Pandi Madhi: Ju rrëfej porositë e tim eti për artin!

Nga Valeria Dedaj

Ekspozita / 80 grafika dhe vizatime për Tiranën, që nuk është më u prezantuan në Muzeun Historik Kombëtar! Këto tablo janë bërë nga dhjetë artistë, disa prej të cilëve nuk jetojnë më. mes tyre edhe Guri Madhi, i cili sot bën 30 vite që është ndarë nga jeta. Flet i biri

Tirana si frymëzim për artistët pamorë shqiptarë u prezantua në Muzeun Historik Kombëtar në 80 vizatime edhe grafika. Është Tirana e viteve ’55 deri vitet e fundit! Janë vende, brenda edhe jashtë kryeqytetit, që dikur kanë qenë të njohura për të gjithë, ndërsa vitet e fundit nuk ekzistojnë më. Janë vende që janë shënuar në kujtesën e njerëzve fort, por dhjetë artistët Andon Kuqali, Gruri Madhi, Dhimitër Theodhori, Zef Shoshi, Ksenofon Dilo, Lec Shkreli, Abaz Hado, Adnand Kastrati, Ruben Hajnaj dhe Hermon Madhi këtë nostalgji e kanë kthyer në art të përjashtëm.

 

Ndonëse, disa nga artistët nuk janë më mes nesh, vizatimet edhe grafikat e tyre rrëfejnë një histori të vërtetë, sepse punimet janë impresioni i parë i sheshit “Skënderbej”, “Pazarit të ri”, “Urës së tabakëve”, “Pallati i Kulturës” etj. Kjo ekspozitë e organizuar dhe kuruar nga Anila Hajnaj bashkë me Pani Madhin, djalin e “Artistit të Popullit” Guri Madhi (1921-1988), i cili sot bën 30 vite që nuk është më mes nesh. Prandaj, kjo ekspozitë është edhe një in-memoriam për të. Pandi Madhi rrëfen për “Shekulli”-n rëndësinë që ka kjo ekspozitë dhe porositë që i ka lënë i ati për artin.

Zoti Madhi, sot bëjnë 30 vite pa artistin Guri Madhi, por çfarë rëndësie ka kjo ekspozitë kolektive për ju?

Ne ju përgjigjem pozitivisht ftesës që na bëri organizatorja e kësaj ekspozite, Anilës, sepse përkoi edhe me 30-vjetorin nga ndarja nga jeta e babait. Është bukur që ai është bashkë me kolegët në këtë ekspozitë retrospektivë, që trajton tematikën e qytetit të Tiranës ndër vite, në vizatim dhe grafik.

Tablotë që kemi përzgjedhur lidhur me Tiranën, që nga “Beteja e Mushqetas”, “Avni Rustemi në Parlament”, “Minatorët e Valiasit” apo edhe peizazhe, që babai i ka realizuar në pastel tek liqeni etj. Janë punë që janë bërë drejtpërdrejtë në natyrë, siç është “Autoportreti i fshatares apo i fshatarit” me personat përkatës. Në disa prej tyre kam qenë i pranishëm.

Si mbani mend babanë kur punonte?

Padyshim që kur shkonte në fshat qëllimi i tij ishte që të bënte vizatime, sepse të punuarit me ngjyra në lëvizje ishte i vështirë. Nuk e harronte asnjëherë bllokun e vizatimit.

Mendoni që të bëni diçka më tepër për ekspozimin e këtyre veprave pranë publikut?

Ndonëse, deri tani nuk shikoj ndonjë zhvillim, sepse janë hedhur ide të ndryshme për artistë, që nuk jetojnë më. Por, mendoj, se ky art mund të jetë një atraksion për ata që vizitojnë Shqipërinë. Ne këto “armë” kemi në Shqipëri, nuk kemi gjëra të tjera për të prezantuar, pasi të huajt që vijnë në vendin tonë kanë parë ndërtime dhe gradaçela. Mendoj se arti i viteve ’45-’90 është shumë interesant, e aq më tepër edhe vizatimet që ekspozohen këtu, pavarësisht rrethanave kur është bërë, është një krijimtari jashtë censure, sepse nuk ka shumë lidhje me rregullat e realizmit socialist. Ndryshe nga çfarë ndodhi pas ’90, që autorët kanë qenë edhe më të çiltër, sepse kanë bërë atë që kanë dashur.

E vuajti censurën, çfarë thoshte?

Padyshim, sepse ai jetoi në një periudhë shumë të vështirë. Jeta e tij ka qenë e vështirë. Ka qenë dëshmia e kohës, që e jetoi me shumë zigzage dhe me probleme që pati. Është rasti i vetëm në Shqipëri, që është Artist i Popullit, edhe pse i përjashtuar nga Partia e Punës që në vitin 1967. Ai është përpjekur, që edhe në ato kushte edhe në ato rrethana të bënte një lloj revolucioni në art. Duke u bazuar tek ajo që thonë artistët për krijimtarinë e tij, unë mendoj se e ka arritur.

Sot kanë kaluar 30 vite pa të, çfarë ju mungon më shumë prej tij?

Prindërit artistë kanë një të mirë të madhe, që janë gjithmonë të pranishëm me veprën e tyre. Kanë kaluar 30 vite edhe më duket sikur kjo kohë nuk ekziston, ai është sikur është çdo ditë aty. Kjo është e mira e një prindi artist, që të krijon këtë gjendje, sikur është aty gjithë kohës. Ndarjen e tij nga jeta në mënyrë të papritur vitet e para e kemi përjetuar shumë keq.

A i kujtoni porositë apo këshillat që ju ka dhënë?

Ka shumë këshilla të vyera që na ka dhënë! Një prej tyre lidhet me artin dhe njohjen e tij. Kur bisedonim, asokohe isha i ri edhe nuk e njihja artin si e njoh sot, por këshilla e tij ishte që: “Nëse do që të njohësh artin duhet që të shohësh sa më shumë art”. Kjo ka qenë porosi e tij, sepse mendonte se vetëm kështu krijohen shijet estetike, që mund t’i kultivosh edhe më tej.

Por, një kujtim tjetër ka qenë në mesin e viteve ’80. Asokohe ishte botuar një libër, që kritikonte artin impresionist, post-impresionist edhe artin abstrakt. Unë e kisha blerë edhe i thashë: “Shih se çfarë libri të kam blerë”. Ai e pa, edhe tha: “Do më bësh një nder, a mund ta çosh prapë në librari këtë librin. Do të them një që që duhet ta mbash. Autori nuk është aq i zoti që të kritikojë kaq shumë, qoftë Van Gogh, Pikason etj. Edhe mbaje mend se, piktori më i madh i shekullit XX është Pikaso”. Edhe vërtet që ai është piktori më i madh.

Si e përjetoi përjashtimin nga Partia e Punës Guri Madhi

Me shumë vështirësi, por që fat të mirë kishte njerëz që e ndihmuan shumë. Disa prej tyre janë Thoma Deliana, ish-ministër i Kulturës dhe Arsimit, artistët Odhise Paskali, Sali Shijaku, Shaban Hadëri etj., Mund ta pësonte edhe më keq! Por, fati i tij i mirë ishte që kanë qenë shumë njerëz që e mbështetën.

Ishte një periudhë, që ai ishte i detyruar që të merrte pjesë në ekspozita, por ai i bënte ato vepra me shumë dëshirë, pavarësisht se ishin piktura zyrtare. Për arsye profesionale edhe ekonomike ishte i detyruar që t’i bënte mirë, sepse me të ardhurat që merrte mund të përmirësonte jetën e tij. Pas viteve ’75 ka pasur vështirësi shumë të madhe për të gjetur kanavacë edhe bojëra. Këtë e vuante shumë! Por ka qenë një piktor shumë i madh, aq sa vizatimet i bënte nga të dy krahët shpeshherë, për mungesë të materialeve, por edhe sepse gjithmonë punonte kur ishte i frymëzuar. Këtë gjë e kishte! Mund që të rrinte me ditë edhe javë të tëra pa punuar, por ne kur punonte i thoshim me humor: “Kur e zë penelin, e zë tartakuti”. Ka qenë një njeri i thjeshtë, sikundër ka thënë edhe Dritëro Agolli për të është: Kishte një të metë të madhe, ishte shumë ë shumë modest”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet