Paloka: Rama po ndjen frikën e protestave, ja vendimi që ka marrë

Nënkryetari i PD-së, Edi Paloka ka thënë se efekti i parë i protestës së opozitës ka dhënë rezultatet e para. Përmes një statusi në Facebook, Paloka thotë se qeveria nëpërmjet Autoritetit të Konkurrencës kërkon anulimin e vendimit të bashkisë së Tiranës për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm. Deputeti i PD shprehet se arsyeja e këtij vendimi ka ardhur për shkak të frikës së kryeministrit Edi Rama nga protestat e opozitës dhe revoltës qytetare.
Statusi i plotë:
Efekti i parë i protestës!
Qeveria nëpërmjet Autoritetit të Konkurrencës kërkon anulimin e vendimit të Velisë për rritjen e çmimit të ujit.
Vetëm FRIKA, se faturat e reja me çmimin skandaloz të ujit, që do ju shkojnë në shtëpi qytetarëve, do të rrisin revoltën dhe radhët e protestës së 27 janarit, e detyruan Ramën që nëpërmjet një prej agjencive të tij, t’i kërkojë kopjes së tij në bashki, anulimin e vendimit për rritjen e çmimit të ujit.
Vendimi për rritjen skandaloze të çmimit të ujit në Tiranë, u mor nga Veliaj duke blerë vota në këshillin bashkiak, në korrik të 2017, pra menjëherë pasi Rama ishte konfirmuar kryeministër po ashtu me vota të blera e të vjedhura. Rritja e çmimit të ujit ishte dhurata e parë që Rama dhe kopja e tij Veliaj ju bënë qytetarëve pasi ju kishin marrë përdhunshëm votën në zgjedhjet parlamentare.
Ishte absolutisht një vendim i Ramës dhe Velinës së tij. Vendim që nuk e sprapsi dot as kundërshtia e opozitës dhe as reagimet ( e dobëta në fakt) të mediave dhe qytetareve.
Konfirmim i kësaj të vërtete është fakti që Enti Rregullator i Ujit, që është po ashtu, tërësisht në duar të Ramës, e miratoi vendimin skandaloz të Velisë. Jo vetëm kaq po, Velina gjeti rast të bëj dhe cinikun duke hedhur në gjyq një prej këshilltarëve demokrat të bashkisë pse denoncoi si skandaloz dhe korruptiv një vendim të tillë.
Tani papritur, një tjetër agjenci, tërësisht e kontrolluar edhe kjo nga Rama, jep rekomandim që vendimi për rritjen e çmimit të ujit të anulohet.
Çfarë ka ndodhur ndërkohë që Rama “ndryshoi”? A mos u bë më i ndjeshëm papritur për interesat e qytetarëve…?!!!
Absolutisht vetëm një është arsyeja; FRIKA e protestës dhe rritja e revoltës qytetare, 27 janari.

Të tjera

Abissnet