
Shtyhet për në 31 dhjetor 2020 rivlerësimi i pasurive të paluajtshme. Sipas Ministrisë së Financave vetëm për periudhën 18 mars deri më 18 maj 2020 numri i aplikimeve për rivlerësim ka rënë me 68%.
Në total deri në mars janë rivlerësuar 15 mijë prona, ndërsa për periudhën më pas deri në fund të muajit maj numri i aplikimeve ishte 4800.
Kadastra Shqiptare dhe Komisioni i Ekonomisë kërkoj shtyrje të afatit me tre muaj që të përfitonin të gjithë. Ministria e Financave pas këtyre kërkesave vendosi të shtyj afatin deri më 31 dhjetor 2020, nga 30 shtatori që ishte afati fillestar.
Kjo shtyrje është miratuar këtë të hënë edhe nga Komisioni i Ekonomisë. Deri më tani sipas Ministrisë së Financave në buxhet janë arkëtuar nga rivlerësimi vetëm 100 milionë lekë, nga 4 miliardë lekë që pritet të mblidhen në fund të procesit, pasi pritshmëritë janë për një rivlerësim prej 50 mijë pronash.
“Deri në muajin mars numri i rivlerësimeve të kryera është 15 mijë. Ndërkohë me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme si rezultat edhe i pandemisë procesi i rivlerësimit të pasurive u ngadalësua nga periudha 18 mars deri më 18 maj sipas të dhënave, numri i aplikimeve është diku tek 4800, pra një rënie e ndjeshme, me më shumë se 68%. Ne gjykojmë që ky proces të vijoj, dhe afati të zgjatet deri më 31 dhjetor për t’ju dhënë më shumë mundësi qytetarëve të cilët të mund të rifillojnë procedurën e rivlerësimit të pasurisë.
Të ardhurat e realizuara deri në këto momente janë diku tek 100 milionë lekë dhe presim që të kemi më shumë aplikime dhe arkëtime në periudhën në vazhdim. Ne vazhdojmë të kemi të njëjtën pritshmëri që të ardhurat që do të realizohen do të jenë 3.5 ose 4 miliardë lekë deri në fund të këtij procesi”, u shpreh zëvendësministrja e financave Vjerro.
Çfarë është vlerësimi i pasurive të paluajtshme?
Vlerësimi i pronës është një përllogaritje e vlerës së pronës sipas të dhënave të caktuara, e përcaktuar nga një vlerësues profesionist i kualifikuar apo nga një vlerësues pronash. Vlerësimi i pronës që do të shërbejë si kolateral për bankën është një nga dokumentat me të rëndësishëm për bankën. Bazuar mbi vlerën e nxjerrë nga eksperti banka bazon dhe vlerën e kredisë (në bazë të kritereve të percaktuara).
Vlera e pronës mund të bazohet në kostot e zëvendësimit, shitjet e pronave të krahasueshme apo në kapacitetin e pronës per të prodhuar të ardhura.
Vlerësimet përfshijnë një inspektim fizik të pjesës së brendëshme dhe të jashtme të një enti banimi, si edhe një vlerësim të zonës përreth. Rezultatet e këtij inspektimi më pas paraqiten në një raport vlerësimi që evidenton çdo kusht që mund të ketë ndikim negativ në vlerën e pronës, si p.sh. nëse ka nevojë për riparime për ta bërë shtëpinë të banueshme apo në rastin e ekzistencës së kushteve negative të mjedisit.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/
Leave a Reply