Parfumi i një sigle

Nga Natasha Lako

Sa kapërcen rrethinat e Korçës, Kolonja të del një rrafshaltë e zbrazët, e mbetur pothuaj pa njerëz, që të kujton menjëherë ekranin e televizionit publik. I injoruar ose i keqtrajtuar edhe pse varet nga përzgjedhjet parlamentare dhe një bord ku e çon fukarralleku i pergjithshëm, TV publik tregon aneminë e përgjithshme të shoqërisë shqiptare.

Megjithatë njerëzit vazhdojnë t’i kthehen këtij kanali televiziv, i cili ka shpëtuar disa programe të nostalgjive kombëtare për zërat e fuqishëm të artit të vet. Pjesë e këtij arti u bë edhe sigla e fundit që po rreket të trasmetohet si sukses i madh dhe është ndoshta jo për këtë gjigand të madh, por për ata që e kanë krijuar. Reklama është tepër pompoze, madje krahasuese, pasi herë pas here ka treguar edhe siglat e kanaleve të tjera, të cilat janë tepër normale dhe të qarta.

Dhe askujt nuk mund t’i shkonte mendja që sigla e një televizioni publik të ishte aq e stilizuar, së pari, që do të thotë e larguar nga këndvështrimi i shqiptarëve, madje edhe i më të vobektëve të kësaj bote, të cilëve ushqimi shpirtëror u vjen jo vetëm si me tallona, por kështu edhe me pesticide të dëmshme. Mund të jenë bërë konkurse të hapura mund të thotë dikush, madje për diçka që varet nga shije të ndryshme, por e vërteta nuk vonon, sepse kësaj rradhe mbetet jo në prag, por në ballë. Dhe kjo sigël e paraqitur me pompozitet nga më të çuditshmit, si betejë e madhe televizive do të jetë në krye të çdo emisioni.

Duhet të marrësh me mend dhe durim deri sa t’i dalësh në krye domethënies TVSH, si në ato testet e sigurive kompjuterike ku duhet të gjesh shkronjat e sakta për të krijuar një fjalë që vërteton se nuk je idiot ose një modul i vërtetë hakerimi. Lulëzimi i artit të minimizimit, që herë të kujton ndoshta edhe përpjekjet e para të shkronjave shqipe që nuk dinin nga t’ia merrnin vrapit, së fundmi 105 vjet pas Kongresit të Manastirit po merr përsëri rrokopujën sikur të mos ketë jetuar as Fishta, as Asdreni, as Mit’hat Frashëri, dhe më vonë as Komisia Letrare. Kanali televiziv publik kthen kohën prapa duke u fshehur pas kërkesave të BE dhe afateve te digjitalizimit.

Për të propaganduar këtë arritje të madhe, madje jo të digjitalizimit, por të siglës së re është njoftuar ditë për ditë hapësira e reklamave, ku për çudi shohim për krahasim edhe atë të BBC, ARTE dhe kanale të tjera televizive europiane, të cilave as u shkon ndërmend të provojnë marrëzira të tilla si të siglës së pakuptueshme të Televizionit Shqiptar, që duket sikur ka marrë borxh shkronjat e Azisë së largët ndoshta për të treguar se Shqipëria është anëtare e bindur e komonuellthit islamik.

Në këtë mënyrë një disenjator shqiptar, një bord pothuaj i përgjumur, një drejtori mbi drejtori, aprovojnë pas 105 vjetësh të Kongresit të Manastirit një alfabet të ri të larguar për teleshikuesit tradicionalë që as nuk dinë çfarë shohin në ekranin e tyre, dhe duhet t’ua shpjegojnë për ditë artin e shprehur në disa shkonja.

Drejtori i përgjithshëm i këtij televizioni me aprovimin e kësaj sigle këtej e prapa mund t’i afrohet shkronjave dhe sheshimeve të Miamarit që persekuton edhe besimtarët myslimanë. Publiku shqiptar në një prej vendeve më perëndimorë të globit që respekton të gjithë kulturat, do të zbulojë më në fund edhe mbeturinat e zvastikës që kërcënojnë ndoshta të zvarriten në siglën e palexueshme dhe të dyshimtë.

Sigurisht historia ka kolonjarëve të tjerë të mëdhenj, që për fat janë luftëtarë të martirizuar të shkronjave shqipe. Të mos flasim për dy kolonjarët e tjerë të mëdhenj, Konicën dhe Fan Nolin, e pastaj për ata që janë vrarë për gjuhën shqipe dhe shkronjat shqipe, që as mund t’u shkonte mendja se një ditë prej ditësh shqiptarët e shekullit të XXI do të mburreshin me paçavure grafike për traditën e tyre të dyshimtë dhe të mjegulluar të ca kryqeve të thyer që u kanë shkuar për shtat të gjithë atyre që rradhiteshin si aleatë të Hitlerit.

Sigurisht që një bord i sotëm as e di se ku po i çon mushka drutë në këtë Shqipëri, që i ka humbur të gjitha orientimet përveç se xhepave ku futen paret. Kjo është një nga shkarjet e para të hapura dhe që tregon se ca njerëz të çoroditur nga hallet e shkaktuara çast per çast, po u dhurojnë për herë të parë shqiptarëve jo platformat digjitale, por platformëm e Shqipërisë së sotme.

Ata që kanë aprovuar atë sigël, për kushedi çfarë arsye banale apo gjynahqare, kur mijëra e mijëra fëmijë shqiptarë përshëndesin me shenjën e zemrës dhe shqiponjës së tyre në një kanal që u takon të gjithë shqiptarëve s’kanë bërë gjë tjetër por një zero por pa xhufkë fare. Kjo është më e mira që mund t’u thuash. Është njësoj si të nxjerrësh në fushën e mejdanit hedhjen e shkronjave shqipe në gropën e gëlqeres, si mësuesin e madh të Kolonjës, Petro Nini Luarasin.

Të tjera

Dinamikat e punësimit

Nga Marsida Simo Punësimi është një çështje shumë e diskutuar prej kohësh, dhe sigurisht që do të ketë gjithmonë rëndësi…

Abissnet