Panairi i Librit/ Librat që do të gjeni te stenda e “MAX”

Publikuar më 14. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Valeria Dedaj

Panairi i 20-të i Librit çelet nesër në Pallatin e Kongreseve. Rreth 100 shtëpi botuese prezantojnë më shumë autorë të huaj, se sa vendas. Kryetari i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri, thotë se këtë vit tirazhet janë ulur, 200 kopje për një libër

Panairi i 20-të i Librit çelet nesër, ora 09.00, në Pallatin e Kongreseve. Rreth 100 shtëpi botuese nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia edhe Mali i Zi prezantojnë për lexuesit autorë vendas dhe të huaj. Kryetari i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri, ngre disa shqetësime, të cilat botuesit janë duke i hasur dhe në këtë vit jubilar (20-vjetor).

Ai tregon se libri është në krizë, tirazhet janë ulur deri në 200 kopje për një libër të ri, ndërsa botuesit vijnë me më pak tituj të rinj. Më pak tituj të rinj, më pak takime me autorë, më pak prezantime librash, seminare apo edhe konferenca personale dhe asnjë autor i ftuar nga Shoqata e Botuesve të Shqipërisë. Kjo është panorama në këtë vit jubilar në Panairin e Librit 2017, ku asnjë institucion tjetër shtetëror apo privat, përveçse Ministrisë së Kulturës (1 milion lekë të rinj), nuk ka kontribuuar financiarisht.

20 vite Panair i Librit

Panairi i Librit këtë vit feston 20-vjetorin e krijimit. Prandaj sikundër thotë kryetari i Shoqatës së Botuesve pjesëmarrja dhe angazhimi i botuesve është i plotë nga të gjithë botuesit dhe operatorët, që merren me librin në Shqipëri, në Kosovë, Maqedoni dhe në Mal të Zi. “Pavarësisht nga situata jo fort e begatë, jo fortë e shëndetshme, që ka shoqëruar këtë periudhë sektorin libror, sepse ka rënie të titujve të botuar edhe të tirazheve, sërish botuesit janë mobilizuar për t’u shërbyer dhe për të kënaqur kërkesat dhe shijet e lexuesve. Objektivi i botueseve është vepra dhe përkthimi me cilësi, paraqitjet sa më të mira të librit, por dhe politikat promovuese për të tërhequr lexuesin”.

75 shtëpi botuese në Panair nga Shqipëria, të tjerat nga Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia

Këtë vit janë 96 subjekte, që marrin pjesë në Panairin e Librit 2017, pjesa dominuese është nga Shqipëria. Rreth 20 botues vijnë nga Kosova dhe në masën më të madhe prezantohen në stendën e botuesve të Kosovës, por ka edhe disa shtëpi botuese të Kosovës, që janë veçmas. Ka botues nga Mali i Zi dhe Maqedonia, të cilët do të vijnë me botime jo vetëm në gjuhën shqipe, por dhe në gjuhë sllave.

25 vite Shoqata e Botuesve, por pa asnjë autor të ftuar këtë vit

“Shoqata e Botuesve nuk ka asnjë mik këtë vit, por shtëpitë e tjera botuese do të sjellin autorë të huaj. Ndërsa, ne si organizator nuk kemi mundësi. Ministria e Kulturës na ka mbështetur me 1 mln lekë të reja. Bashkia e Tiranës nuk na denjon, që të kthejë përgjigje, pavarësisht se kemi bërë kërkesë për t’i takuar”.

Më pak tituj të rinj për vitin 2017

Shtëpia botuese është si një lloj biznesi, që prodhon edhe shet. Nëse shitjet rrudhen nga viti në vit, kuptohet që kjo gjë do të jap rezultate, duke u ulur prodhimi i librave. “Ulet numri i titujve, ulen dhe tirazhet. Përpos kësaj nëse ne bashkëpunojmë me një përkthyes të mirë duhet ta paguajmë më mirë. Çmimet e shtypshkrimeve janë rritur në një kohë kur të ardhurat nga shitjet janë ulur. Prej shumë vitesh nuk kemi investime për furnizime bibliotekash publike, të qyteteve dhe të shkollave”. Përsa i përket mbështetjes nga “Europa krijuese”, Ymeri shprehet se nuk fitojnë të gjithë, por vetëm disa, sepse duhet plotësuar disa kushte. Nuk mundet të paguash bashkëpunëtorët siç i paguan normalisht, por do t’i paguash me tarifat e Europës, pra investimi më i madh këtu shkon për forcat krijuese. “Investimet evropiane janë për pesëdhjetë me pesëdhjetë. Shpenzimet ndahen përgjysmë, nuk është si PPP (Partneritet Publik Privat)” (qesh).

Uljet në Panair, Ymeri: S’mund t’i imponojmë botuesit
Ymeri tregon se gjatë Panairit të Librit ulja e çmimeve stimulohet, por nuk mund të vendoset sesa do të ulë një shtëpi botuese. “Çmimet e shitjeve të librit në Shqipëri nuk janë të larta, por janë të ulëta. Kjo gjë në raport me koston dhe me shpenzimet, që do të bëjmë ne. Ne ulim çmimin, duke marrë parasysh mundësitë e lexuesit. Politika e vendosjes së çmimit të librit në Europë është katër deri në gjashtë herë më shumë se kostoja. Ne nuk shkojmë as te dy herë më shumë, sepse nëse e ngremë çmimin më shumë libri nuk shitet. Këto janë mundësitë e tregut! Edhe botimi i librit me tirazhe të vogla e rrit koston për njësi, nuk e ul. Nëse bën një libër 10 mijë kopje, që nuk bën vaki tek ne çmimi për njësi del më i vogël, edhe ti ke mundësi, që ta shesësh në mënyrë më të favorshme për lexuesin, por ne nuk kemi mundësi që ta bëjmë këtë. Ne tani kemi filluar të botojmë libra me 200 kopje, më para nuk kemi pasur tirazh më të ultë se 500 kopje. Këto janë tirazhe provë. Gjendemi në një situatë, që nuk na pëlqen”.

TVSH-ja e librit në Shqipëri, më e larta në Europë

Tatimi mbi vlerën e shtuar për një libër në Shqipëri është më e lartë se në vendet e tjera të Europës. “Ne kemi bërë letra, kemi bërë kërkesa, por nuk mundet të bëjmë më shumë se kaq. TVSH-ja e librit është 20 % në Shqipëri, por kjo TVSH, të cilën Europa e ka 6 % më të lartën; Italia 4 %, Greqia dhe Franca 6 % është një TVSH absurde, se ne e kemi 20 % në blerje dhe zero në shitje. Nuk është një taksë e rimbursueshme, pavarësisht se duhet të na kthehet”.

Programi

Gjatë vitit që lamë pas në Panairin e Librit u zhvilluan rreth 60 aktivitete, ndërsa në këtë vit situata është ndryshe. Nesër, ora 11.00 në sallën ovale do të zhvillohet ceremonia e hapjes së Panairit. Në datë 17, në orën 10.00 do të zhvillohet aktiviteti “Dita Kombëtare e Ndërgjegjësimit për Librin”, organizuar nga Universiteti Bujqësor i Tiranës.

Në orën 18.00 do të zhvillohet workshop-i “Të rinjtë në përkthime”, në kuadrin e Projektit të Creative Europe “Different Voices”. Në datë 19, ora 12.00 do të ndahen çmimet e Panairit të Librit 2017, organizuar nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë.

Në stendën e “MAX” nesër do gjeni këshillat më të mira për biznesin dhe prindërimin

Një libër i mirë bën, që lexuesi të gjejë më të mirën brenda vetes, duke e kthyer në fuqi për të përmirësuar jetën. Në një periudhë kur studimet, karriera apo nisma të reja në biznes mund të shkaktojnë gjendje ankthi e stresi, duke hasur vështirësi në menaxhimin e tyre në ndihmë vijnë librat, që ju bëjnë të dilni nga kaosi. Për të gjetur brenda vetes atë, që ju nevojitet për të qenë i suksesshëm Shtëpia Botuese “MAX” prezanton në këtë Panair tituj të rinj, por jo vetëm. “Si të bëhesh i pasur” & “Këshilla më e mirë mbi pasuritë e patundshme, që kam marrë ndonjëherë” nga Donald Trump; “Flisni me adoleshentët” nga Jean Sunde Peterson; “Zemërimi tek adoleshentët” nga Laura Longhine; “Mos i gjyko punonjësit” nga Steve Chandler & Duane Black etj., janë vetëm disa nga titujt, që sugjerojmë për lexuesit.

 “Si të bëhesh i pasur” & “Këshilla më e mirë mbi pasuritë e patundshme, që kam marrë ndonjëherë” nga Donald Trump

Të gjithë në një mënyrë apo në një tjetër jemi në kërkim të njerëzve të suksesshëm, prej të cilëve mund të mësojmë strategji të reja. Kur bëhet fjalë për pasuri dhe prosperitet financiar, pak mund të ofrojnë shembuj jete, si Donald Trump. Në Shqipëri njohim pak nga metodika e tij, por në SHBA librat dhe emisionet televizive, që Trump ka bërë kanë pasur një sukses marramendës për idetë e tij sa revolucionare, aq edhe të pazakonta. Nëse keni ëndrra të mëdha dhe jeni duke kërkuar për strategji, që t’i bëni ato realitet libri “Si të bëhesh i pasur” i Donald Trump, botuar nga “MAX” është pikërisht ajo për të cilën keni nevojë. “Për të bërë një bukë, ju duhet të pyesni bukëpjekësin; për të bërë para, duhet të pyesni një miliarder”, shkruan Donald Trump. Në libër ai rrëfen jetën e tij me grintën, vendosmërinë dhe ftohtësinë, që e karakterizon u shpjegon lexuesve formulën e tij për pushtet dhe pasuri. Ky libër është një guidë e mirë sa për sipërmarrësit aq edhe për punonjësit e tyre.

Një tjetër libër i Presidentit Donald Trump, botuar nga “MAX” është “Këshilla më e mirë mbi pasuritë e patundshme, që kam marrë ndonjëherë”. Në këtë libër presidenti i SHBA-së ka shkruar këshillat më të vlefshme, që ka marrë nga njerëzit e suksesshëm edhe me eksperiencë në fushën e pasurive të patundshme. Vet Tump shkruan se: “Edhe nëse është një marrëveshje mbi pasuritë e patundshme apo ndonjë sipërmarrje tjetër, çelësi është të gjesh diçka që ti pëlqen ta bësh, dhe më pas ta bësh atë më mirë sesa kushdo tjetër, sepse suksesi vjen më lehtë për njerëzit, të cilët ndjekin pasionin e tyre”.

“Flisni me adoleshentët” nga Jean Sunde Peterson

Edhe librin “Flisni me adoleshentët” e Jean Sunde Peterson nga dita e nesërme do të gjeni në stendën e botimeve “MAX”. Një libër për të gjithë adoleshentët, që “thjesht të flasin” për të ndarë ndjenja dhe me bashkëmoshatarë, që mbështetin dhe me një të rritur të vëmendshëm. Libri prezanton diskutime të drejtuara, të cilat janë zhvilluar nga shumë vite pune me nxënësit dhe të dëgjuarit të tyre. Autorja ka drejtuar me qindra seanca grupe të vogla me adoleshentë dhe vijimësia e tyre ka zgjatur një semestër apo një vit të plotë shkollor. Shumica janë zhvilluar në shkolla të ndryshme, përfshirë shkollat alternative për nxënësit në rrezik, por disa grupe me një seancë apo afatshkurtra janë zhvilluar në mjedise qendrash rehabilituese rezidenciale dhe ditore për adoleshentë apo të rritur. Ky libër sugjeron veprimtari dhe ushtrime me shkrim. Vet autorja ka qenë dëshmitare e përfitimeve që këto grupe diskutimi kanë sjellë për individë të moshave të ndryshme dhe niveleve të aftësive.

“Zemërimi tek adoleshentët” nga Laura Longhine

Adoleshenca, faza më e vrullshme e jetës përsa i përket ndryshimeve psikologjike, fizike dhe sidomos rinjohjes me vetveten dhe asaj që gjendet rreth teje. Jo të gjithë adoleshentët kanë fatin të rriten në familje të shëndosha, madje disa prej tyre janë pre e abuzimeve psikologjike dhe fizike, çka u shkakton atyre pasiguri dhe lëkundje të mëdha të personalitetit. Çrregullime këto të drejtuara nga vala e zemërimit, që ata kanë akumuluar brenda vetes. Një autore si Laura Longhine e di mirë këtë, prandaj sjell një përmbledhje me rrëfime të adoleshentëve, që mbajnë mbi supe përvoja të dhimbshme në librin “Zemërimi tek adoleshentët” botuar në “MAX”.

“Mos i gjyko punonjësit” nga Steve Chandler & Duane Black

Libri “Mos i gjyko punonjësit” botuar nga “MAX” është bashkëpunim i dy drejtuesve më produktivë të kompanive më të mëdha, Steve Chandler dhe Duane Black. Ky libër ndihmon lexuesin të gjejë madhështinë brenda vetes, të çlirojë potencialet e tij, duke arritur nivele të paimagjinueshme. Ky libër është një manual udhëheqës në veçanti për të gjithë ata persona, të cilët u duhet të menaxhojnë punonjësit. Leksionet e shkollës së vjetër, të cilat në ditët e sotme kanë bërë të dështojnë shumë biznese të vogla dhe ndërmarrje me emër, përqendrohen në menaxhimin me mbikëqyrje të punonjësve, duke i gjykuar dhe kritikuar ata. Ndërkaq një taktik e suksesshme e menaxhimit, mund të jetë zgjidhja e shumë pikëpyetjeve për drejtuesit, dhe kthesa e duhur për të arritur rezultate, të cilat nuk duhet të përbëjnë një qëllim më vete. Një mënyrë komunikimi e re me punonjësit, pa i mbikëqyrur, por duke i këshilluar dhe i trajnuar ata ka rezultuar për kompanitë më të famshme zgjidhja e duhur…