Palmer: Bëni Reformën Zgjedhore dhe normalizoni demokracinë

I dërguari special i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, i ka bërë thirrje politikës shqiptare nga Forumi i Davosit në Zvicër. Palmer ka kërkuar nga politika që të përfundojnë sa më shpejt Reformën Zgjedhore duke u bazuar te rekomandimet e OSBE/ODHIR

Erjon Dervishi

Matthew Palmer, i dërguari special i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor i ka bërë sërish thirrje palëve politike në Shqipëri të ulen në tryezën e dialogut. Përfaqësuesi special amerikan për Ballkanin Perëndimor, gjatë Forumi botëror Ekonomik me liderët e botës, dhe ata të Ballkanit në Davos, ku është i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, tha se në Shqipëri duhet një dialog për të miratuar reformën zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR. “Do të na pëlqente të shihnim përparim, është e rëndësishme që themelet demokratike të Shqipërisë të jenë të fortë, që zgjedhjet të jenë të lira dhe që populli shqiptar ka lirinë të zgjedhë në mënyrë demokratike. Prandaj do na pëlqente të shihnim një dialog që sjell si rezultat një marrëveshje mbi Reformën Zgjedhore që zbaton rekomandimet e OSBE/OHDIR-it dhe një drejtim që çon sërish drejt normalitetit për demokracinë shqiptare”. tha Palmer.

Thirrja e Matthew Palmer nga Kosova

Palmer e përsëriti thirrjen për përfundimin e reformës zgjedhore dhe dialogun midis palëve politike, edhe një javë më parë, kur vizitoi Prishtinën. Ai i bëri thirrje udhëheqësve të partive në Shqipëri që të zgjidhin me vullnetin e tyre ngërçin politik, që ai e ka etiketuar “të fabrikuar”. Një thirrje të veçantë Palmer i ka adresuar opozitës jashtëparlamentare, të cilën e fton ta shfrytëzojë këtë rast për të negociuar me vullnet të mirë Reformën Zgjedhore, që po e kërkon me ngulm. Po ashtu, Palmer e ka joshur opozitën për të qenë faktor konstruktiv duke i thëne se komuniteti ndërkombëtar është i gatshëm të lehtësojë një përpjekje serioze në këtë aspekt. Palmer u shpreh se: “Dy fjalë edhe për opozitën e Shqipërisë, që është jashtë Kuvendit. Ju mund të luani rolin tuaj, shfrytëzojeni sepse bojkoti nuk ju solli fuqi më të madhe politike. Nuk detyroj dhe nuk mund të detyrojë zgjedhje të parakohshme. Prandaj shfrytëzojeni mundësinë për ta negociuar në mirëbesim për reformën zgjedhore që synoni. Bashkësia ndërkombëtare është e gatshme t’ju ndihmojë në këtë ndërmarrje serioze. Pastaj të ia prezantoni popullit tuaj të gjithë këto arritje të vërteta për të vendosur në mënyrë demokratike, përmes një procesi të drejtë zgjedhor se në çfarë drejtimi duan të shkojë Shqipëria”, ka qenë adresimi i të dërguarit të posaçëm të DASH, Matthew Palmer, nga Prishtina, gjatë një takimi me studentë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Palmer: Liderët e Rajonit po marrin në dorë fatin

Nisma e tri shteteve për të ashtuquajturën “Minishengeni Ballkanik” ka marrë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe këtë e bëri me dije zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer, i dërguari i posaçëm i SHBA për Ballkanin Perëndimor duke folur në Forumin Ekonomik Botëror, në Davos. Palmer nënvizoi se kjo nismë është shpresë dhënëse sipas tij dhe ka mbështetjen e amerikanëve, teksa duke e lidhur me vendimin e Bashkimit Europian për mos hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, tha se ky është një tregues që liderët e rajonit po marrin në dorë fatin e vendeve të tyre. “SHBA-të vazhdojnë të jenë të angazhuar në perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor që ka qenë themeli për angazhimin amerikan në rajon për më shumë se 20 vite. Kjo nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë. Kjo është edhe arsyeja pse pamundësia e Këshillit Europian për të gjetur konsensus dhe të fillojë bisedimet për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë ishte kaq zhgënjyese. Kjo nuk është fjala e fundit. Shpresojmë që Këshilli Europian t’i rikthehet çështjes në mbledhjen e liderëve në maj, në Zagreb, të arrijë konsensusin e duhur dhe të nisë atë proces aq të rëndësishëm duke dërguar sinjalin e rëndësishëm në rajon. Ndërkohë, ndërsa SHBA avancon drejt Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimi Europian konsiderohet deri në një farë niveli nga rajoni si duke u larguar, rajoni vetë po zhvillohet. Angazhimi i Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë të promovojnë bashkëpunimin përmes së ashtu-quajturës nisma e minishengenit është shpresëdhënës, është një tregues që liderët në rajon po marrin përgjegjësi për fatin e tyre, po marrin në dorë të ardhmen e vet. Arkitektura e kësaj nisme ka një skaj të hapur, ka vend për Malin e Zi, Bosnje dhe Hercegovinën, Kosovën. Nisma është premtuese, ka mbështetjen tonë dhe angazhimin tonë për të bashkëpunuar me liderët e Ballkanit Perëndimor për ta çuar përpara”, tha Palmer.

Forumi i Davosit dhe temat e diskutimit

Forumi Ekonomik Botëror në Zvicër mblodhi 26 krerët e shteteve, udhëheqësit e qeverisë nga Europa Jug-Lindore dhe partnerë të rëndësishëm, për të diskutuar rrugën përpara për forcimin e rritjes ekonomike dhe stabilitetin në rajon. Drejtuesit nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, si dhe aktorët kryesorë në rajon, u takuan në selinë e Forumit në Këlnje-Gjenevë, Zvicër, për të vazhduar dialogun që filloi në Takimin Vjetor të Forumit 2018 në Davos. Qëllimi i mbledhjes së nivelit të lartë ishte nxitja e partneriteteve që avancojnë integrimin rajonal dhe përparimin ekonomik dhe shoqëror, për të siguruar një platformë të paanshme për të diskutuar sfidat dhe mundësitë që janë duke formuar këndvështrimin politik dhe ekonomik të rajonit, dhe për të thelluar bashkëpunimin ndër rajonal. Pjesëmarrësit ranë dakord të vazhdojnë bashkëpunimin për masat kryesore që synojnë nxitjen e rritjes gjithëpërfshirëse, rritjen e konkurrencës dhe përgatitjen për Revolucionin e Katërt Industrial. Këto përfshijnë: Qendrën Rajonale për Revolucionin e Katërt Industrial: Ballkani Perëndimor do të fillojë një Qendër rajonale për Revolucionin e Katërt Industrial në rajon, i hapur për vendet fqinje. Qendra do të punojë në qeverisjen e politikës së të dhënave, inteligjencës artificiale dhe Internetit, robotikës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet