Parking nëntokësor te “7 xhuxhat”, prishet parku i fëmijëve

Publikuar më 13. 01. 2018 nga Jola Alimemaj

Nga Bleona Metushi

Në vendin ku më parë shihje fëmijë që luanin, tashmë policët e zaptuan. Një nga hapësirat e vetme serioze për fëmijë në Tiranë, parku i njohur si “7 Xhuxhat”, ditën e djeshme u rrethua i gjithë nga policët e Bashkisë duke lajmëruar prishjen e tij dhe fillimin e punës për një parking nëntokësorë. Ndërsa policët bllokonin parkun, njerëzit, të cilët shihnin me sy  tërë kureshtje, pyesnin njëri-tjetrin se çfarë ishte duke ndodhur. Ndërsa kishte ndonjë nga ata që guxonin të pyesnin edhe punonjësit e policisë, nga të cilët mund të merrnin një përgjigje të tipit “largohuni që këtu”. Përballë një pamje që tashmë dukej pa jetë, sepse zërat e fëmijëve u zëvendësuan me heshtjen e sertë të policëve,  qytetarët u shprehën se kjo që po ndodhte ishte e trishtë.

“Prej shumë kohësh sjell mbesën këtu, dhe se si më duket. Është një nga vendet e vetme serioze që mund të sjellësh fëmijët.”-tha një gjyshe e cila kishte për dore mbesën e saj. Ndërsa një tjetër qytetar që po kalonte aty shprehet i habitur me atë çfarë po ndodhte. “Mendoja se vetëm te pjesa andej do bëheshin punime, se dija që do të prishej edhe parku. Këtu te ne s’je i sigurt për asgjë.” Ndërsa ka të tjerë që akoma pa u prishur ndjejnë nostalgji për të, pasi thonë se dashje, pa dashje ky vend ishte bërë një pikë identifikuese për të gjithë. “Jam e sigurt që edhe pas kësaj, kur të lëmë ndonjë takim këtu, do të themi takohemi të “7 Xhuxhat” ose ish-parku i “7 Xhuxhave”.-tha një  vajzë rreth 25 vjeç.

Ndërsa më të trishtuarit duket se janë padyshim gjyshërit, që aty kalonin shumë kohë me nipërit dhe mbesat e tyre. Ka nga ata qytetarë të cilët thonë se ndoshta do të ishte më mirë që të ri-konstruktohej, të rregullohej, por të mbeste i njëjti. “Kam përshtypjen se duhet t’i ruajmë ca vlera. Nuk jam dakord që të prishim me themel çdo gjë që vjetrohet. Edhe nëse këtu bëhet diçka e bukur sërish disa gjëra duhet ti ruajmë nga e kaluara, se e bëjmë siç kemi bërë me çdo gjë të komunizmit, shkatërrojmë dhe fillojmë ndërtojmë nga e para.”-tha një tjetër banor i cili e kishte shtëpinë aty pranë dhe shpesh dilte me mbesën e tij.