
Pak muaj pasi premtoi se në mars 2022 do të hidhte në orbitë satelitët “Made in Albania”, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama premtoi edhe opsione shqip në celularë, të ngjashëm me Sirin në Apple. Sipas tij, shqiptarët do të mund të kenë në telefonat e tyre edhe ‘Sirin’ që do të flasë shqip dhe kjo do të ndodhë brenda vitit të ardhshëm. Kryeministri tha se qytetari do të marrë përgjigje online për pyetjet që ka rreth shërbimeve të ndryshme. Brenda vitit të ardhshëm, në e-albania do të jetë asistenti digjital (shërbimi me zë) i ngjashëm me Siri-n, një shërbim që ofrohet në telefona celularë për të bërë kërkime në internet apo për shërbime të tjera.
“Ndërkohë që ne kemi filluar projektin tjetër për të pasur brenda vitit të ardhshëm asistentin me zë siç është Siri, kështu do të jetë asistenti digjital i çdo sistemi. Asistentin e pyesni me zë dhe nga shtëpia dhe do ju përgjigjet për të gjithë atë gamë që lidhet me dokumente. Mbetet i rëndësishëm njeriu, roli juaj dhe i të gjithë atyre që janë deri më 1 maj në sportele. Nuk do të ketë më zyra më 1 maj, por do të mbyllen për të hyrë njerëz nga jashtë brenda, por brenda do të vijojë puna për shërbimin ndaj qytetarëve që i gjithë procesi i aplikimeve të bëhet me sukses dhe askush të mos e pengojë. Unë dua të them që me këtë sistem sot, kemi mundësi ta çojmë në një nivel tjetër marrëdhënien mes qytetarëve dhe shteteve dhe kemi mundësi që ta bëjmë Shqipërinë vendin ku fjala shërbim të marrë kuptimin e vet më të plotë dhe më kuptimplotë. Sistemi është i gjithi gati”, tha kryeministri.
Duke theksuar të gjitha ndryshimet pozitive që sjell kalimi online i shërbimeve, kryeministri Edi Rama theksoi se të gjithë ata që punojnë në sportele nuk do të hiqen nga puna, por do të bëjnë një tjetër punë. Ai u shpreh se ata nuk do të kenë më përballë qytetarët, pro vetëm aplikimet e tyre dhe se në këtë mënyrë i jepet fund edhe korrupsionit.
“Ky është një ndryshim kolosal. Shqipëria ka shkuar në vendin e 17 për shërbimet dixhitale dhe pas nesh janë vende shumë më të zhvilluara se ne. Jemi në një fazë ku përmbyllim një pjesë të konsiderueshme të revolucionit dixhital dhe i japim një shtytje larg korrupsionit në shërbim, bakshishit dhe ryshfetit. Nuk do iki njeri nga puna, por do bëjnë punë tjetër. Në vend të marrjes në pyetje të qytetarëve, do merren me plotësimin e dosjeve online të qytetarëve. Nëse për të marrë një dokument x, duhen edhe 5 dokumente të tjera që deri dje ishte i detyruar t’i merrte qytetari, pas datës 1 maj të gjitha do garantohen nga sistemi. Çdo kush që sot punon në sportel nuk do ketë më përballë qytetarët, pro kompjuterin dhe qytetarët do jenë aty vetëm në formën e aplikimeve. Qytetari do e marrë përgjigjen po online”, tha Rama.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/
Leave a Reply