Partizani përmbys Teutën dhe shijon tre pikët e para

Publikuar më 13. 10. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Klevis Deda

Skuadra e Partizanit shënon fitoren e parë sezonale duke mundur Teutën. Të kuqtë rikthehen njëkohësisht edhe te goli pasi nuk kishin arritur të shënonin në katër javët e para të kampionatit. Në fillim ata që shënojnë janë vendasit me anë të Dostit por më pas kryeqytetasit përmbysin gjithçka. Trashi sjell baraspeshën në fundin e pjesës së parë ndërsa në të dytën është Sukaj ai që i jep fitoren skuadrës së Partizanit pasi realizoi saktë një 11-të metërsh. Vlen të theksohet se durrsakët mbeten me 9-të lojtarë pas daljes me të kuqe të Shehaj dhe Dediç.

Që në fillimin e ndeshjes vihej re që sfida do të ishte mjaft e nxehtë pasi në minutën e 6-të ndëshkohen me karton të verdhë Batha dhe Hila për shkak se nuk mund të shmangnin nervozizmin. Pas vetëm tre minutave, vendasit janë pranë shënimit të golit pas një gafe të Atandës. Loja përqendrohet më shumë në mesin e fushës duke ulur mjaft ritmin që kishte në minutat e para. Goli i parë i takimit do të vinte në  minutën e 18-të. Dosti realizon një gol shumë të bukur nga një goditje dënimi në afërsi të zonës.

Një gol që i jep zemër skuadrës së Maganit dhe vazhdojnë të ushtrojnë presion në portën e Partizanit. Në minutën e 23 gjyqtari akordon penallti për skuadrën durrsake pasi La Kamera pengon në zonë Çyrbjen. Penalltinë e mer përsipër Lena, por topi i goditur prej tij pritet nga mjeshtri i penalltive, Alban Hoxha. Teuta shpërdoron një mundësi të artë për të shënuar golin e dytë. Një rast i humbur ky për vendasit që do t’i kushtojë shumë më vonë. Në minutën e 34 mbrojtësi i Partizanit, Atanda godet me kokë pas një krosimi nga goditja e këndit por topi kontrollohet pa problem nga portieri.

Në minutën e 36 Atanda është sërish protagonist duke humbur një top në zonë por që nuk shfrytëzohet si duhet nga lojtarët e Teutës. Pas një minute është sërish Latif ai që rrezikon me kokë por goditja e tij pritet në mënyrë spektakolare nga Hoxha. Në minutën e 41 Sukaj tenton të realizojë një super gol me thembër por gjuajtja e tij kontrollohet me qetësi nga Moçka. Pas dy minutash, arbitri anulon një gol të Teutës. Duhet thënë se ky ishte një rast mjaft i dyshimtë. Pas këtij episodi vjen dhe goli i Partizanit. Trashi godet saktë me kokë duke rikthyer baraspeshën. Me këto shifra mbyllet dhe pjesa e parë e këtij takimi.

Në fillimin e pjesës së dytë, të dyja skuadrat krijojnë shumë raste shënimi.Në minutën e 78-të Shehaj ndëshkohet me karton të kuq pasi kapi me dorë topin në brendësi të zonës dhe gjyqtari akordon penallti. Sukaj ekzekuton saktë dhe i jep avantazhin skuadrës së Partizanit. Pas këtij gol gjithçka do të bëhej më e lehtë për Partizanin. Në minutën e 87-të Dediç ndëshkohet me karton të kuq pas një goditje ndaj Kalarit.

Teuta mbetet me 9-të lojtarë. Gjyqtari akordon plot pesë minuta shtesë. Në minutën e 93 Bardhi shpërdoron një rast të mirë por godet jashtë kuadratit të portës. Mbyllet gjithçka dhe Partizani fiton me përmbysje ndaj Teutës. Durrsakët nuk arritën të administronin si duhet avantazhin dhe nuk mundën të shënonin golin e dytë me anë të një penalltie, çka ndikoi negativisht për skuadrën. Të kuqtë arrijnë fitoren e parë në javën e  pestë të kampionatit.