të lënduar, të traumatizuar si pasojë e tërmetit, të cilët kanë marrë trajtim mjekësor.

Aktualisht janë të shtruar 63 të lënduar, gjendja e të cilëve paraqitet e stabilizuar, përveç një person që paraqitet në gjendje të rënduar.

Përpos qytetarëve që po marrin trajtim në spitale, janë rreth 1107 vizita mjekësore të kryera për banorët e prekur nga tërmeti që po marrin trajtim në qendrat shëndetësore 24/7 të hapura pranë zonave të prekura. Ndërsa mbi 350 persona kanë marrë shërbimin mjekësor pranë kampit të emergjencës në Thumanë dhe pikave të ngritur në Durrës. Me ekipet e ngritura në terren është siguruar pajisja me medikamente për të sëmurët kronikë.

Urgjenca kombëtare ka përballuar 5094 thirrje për ndihmë që nga momenti i rënies së tërmetit dhe ka realizuar 1311 misione me autoambulancë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet