Partia “Zgjidhja”: Qeveria të ndalë grabitjen me librat e fëmijëve

Partia “Zgjidhja” e drejtuar nga Koço Kokëdhima ka sjellë në vëmendje shqetësimet e qindra prindërve, që prej ditësh po denoncojnë mashtrimin e qeverisë me tekstet falas për nxënësit nga klasa e I-V të ciklit fillor.

 

Në vend të librave të rinj, atyre po u jepen tekste të vjetër nga viti i kaluar që janë të papërdorshëm, thuhet në deklaratën e partisë “Zgjidhja”.

 

“Zgjidhja” i bën thirrje qeverisë që ka dhënë të gjithë ekonominë e vendit me koncesion dhe PPP që të ndalojë grabitjen e nxënësve, të japë tekste falas për të gjithë nivelet dhe të mbështesë arsimimin e të ardhmes së vendit.

 

Deklaratë shtypi e partisë ‘Zgjidhja’

Qindra prindër po denoncojnë prej ditësh mashtrimin e qeverisë me tekstet falas për nxënësit nga klasa e I-V të ciklit fillor, trumbetuar nga qeveria si ndihma më e madhe për dhjetra mijëra fëmijë dhe familje shqiptare. Në vend të librave të rinj, atyre po u jepen tekste të vjetër nga viti i kaluar që janë të papërdorshëm, të dëmtuar dhe të mbushur me shënime, duke i detyruar prindërit që të blejnë tekste të rinj.
Reklama e qeverisë, në vend që të ndihmonte nxënësit dhe familjet, po mbush xhepat e drejtuesve të arsimit, që po japin për të rinj, tekste që nuk hyjnë në punë.
Përveç kësaj, prindërit po përballen me çmime të rritura për librat dhe pajisjet shkollore. Sipas të dhënave të INSTAT-it, indeksi i librave dhe mjeteve shkollore shënoi rritje me 7.6% në muajin gusht 2019, në raport me një vit më parë, ndërsa në vitet e tjera ky ndryshim ishte më pak se 3%. Sipas shitësve çmimet janë rritur për të mos patur humbje financiare, ngaqë numri i nxënësve po bie me ritme të shpejta.
Shifrat janë dramatike dhe tregojnë braktisjen e vendit nga mijëra familje. Nga 748.488 të rregjistruar nga kopshtet deri te arsimi i lartë në vitin akademik 2014-2015, në vitin akademik 2018-2019 ishin, sipas INSTAT-it, 641161 të regjistruar, pra mbi 104 mijë më pak, kur logjikisht, nga shtesa natyrore e popullsisë, numri duhej të ishte rritur.
‘Zgjidhja’ i bën thirrje qeverisë që ka dhënë të gjithë ekonominë e vendit me koncesion dhe PPP që të ndalojë grabitjen e nxënësve, të japë tekste falas për të gjithë nivelet dhe të mbështesë arsimimin e të ardhmes së vendit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet