Paratë me fajde, si ranë viktimë dy djemtë e ish-prefektit të Shkodrës

Ish-kancelarë gjykate, policë dhe noterë, dhe ish-drejtori i LSI-së i Patentave në Shkodër, të përfshirë në një skemë të fajdeve të zbuluar nga hetimet e nisura prej 25 janarit të 2018-ës nga Prokuroria e Shkodrës në sajë të referimeve nga policia e këtij qarku

Erjon Dervishi

Zbulohet “banka private” e fajdexhinjve në Shkodër. Në skemë është provuar se janë të përfshirë 22 persona, 12 prej tyre kanë rënë në pranga, katër janë shpallur në kërkim, dhe tre janë pezulluar nga detyra dhe janë me masë detyrim paraqitje, mes të cilëve një polic dhe një notere. Me vendim gjykate janë arrestuar në kuadër të operacionit të koduar “Maranaj” 12 persona.

Djemtë e ish-prefektit të Shkodrës të varur nga kazionotë

Nga Shkodra mësohen detaje mbi operacionin “Maranaj” të policisë së Shkodrës. Të arrestuarit, sipas burimeve pranë prokurorisë, janë arrestuar pas një denoncimi të bërë nga ish-prefekti i qarkut Shkodër, Paulin Radovani si dhe ish-këshilltar në këshillin bashkiak të Shkodrës. Ai ishte për shumë vite me radhë edhe një biznesmen i njohur në Shkodër, sipërmarrës në fasoneri. Por prej 2-3 vitesh nisën problemet me djemtë e tij, një prej të cilëve anëtar në këshillin aktual të bashkisë Shkodër, Elton Radovani. Ai për shkak të bixhozit dhe varësisë ndaj kazinove nisi duke marrë hua shuma të mëdha parash tek persona të ndryshëm në Shkodër të cilët ia lëshonin me një përqindje që varion nga 3-20%, siç bën të ditur prokuroria e Shkodrës. Këto fajde bënë që ish-prefekti të nisë dhe të shesë disa prej pronave të tij. Disa i shiti brenda një kohe të shpejtë ndërsa disa prona të tjera ia morën fajdexhinjtë duke qenë se nuk kishte shlyer tek ata borxhet që kishte. Disa të tjerëve nuk arriti që t’ia shlyente fajdet dhe kështu nisën që edhe t’i bënin presione. Në një moment ish-prefekti edhe është goditur teksa ka qenë duke shkuar në shtëpinë e tij ndërsa mësohet se ka dy urdhra mbrojtjeje nga gjykata pikërisht për shkak të këtyre problemeve. Dy djemtë e ish-prefektit kohët e fundit janë arratisur jashtë Shqipërisë për t’i shpëtuar përndjekjes nga fajdexhinjtë ndërsa vetë ish-prefekti mësohet se ndodhet ende në Shkodër. I ndodhur mes këtyre problemeve në një moment Paulin Radovani ka vendosur që të shkojë në prokurori dhe të denoncojë disa prej emrave të cilëve ai vetë apo dy djemtë e tij i kishin marrë para hua.

