Padrejtësia e qeverisjes, 3.1 miliardë lekë të humbura nga gjyqet

Prishja e kontratave nga shteti me kompani e individë ka rritur faturën e taksapaguesve. Bashkia e Tiranës kryeson listën e keqmenaxhimit. Dëmi ekonomik çdo vit mbi 1 miliardë lekë 

Neritan Gjergo

Rreth 3.1 miliardë lekë është kosto e vendimeve gjyqësore të ekzekutuara në këto 3 vite, pa llogaritur ato që nuk janë ekzekutuar ende. Ndërrimi i destinacionit të fondeve nga qeveria apo bashkitë ka krijuar jo vetëm kosto, barrë e cila është paguar nga taksapaguesit, por ka krijuar kolaps edhe në mënyrën e administrimit të në pushtetin qendror dhe atë vendor. Sjelljet e dëmshme të shtetit që nuk respekton vetveten, pa llogaritur këtu vendimet për largimet e padrejtë nga puna janë listuar në databazën e Open Data Albania, në dy tabela përmbledhëse, ku del vlera e transaksioneve, 2.22 miliardë lekë për shpenzime gjyqësore dhe 903 milionë lekë shpenzime për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore. Nga listimi i institucioneve buxhetore rezulton se “fajtore” për një numër rekord çështjesh është bashkia e Tiranës, Drejtoria e Doganave, Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, Ministria e Mjedisit, por edhe dhjetëra institucioneve të tjera vendore në gjithë vendin. Mungesa e argumenteve ligjore nga këto institucione dhe vendimmarrja e shpejtë për të prishur kontrata të tenderuara ka qenë shkas që shuma të tejfryhet dhe dëmi ekonomik të jetë çdo vit mbi 1 miliard lekë. Një shembull më i thjeshtë për të kuptuar pse  çështjet shkojnë në gjykatë dhe institucionet detyrohen të paguajnë milionë lekë është edhe dalja para pak kohësh e një ministri, i cili deklaronte se fondet e tenderuara për një rrugë ((të drejta kontraktore të fituara në tender finalizuar me shpallje fituesi, por jo me nënshkrim kontrate) t’i kalonte për investime në konviktet e studentëve, nisur nga presioni i këtyre të fundit për kushtet skandaloze të bujtinave ku jetojnë përkohësisht. Por, që nga ky moment, edhe pse vendimi mund të marrë jehonë dhe aprovim nga studentët dhe opinioni publik, fillon loja me gjyqësorin. Kompania e cila kishte fituar parimisht kontratën, detyrohet që të kërkojë dëmshpërblim nga ministria në fjalë dhe me të drejtën që i jep gjykata fut në llogari të saj paratë e taksapaguesve. Ky është një shembull i rëndomtë, për të cilin ende nuk ka një ankesë nga kompania që do të ndërtonte rrugën me kontratë koncesionare, por në transaksionet e thesarit numërohen 338 pagesa në favor të palëve që janë dëmtuar padrejtësisht nga shteti dhe kanë përfituar shpërblime që prakiktikisht janë mbi 300 mijë lekë, por kapin edhe shifra që i kalojnë 15 milionë lekët.

Pezullimet

Një muaj më parë, organizata INFOCIP zbuloi të dhëna tronditëse për pushimin e punonjësve nga puna, jo vetëm për kalvarin e gjatë në dyert e gjykatave, por edhe shumat marramëndëse që takpaguesit shqiptarë duhet të paguajnë për kompensime. 100 milionë euro dëmshpërblime për heqje padrejtësisht nga puna. Kjo është fatura e kripur që shteti shqiptar ka paguar deri në vitin 2018, sipas kësaj organizate. Ky është shembulli nr.2 se si administrata vijon të trajtojë punonjësit militantë si të nënës, dhe ata që nuk i besojnë partisë si të njerkës. Por, më tepër se çështje mendësie, largimet nga puna kanë krijuar kosto të lartë për buxhetin dhe stres tek individët e dëmtuar. Sipas organizatës në fjalë, rreth 30% të ngarkesës së përgjithshme të punës së gjykatave administrative kishte të bënte me shqyrtimin e çështjeve civile mbi marrëdhëniet në punë, çka thjeshtohet me konkluzionin se një të pushuari nga puna në administratën shtetërore i duhen 840 ditë, pra 2,3 vjet, për të gjetur drejtësi në të dyja shkallët e gjyqësorit. Por, nuk mbaron me kaq. Nëse çështja mbërrin deri në Gjykatën e Lartë duhen edhe 1730 ditë të tjera, ose 4,7 vite, deri në vendimin final. Gjatë viteve 2017 dhe 2018, 77% e ankimuesve i fituan proceset gjyqësore me shtetin. Përballë këtyre vendimeve, shteti për vitin 2017 duhet të paguajë 19 003 paga, kurse për 2018, 10 625 paga e kthyer në vlerë monetare 15 milionë euro. Gert Shella, drejtor INFOCIP, tha: “Gjatë qeverisjes me ministra teknikë u raportuan 600 heqje nga puna, në 2019 pritet të kemi një faturë të re me rreth 7 milionë euro pagesa”. Për këtë fenomen,  presidenti i shtetit, Ilir Meta propozoi këtë zgjidhje.   “Ka ardhur koha që të sanksionohet me ligj që në rastet e pushimeve të padrejta nga puna, fatura e përballimit të dëmit t’i kalojë në ngarkim zyrtarit që ka marrë vendimin e padrejtë dhe që gjykata e ka konstatuar si shkelje. Dëmi nuk mund t’i ngarkohet më taksapaguesve shqiptarë, të cilët nuk kanë asnjë përgjegjësi për këtë situatë, përkundrazi janë të dëmtuarit kryesorë”. Por, kur do të marrë fund pagesa e miliona euro për të hequrit nga puna? Studimi INFOCIP propozon ndryshime ligjore ku të sanksionohet me vendim të formës së prerë kthimi i zyrtarit në punë e kësisoj do të shmangen dëmshpërblimet miliona euro.

Raporti

Largimet nga puna dhe kryesisht për shkaqe politike i kushtojnë taksapaguesve shqiptarë rreth 20 milionë euro çdo vit. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka vlerësuar kostot reale që sjell largimi i të punësuarve në administratë me ndërrimin e Qeverive.  Po nëse do ecet me këto ritme parashikohet se në 3 vitet e ardhshme shteti duhet të paguajë 30 mijë paga. Pra, për tre vite me radhë buxheti i shtetit do të duhet të përballojë një fond prej 20 milionë eurosh, përmes të cilit do të paguhen mijëra paga të administratës vetëm nga periudha 2017-2018. Vendimet gjyqësore të gjykatave vendase dhe ato të lidhura me çështjet e arbitrazhit ndërkombëtar apo Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut përbëjnë sipas KLSH risk real për nevojat për financim si pasojë e provigjionimit të dobët dhe mungesës së shkëmbimit të informacionit ndërmjet strukturave përkatëse shtetërore. KLSH ka konstatuar gjithashtu se nuk zbatohet parimi i regjistrimit të shpenzimeve në çastin e ndodhjes së tyre, por ato regjistrohen në momentin e pagesës, duke mos pasqyruar gjendjen reale te shpenzimeve dhe deficitit buxhetor sipas treguesve fiskalë të konsoliduar të Buxhetit të Shtetit.

(Transaksionet e fundit për vendimet gjyqësore)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet