Paralajmërimi i Ramës/ Bizneset me dy bilance, zbulohet urdhëri që çoi qeveria në banka

Publikuar më 15. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Neritan Gjergo

Kryeministri u lë edhe një muaj afat bizneseve që të tregojnë pagat reale në tatime. Shkresa e shtatorit 2015 e Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave ndaj oficerëve të kredisë nëse toleronin bizneset joformale dhe si do të ndikojë në dhënien e kredive

Kryeministri Edi Rama ka bërë një paralajmërim të hapur për bizneset shqiptare, e konkretisht për fenomenin e kryerjes së një sërë bilancesh, ku rëndom shumë sipërmarrje bëjnë një pasqyrë financiare për shtetin, e një reale për bankat me të cilat janë lidhur. Përpara përfaqësuesve të sistemit bankar në vend, kryeministri deklaroi se duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm kjo praktikë që i lë shteg të hapur pastrimit të parave, do të marrë fund. “Duke filluar nga viti ardhshëm shteti shqiptar, qeveria e Shqipërisë, administrata jonë tatimore nuk do të njohë asnjë bilanc të kompanive të papërputhur me bilancet që disponojnë bankat.

Historia e dy bilanceve, që  kur vinte banka, kompanitë tregojnë sa shumë kanë dhe kur vinte shteti, kompanitë  tregojnë sa keq janë, do marrë fund nga janari i  vitit 2018.  Ka dy vjet që  e kemi bërë me dije dhe prandaj, të gjitha kompanitë, – sigurisht, objektivi janë kompanitë e mëdha, – duhet ta kenë shumë  të qartë, tatimet e Republikës së Shqipërisë nuk do të njohin asnjë bilanc tjetër, përveç bilancit që këto kompani iu dorëzojnë bankave, për të treguar sa shumë kanë dhe mbi atë bazë do të tregojnë detyrimet e tyre për arkën e buxhetit të shtetit.

Përfitoj nga rasti, – edhe pse mund të mos ketë lidhje të drejtpërdrejtë me Konferencën, por prapë s’ka gjë që nuk ka lidhje me bankat, për fat të keq në botën ku jetojmë, – që sot, ne kemi 800 kompanitë më të mëdha të vendit që, imagjinojeni,  deklarojnë se 42 % e punonjësve të tyre paguhen nën 300 mijë lekë të vjetra, deri edhe inxhinierë. Pra, kemi të bëjmë me një shmangie të patolerueshme të detyrimeve ndaj punonjësve, duke ju dhënë gjysmën e rrogës mbi dorë dhe gjysmën e rrogës nën dorë, duke ju kompromentuar seriozisht të ardhmen dhe pensionin e natyrisht, një dëm të drejtpërdrejtë për arkën e shtetit dhe padyshim, për shoqërinë si e tërë.

Shkresa, dy vite më parë

Parlajmërimi i Ramës nuk është i pari për bizneset me dy bilance. Në shtator 2015, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPP) u nisi një shkresë të gjitha bankave tregtare në vend, ku i paralajmëroi se në rast se nuk raportonin rastet kur konstatonin se subjektet tregtare kanë bilance të dyfishta, oficeri i bankës mbante përgjegjësi penale. DPPP e klasifikonte veprën e falsifikimit dhe mashtrimit me bilancet si krim fiskal sipas ligjit për parandalimin e pastrimit të parave, ndërsa personat në bankë që ishin në dijeni të rasteve të tilla dhe nuk i denonconin , do të thoshte se konsumonin vepër penale.

Në shkresën e drejtuar bankave thuhej: “Megjithëse dihet, gjejmë rastin të ritheksojmë se sipas nenit 12 të ligjit nr.9917, datë 19.05.2008, bankat kanë detyrim të raportojnë në DPPP jo vetëm rastet që lidhen me pastrimin e produkteve të veprës penale, financimin e terrorizmit, por edhe rastet, kur dyshohet, apo dihet se po kryhet, është kryer apo tentohet të kryhet vendosja/injektimi i fondeve që rrjedhin nga veprimtari kriminale, ndër të cilat janë edhe falsifikimet dhe krimet fiskale, çka esencialisht do të thotë se në asnjë rrethanë banka nuk mund të pranojë të dhëna financiare, të ndryshme nga ato zyrtare, pasi: -qartazi shkel ligjin .9917, datë 19.05.2008 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit”, i ndyshuar, duke u bërë palë me skemën mashtruese dhe duke cenuar rëndë detyrimet që rrjedhin nga ky ligj.-persona të veçantë në bankë mund të konsumojnë veprën penale të parashikuar në nenin 287 të Kodit Penal “Pastrimi i produkteve të veprës penale ”, duke pranuar me dijeni fshehjen, mbulimin e origjinës së paligjshme të të ardhurave, burimit të tyre etj; investimin në veprimtari financiare të fondeve publike të veprës penale ose veprimtarisë kriminale (së paku që burojnë nga fshehja e të ardhurave, neni 180 i Kodit Penal)”.

Në materialin që u ishte dërguar bankave jepej një shembull i dy bilanceve që një kompani dorëzoi në bankë, ku ishte një diferencë prej 11 milionë lekë më shumë të gjendjes monetare të një subjekti në bilancin real (përkatësisht 1.1 milionë lekë në bilancin zyrtar dhe 12 milionë lekë në atë real). Gjithashtu ka diferenca të mëdha në zërat e aktiveve afatgjata (që janë të reduktuara në bilancin real), fryrje të shpenzimeve në bilancin zyrtar dhe diferenca në kapitalin e aksionerëve. Prej vitesh është bërë e zakonshme që bankat tregtare t’u kërkonin subjekteve aplikante për kredi dy bilance, atë zyrtarin që dorëzonin tek tatimet dhe realin që mbanin për vete, ku ky i fundit shërbente në më të shumtën e rasteve si bazë për vendimarrjen e punonjësve të bankave në miratimin apo jo të huasë.

Bankat kishin rënë dakord që gradualisht deri në vitin 2018, ato të pranonin vetëm bilancet zyrtare, në mënyrë që t’u jepej kohë bizneseve të formalizoheshin dhe bankave që të kishin një gjykim me të qartë mbi aktivitetin real të kompanive. “Më 1 janar të vitit 2018, bankat do të pranojnë vetëm deklaratën tatimore të bizneseve gjatë procesit të kredidhënies. Nuk do të ketë më pranim bilancesh ilegale dhe t’i përdorin si bilance që përbëjnë bazën e vendimit për të dhënë apo jo kredi”, pohonte Rama mëse 2 vite më parë. Megjithatë, kjo shkresë drejtuar të gjitha bankave e bën efektive menjëherë detyrimin për të pranuar vetëm bilancet zyrtare të subjekteve që aplikojnë për kredi. “Kërcënimi” për burg për oficerët e kredisë dhe ndalimi i menjëhershëm i marrjes në konsideratë të bilanceve reale, që mbajnë subjektet, pritet të stepë edhe më tej kredidhënien dhe kërkesën për hua në ekonomi, që dhe pa këto masa ishte tepër e brishtë.