Hetimi

Sipas hetimeve të prokurorisë, është vërtetuar përfshirja e këtij grupi personash në veprimtarinë e organizuar të dhënies së huasë, jashtë sistemit bankar, të shumave të konsiderueshme të të ardhurave monetare. Huatë janë dhënë me interesa shumë të larta, që variojnë nga 3-20 % në javë nga ana e personave të implikuar. Përmes kësaj skeme, të dyshuarit kanë përfituar pasuri të paluajtshme (toka, apartamente, dyqane), dhe automjete, të cilat i kanë kaluar në pronësi të tyre. Kjo, pasi kush nuk paguante borxhin, për 1 javë anëtarët e kësaj organizate kriminale, i merrnin makinat dhe pronat dhe i kalonin në emër të tyre. Një specialist i zonës në komisariatin e Shkodrës, Ergys Lohja, është pezulluar nga detyra, bashkë me noteren Valbona Hajdari dhe përgjegjësin e sektorit të Ndriçimit pranë Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Bashkinë e Shkodrës, Altin Salihi. Një person u arrestua pasi policia publikoi rezultatet e operacionit. Ish drejtori i LSI tek Patentat, Ilir Sokoli 38 vjeç, banues në Shkodër, po udhëtonte në drejtim të Kosovës përmes pikës kufitare në Morinë, për tu larguar jashtë vendit. Prokuroria thotë se me vendim të gjykatës është ushtruar kontroll në një numër të madh banesash, ku janë gjetur dhe sekuestruar një numër i madh automjetesh, vlera të konsiderueshme monetare, rreth 500.000 euro, aparate celularë dhe të tjera. Prokuroria ka bërë përgjime telefonike, ambientale, vëzhgime, të gjitha të legjitimuara nga Gjykata, prej nga është faktuar përfshirja e 22 personave në veprat penale “Ushtrim pa licencë i veprimtarisë bankare”, me pasoja të rënda, në bashkëpunim, “Pastrim i produkteve të veprës penale”, “Shpërdorim detyre”, “Prodhim dhe Mbajtje pa leje e armeve luftarake dhe municioneve” dhe “Moskallzim te krimit”. Operacioni policor “MARANAJ” i ndërmarrë nga Drejtoria e Policisë Vendore Shkodër drejtohej nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, me mbështetjen e Drejtorisë për Krimet Ekonomike e Financiare, Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale, Drejtorisë se Forcës Lëvizëse Operacionale në Departamentin e Sigurisë Publike. Pas një hetimi proaktiv disamujor, siguruan prova për  të dyshuarit.

Gjatë hetimit proaktiv janë krijuar dyshime të arsyeshme si dhe janë gjetur e sekuestruar prova materiale që hedhin dritë mbi aktivitetin e tyre kriminal. Vazhdojnë hetimet financiare për dokumentimin e të gjitha pasurive të vëna nga aktiviteti kriminal, me qëllim sekuestrimin, konfiskimin dhe rikuperimin tek viktimat e krimit. Në këtë operacion morën pjesë 160 forca policore dhe 30 automjete të policisë, përfshirë edhe automjete për transportim mjetesh transporti. Në vazhdim të hetimit me vendim të Gjykatës së Shkallës Parë Shkodër u dhane 19 masa sigurie, nga të cilët; 16 masa arrest me burg; 2 masa “Pezullim i ushtrimit të një detyre apo shërbimi Publik” ; 1 masë sigurimi “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, si dhe 22 masa të tjera për kontrolle banesash e ambientesh.

Të arrestuarit:

Byrhan Alija 61 vjeç nga Shkodra; Edi  Memcaj, 33 vjeç nga Shkodra; Adri Bala 22 vjeç nga Shkodra; Artan Dragani 39 vjeç nga Shkodra; Marjan Bregu 31 vjeç nga Shkodra; Vinko Nikprelaj 37 vjeç lindur në Podgoric dhe banues në Shkodër; Eduard Fusha, 38 vjeç nga Shkodra; Elidon Qerimaj, 41 vjeç, nga Shkodra; Pashko Vuksanlekaj, 54 vjeç nga Shkodra; Lul Sylja, 48 vjeç nga Shkodra; Naim Ahmetaj  52 vjeç lindur në Pukë dhe banues në Tiranë; Ilir Sokoli 38 vjeç, banues në Shkodër. U ekzekutua gjithashtu edhe masat e sigurisë, “Pezullimi i ushtrimit të një detyre  dhe “Detyrim Paraqitje” për: V.H., nga Shkodra; A.S., nga Shkodra; E.L., nga Shkodra. U sekuestruan: 238 600 Euro CASH; 272  400 dollare CASH; 414 000 Lekë; 510  Paund Britanik; 20 automejte  transporti; 1 revolver; 1 krëhër pistolete me fishekë; 1 armë gjahu pa leje; 5  kompjutera laptop; 50 celularë; Dokumente, kontrata, akte dhe deklarata noteriale, për pasuri e transaksione financiare të dyshuara.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet