Pallati gati të shembet, nis evakuimi i 20 familjeve

Publikuar më 08. 01. 2018 nga Xhentila Gjoshi

Ka nisur evakuimi i 17 familjeve në Gjirokastër në pallatin 5-katësh dhe i 3 familjeve në banesën 2-katëshe që ndodhen në lagjen “Punëtori”, pasi rrezikohen nga rrëshqitjet e dherave. Vendimi është firmosur mbrëmjen e së dielës nga kryebashkiakja Zamira Rami, ndërsa familjet e evakuuara janë vendosur në Konviktin e Shkollës së Mesme Pedagogjike, deri në një vendim përfundimtar.
Familjet që banojnë në pallatin 5-katësh prej 3 ditësh kanë bërë apel për ndihmë te strukturat lokale dhe qendrore, por vendimi është marrë vetëm mbrëmë. Deri në momentin që u zhvendosën te Konvikti i Shkollës së Mesme Pedagogjike banorët e pallatit qëndruan në qiell të hapur, pasi nga çarja e tokës dhe rrëshqitja e dherave 5- katëshi rrezikon shembjen. Tmerri për banorët vijon, pasi në pallatin që rrezikohet sot të shembet, u kompensuan të dëmtuarit e 2008, ndërsa prokuroria ka nisur hetimet për rastin.