Partia “Zgjidhja”: Demokratizimi i zgjedhjeve, rrugëdalja e vetme nga kriza

Deklaratë shtypi e partisë ‘Zgjidhja’

Pas takimit të sotëm të kancelares gjermane Merkel me kryeministrin e Shqipërisë, zyra e saj njoftoi se: “Në fund të shtatorit, Bundestagu do të vendosë nëse Kancelarja Angela Merkel do të bjerë dakord për hapjen e negociatave me Shqipërinë në samitin e BE në mesin e tetorit”.

Shpresat janë të pakta, sepse Gjermania ka vënë kushte për Shqipërinë si reformimi i Kodit Zgjedhor, funksionimi i sistemit të Drejtësisë, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndjekje penale ndaj gjyqtarëve e prokurorëve të dyshuar për lidhje me mafien; hetim lidhjeve të politikës me krimin si dhe ulja e kërkesave për azil.

Këto barriera për ekzekutivin shqiptar, sipas mediave të lidhura me Partinë Socialdemokrate Gjermane aktualisht në pushtet me CDU/CSU, janë kaq të larta sa vonojnë me disa vite procesin e negociatave me Brukselin. Këto paralajmërime se Gjermania nuk do të pranojë hapjen e negociata pa kryer reformat i përforcon edhe letra që ministri gjerman për Evropën, Michael Roth, i dërgon Bundestagut, ku propozohet vota pro për Shqipërinë, por duke renditur 6 kushte qe duhen plotësuar para çeljes se negociatave, ku më kryesorja është përmbyllja e reformës zgjedhore, pastaj Gjykata Kushtetuese, ndjekja penale e gjyqtarëve dhe e prokurorëve të shkarkuar nga Vettingu, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet apo progres në reformën administrative.

Partia ‘Zgjidhja’ përshëndet mbështetjen e qeverisë dhe të deputetëve gjermanë për hapjen e negociatave me Shqipërinë nga BE më 18 tetor dhe vlerëson lart kushtet e vëna, veçanërisht atë për kryerjen e reformës zgjedhore. Ky kusht ishte vënë në krye që në progres-raportin e qershorit 2018, por u la në harresë qëllimisht nga partitë e vjetra në Tiranë dhe Shqipëria është i vetmi vend në Europë që ende nuk bën zgjedhje të lira dhe të barabarta. Ato nuk duan të demokratizojnë dhe reformojnë sistemin politik, kanë frikë nga reforma kushtetuese që u heq monopolin e administrimit të zgjedhjeve dhe të pushtetit.

‘Zgjidhja’ ka propozuar ‘Paktin Kombëtar’ dhe ‘Platformën e Lirisë’, ku kërkon reformë kushtetuese dhe zgjedhore, depolitizim të administratës zgjedhore dhe demokratizim e modernizim të partive politike përmes një procesi gjithëpërfshirës e konsensual. Kjo është rruga e vetme që duhet të ndjekë Shqipëria dhe jo paktet e fshehta mes PS-PD, që jo vetëm nuk do ta çojnë kurrë vendin në BE, por do ta izolojnë dhe shkatërrojnë edhe më shumë Shqipërinë dhe të ardhmen e saj.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet