Parlamenti Europian: Bëni reformën para zgjedhjeve 2019

Takimi i 12 i Stabilizim Asociimit të Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë, palët dalin me një rezolutë të përbashkët për drogën, krimin dhe shit-blerjen e votave, një dakordësi e munguar në dy takimet e mëparshme 10 dhe 11, dhe ku tashmë BE kërkon caktimin e një date për hapjen e negociatave me Shqipërinë

Bashkimi Evropian ka bashkuar politikën shqiptare lidhur me çështjet më të nxehta, që kanë ndarë palët prej vitesh, si droga, krimi dhe korrupsioni, kryesisht në zgjedhje, ku nga ana e opozitës është denoncuar shumë për shitj-blerje votash. Në takimin e 12 të Stabilizim Asociimit të Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë palët arritën të dalin me një rezolutë të përbashkët për drogën, krimin dhe shit-blerjen e votave, një dakordësi e munguar në dy takimet e mëparshme 10 dhe 11, dhe ku tashmë BE kërkon caktimin e një date për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Në fund të takimit, u bë e ditur se është arritur dakordësia mes palëve politike për rezolutën finale, ku përfshihet se është pranuar dhe amendamenti për ish-ministrit e Brendshëm, Saimir Tahiri, si dhe ai për blerjen e votave.

Dakordësia është përshëndetur edhe nga kryetari i grupit të PS, Taulant Balla, i cili u shpreh se më në fund kemi një dokument të përbashkët edhe me opozitën. “Kemi një dakordësi të plotë mazhorancë-opozitë, ku rekomandohet hapja e negociatave dhe caktimi i një date. Lajmi i mirë është që më në fund kemi një dokument të përbashkët edhe me opozitën. Jemi të gjithë bashkë për të punuar për Shqipërinë europiane”, u shpreh Balla. Gjatë tryezës së zhvilluar dje, kryetarja e Delegacionit të Parlamentit Evropian, Monica Macovei, i ka drejtuar mesazhe të forta dhe të qarta politikës shqiptare lidhur me procesin e zgjedhjeve dhe luftën ndaj krimit e korrupsionit. Macovei i kërkoi politikës të bashkohet për të zbatuar Reformën në Drejtësi, si dhe të nisë menjëherë ndjekjet penale për rastet e korrupsionit. Duke u ndalur te raporti i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet, Macovei tha se duhet të marrë fund presioni dhe përdorimi i administratës gjatë procesit zgjedhor. Gjatë tryezës “Takimi i 12-të i Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asociimit Bashkimi Evropian- Shqipëri”, Macovei theksoi se një ligj zgjedhor ndihmon vendin për të punuar të gjithë së bashku.

“Nuk duhet bërë presion, nuk duhet përdorur administrata, është një fenomen që po ndodh në shumë vende. Dua t’i bazohem raportit të OSBE/ODIHR-it për Shqipërinë, disa prej rekomandimeve janë realizuar. Ka shumë punë përpara për të bërë. Mes rekomandimeve autoritetet duhet të merren me reformën zgjedhore, është shumë e rëndësishme, që të ecet përpara. Duhet të ketë harmonizim, sa i përket medias dhe fushatës, duhet të jenë të gjithë bashkë për zbatimin e reformave dhe jo të ndodhë e kundërta. Një ligj zgjedhor ndihmon çdo vend dhe për ne është e rëndësishme të punojmë të gjithë së bashku, të bëhen ndryshime në ligje”, deklaroi zyrtarja e PE. Më tej, referuar akuzave të shumta të opozitës, zyrtarja e lartë e BE deklaroi se zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit ishin më të mirat. “Nuk mund të themi se kanë qenë zgjedhjet më të këqija, se ne kemi pasur delegacionin tonë, përkundrazi kanë qenë zgjedhje të mira”, shtoi ajo.

Diskutimet:

Bylykbashi: 20% e votuesve kanë marrë para në këmbim të votës. Punonjësit e administratës vihen nën presion. Kemi përfshirje të krimit në zgjedhje. Nëse nuk luftojmë krimin nuk do të kemi zgjidhje. Ref. zgjedhore jo e ngjashme me Territoriale

Gjosha: Ne duhet të ecim shpejt, zgjedhjet lokale po vijnë, duhet të implementojmë shpejt rekomandimet e OSBE-ODIHR, që Shiqpëria të ketë më në fund zgjedhje të ndershme dhe të bëhet anëtare e BE.

Vokshi: Ku është droga, vetëm falë aksioneve opozitare sot është sensibilizuar. Ne si opozitë kërkojmë që drejtësia të funksionojë për ish-ministrin Tahiri, që është ende deputet. Strategjia e fundit duhet të zbërthehet ashtu siç duhet. Qeveria po shkel në mënyrë sistematike Kushtetutën, sidomos me veprimin e fundit për ndihmën ekonomike. Të heqësh 70 mijë familje nga ndihma ekonomike pa bërë transparencë, pa asnjë justifikim, ky është abuzim. Këto familje të varfra që sot nuk kanë para, sepse janë hequr nga ndihma ekonomike, janë kontingjente që mazhoranca nesër mund t’i përdor për të blerë votën. Nëse ne nuk monitorojmë dhe nxisim qeverinë të zbatojë ligjin ju sigurojë që nesër këto do jenë familjet e para që do jenë target i mazhorancës së sotme për t’iu blerë votat.

Macovei: Nëse do ishit pjesë e PE do kishit mundësi të flisnit vetëm 1 minutë. Mua më duhet të paguaj çmimin e folësve paraprakë.

Shalsi: Qytetarët vendosëm më 25 qershor, falë marrëveshjes së 18 majit patën zgjedhje të qeta. Bëmë një ‘qeveri teknike’ me paktin e 18 majit, falë dhe mbështetjes së ndërkombëtarëve. Mund të përmirësojmë paanshmërinë në zgjedhje. Kjo mbetet një sfidë për ne. Financimi i partive politike ka qenë dhe mbetet një shqetësim madhor.

Macovei: Procesi zgjedhor është shumë i rëndësishëm për demokracinë. Nuk duhet bërë presion, nuk duhet përdorur administrata, është një fenomen që po ndodh në shumë vende. Dua t’i bazohem raportit të OSBE/ODIHR-it për Shqipërinë, disa prej rekomandimeve janë realizuar. Ka shumë punë përpara për të bërë. Mes rekomandimeve autoritetet duhet të merren me reformën zgjedhore, është shumë e rëndësishme, që të ecet përpara. Duhet të ketë harmonizim, sa i përket medias dhe fushatës, duhet të jenë të gjithë bashkë për zbatimin e reformave dhe jo të ndodhë e kundërta. Një ligj zgjedhor ndihmon çdo vend dhe për ne është e rëndësishme të punojmë të gjithë së bashku, të bëhen ndryshime në ligje.

Duhet të dëgjojmë njëri-tjetrin, nëse do një bisedë të veçantë ky nuk është vendi i duhur. Jemi këtu për tjetër gjë, është e rëndësishme të korrigjojmë ligjin zgjedhor, të adresojmë çështjet. Ju sugjeroj të merreni me rekomandimet dhe të punoni për to. Të merremi me çështjen e blerjes së votave, ta luftojmë këtë fenomen në të mirë të procesit zgjedhor. Në këtë aspekt i referohem të gjitha partive. Nuk mund të themi se kanë qenë zgjedhjet më të këqija, se ne kemi pasur delegacionin tonë, përkundrazi kanë qenë zgjedhje të mira. Ne i referohemi gjithmonë të gjitha partive, rekomandimet janë tepër të rëndësishme. Është e rëndësishme që të gjitha ndryshimet të bëhen para zgjedhjeve.

Bylykbashi: Kur themi që janë zgjedhjet më të këqija të këtyre viteve…

Macovei: Mos bëni komente. Unë ju dhashë 30 sekonda dhe ju po flisni jashtë çështjes që ju kërkova. Ne po diskutojmë mbi rekomandimet e OSBE/ODIHR-it.

Kukan: Negociatat i meritoni, por duhet të loboni

Eurodeputeti Eduard Kukan u bëri thirrje partive politike në Shqipëri që të lënë pas ndasitë dhe të bëhen bashkë për hapjen e negociatave. Ai tha se Shqipëria e meriton hapjen e negociatave, por duhet lobim në të gjitha vendet anëtare të BE. “E meritoni që të  hapen negociatat, madje duhet te kishin filluar. Ju duhen persona të kualifikuar për të bërë një ekip të fuqishëm të përgatitur. Është e domosdoshme për të qenë gati për të treguar se e meritoni. Ky proces do të ketë edhe shumë momente të vështira. Burokracitë janë të vështira dhe të lodhshme. Mund të fitoni kohën e humbur, por ju duhen përpjekjet nga i gjithë vendi nga të gjitha fushat. Por në radhë të parë duhet të bindim Këshillin, pasi nuk kam dyshim që komisioni do të propozojë hapjen e negociatave dhe parlamenti do e aprovojë. Cdo shtet anëtar mund ta prishë këtë vendimmarrje, ndaj duhet të jeni të vetëdijshëm, duhet të keni marrëdhënie të mira bilaterale. Ju duhen miq, kushdo ka nevojë për miq’ deklaroi Kukan. Në kujdesin e Kuvendit të Shqipërisë, përgjatë dy ditëve po  zhvillohet në Kuvendin e Shqipërisë “Takimi i 12-të i Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asociimit Bashkimi Evropian-Shqipëri.

Meta pret zyrtaren e PE: Duhet dialog politik

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, priti në një takim delegacionin e Parlamentit Evropian, që merr pjesë në takimin e 12-të të Komitetit të Stabilizim Asociimit, deputetët Monica Macovei, Elly Schlein, Eduard Kukan dhe Vladimir Urutchev. Kreu i Shtetit mirëpriti angazhimin e përtërirë të BE-së për të ofruar një perspektivë të sigurt anëtarësimi për të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe nga ana tjetër, siguroi për vokacionin solid evropian të qytetarëve shqiptarë dhe të gjithë përfaqësuesve politikë në vend. Presidenti Meta theksoi rëndësinë e dialogut politik në funksion të ecurisë së prioriteteve kyçe në rrugën e reformave dhe të forcimit të sundimit të ligjit.

 

Nga droga te zgjedhjet, PD i bën 9 propozime Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asocimit

PD ka ngritur disa shqetësime në Komitetin Parlamentar të Stabilizim Asocimit, ku më kryesoret ishin për luftën krimit të organizuar, drogës, korrupsionit dhe domosdoshmërinë për zgjedhje të lira e të ndershme. Megjithatë për të kontribuar në njohjen e problemeve të Shqipërisë dhe për zgjidhjen e tyre, Partia Demokratike ka propozuar 9 amendamente mbi rekomandimet ekzistuese dhe disa pika të reja.

1.Partia Demokratike propozon që pika 5 e rekomandimeve të modifikohet duke vërejtur se blerja e votave dhe keqpërdorimi i pushtetit vazhdoi edhe pas marrëveshjes së 18 Majit.

2.Përsa u përket zgjedhjeve, Partia Demokratike në një amendament tjetër të saj propozon që rekomandimet e OSBE/ODIHR, përfshirë masat kundër blerjes së votës, duhet të zbatohen para zgjedhjeve të ardhshme.

3.Lidhur me rolin e Kuvendit, Partia Demokratike propozon që në pikën 9 të shtohet edhe një frazë tjetër, që siguron përfaqësimin e opozitës, nisur nga përjashtimi që qeveria i bëri opozitës nga takimi i fundit i Këshillit të Stabilizim-Asociimit, më 15 nëntor 2017, në Bruksel.

4.Një amendament tjetër i Partisë Demokratike kërkon heqjen e imunitetit parlamentar, kur ai kërkohet nga organet e drejtësisë. Qeveria refuzoi ta bënte këtë në rastin e Tahirit, çka u kritikua nga grupi i PPE-së, deputetë dhe zyrtarë të qeverisve të vendeve anëtare të BE dhe SHBA. 5.Propozimi i Partisë Demokratike është që të shtohet një pikë në rekomandime për të theksuar së mosndëshkimi I politikanëve të lartë ul besimin e publikut dhe se rregullorja e Kuvendit nuk duhet të ofrojë mbrojtje ndaj të akuzuarve. Partia Demokratike është plotësisht dakord me rekomandimin numër 10, si problemet kryesore që opozita ka ngritur prej 5 vjetësh. Ky është një nga rekomandimet kyçe që Shqipëria të ecë përpara me rrugën e integrimit. Ai vendos theksin tek lufta kundër korrupsionit de krimit të organizuar, të kryer nga prokurorë dhe gjyqtarë të pavarur dhe të paanshëm. I kërkon autoriteteve rezultate të pakthyeshme në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe pastrimit të parave.

6.Partia Demokratike propozon që pika 11 e rekomandimeve, e cila bën thirrje për çrrënjosjen e kultivimit të drogës dhe ndjekjen penale të kultivuesve. të jetë më e plotë. Amendamenti i saj për forcimin e masave kundër drogës, rrjeteve kriminale bazohet në shumë raporte që thonë se bandat e kanabisit janë duke lëvizur drejt drogave të forta si heroina dhe kokaina, duke paraqitur një rrezik edhe më të madh për vendin dhe BE.

7.Partia Demokratike propozon që, pas pikës 11, të shtohet një pikë tjetër e re, që shpreh shqetësimin për rritjen e numrit të azilkërkuesve nga Shqipëria dhe I kërkon qeverisë ta adresojë më tej këtë fenomen. Në vitin 2017 ka patur një bum të azilkërkuesve nga Shqipëria në vendet e BE-së, veçanërisht në Francë.

8.Partia Demokratike propozon ndryshimin e fjalisë ku preket çështja e pronave në pikën 13, duke kërkuar zbatimin e vendimit të të Gjykatës Kushtetuese, sepse qeveria vazhdon të zbatojë ligjin e pronave pa marrë parasysh vendimin e kësaj Gjykate për shfuqizimin e pjesshëm të ligjit.

Partia Demokratike mbështet plotësisht pikën 14, ku flitet për vetëçensurën dhe ndikimin e interesave politikë dhe ekonomikë në media, por propozon edhe një pikë të re, ku shpreh shqetësim nga përdorimi i gjuhës së urrejtjes dhe sulmeve politike ndaj gazetarëve.

9.Partia Demokratike propozon gjithashtu, një pikë tjetër të re, në fund të rekomandimeve, që ka të bëjë me vlerësimin e rreziqeve fiskale nga kontratat e koncesioneve, bazuar edhe në raportet e Komisionit Europian dhe FMN-së.

Të tjera

VERTIGO

Gazetarja dhe kritikja e artit Elsa Demo bën një rrugëtim në skenën e re të ArTurbinës duke e krahasuar me…

Abissnet