Politikë

Rama i përgjigjet Bashës: Bojkoti i zgjedhjeve do sjellë opozitë të re

  • Xhensila
  • 21 Prill 2017, 20:33
  • Përditësuar 20:33
rama ne fbKryeministri i vendit Edi Rama në një shkrim në rrjetin social “facebook” i është përgjigjur kreut të PD-së, Lulzim Basha, ku thotë se kryetari i demokratëve e ka interpretuar thirrjen e Departamentit të Shtetit që gjithë partitë të hyjnë në zgjedhje, si një mbështetje për fantazinë e tij se po nuk hyri PD në zgjedhje, zgjedhjet nuk u bëkan as sipas Shteteve të Bashkuara!

 

Postimi i Ramës në Facebook

Lulëzimi e paska interpretuar thirrjen e Departamentit të Shtetit që gjithë partitë të hyjnë në zgjedhje, si një mbështetje për fantazinë e tij se po nuk hyri PD në zgjedhje, zgjedhjet nuk u bëkan as sipas Shteteve të Bashkuara!Në fakt e kundërta është e vërtetë. Shqipëria ka zgjedhje në 18 qershor. Dhe askush në botën e logjikës elementare demokratike, as nuk e diskuton fare datën kushtetuese të zgjedhjeve, lëre pastaj Shtetet e Bashkuara, Gjermania apo demokracitë perëndimore në tërësi. Vajmedet ku u katandis partia që lindi nga ëndrra për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa! Një shtet ku Kushtetuta, mund të trajtohet si peng i partive dhe e drejta e popullit për të zgjedhur, mund të vihet në diskutim sipas interesave të elitave partiake, nuk ka lidhje me botën demokratike. Ky lloj shteti mund të ekzistojë akoma në mendjen e atyre që nuk e lanë Shqipërinë të bëjë shtet serioz, për 25 vjet me radhë, po nuk ka lidhje me Shqipërinë e sotme ku prej 3 vjetësh e gjysëm luftojmë për të bërë shtet. Jo më! Kurrë më! Mua nuk më habisin fare sot, as ata që e mbajtën për çerek shekulli këtë vend peng të mungesës së vizionit, atdhetarisë, aftësisë së tyre, me keqqeverisjen e me përbuzjen provinciale për njerëzit e zakonshëm të këtij vendi; as ata që kanë marrë peng kanalet e katundit mediatik me verbërinë, paditurinë e babëzinë e tyre për paranë e zezë; as ata që turren të nxjerrin nga lumi, gurin e këtij budallallëku monumental apo që hutohen, nga thagma e "zgjedhjeve pa opozitën". Të parët kanë frikë nga drejtësia. Të dytët i tremben tharjes së burimeve të padeklaruara të fitimit, për të bilbiluar e shkarrashkruar në emër të parimeve të demokracisë. Të tretët vijnë rrotull për t'u bërë të rëndësishëm në rrugët e katundit tonë politik apo, thjesht i friken kujtesës së viteve të zymta të rrëmujave, në Shqipërinë pa shtet.  Dhe, megjithë vendosmërinë për t'i dhënë, deri në dekikën e fundit, një shans dialogut dhe kthimit të Partisë Demokratike, në botën e logjikës elementare demokratike, bindem përditë e më shumë për një gjë:  Bojkoti i zgjedhjeve nga PD-ja e disa kryetarë pa parti të ngujuar në çadër për hatër të saj, jo vetëm nuk do ta lerë Shqipërinë pa opozitë në parlamentin e ri, po përkundrazi, ka shumë të ngjarë t'i japë jete një opozite të re, shumë më sfiduese se sa opozita pa kokë, pa program, pa skuadër e pa edukatë që pati parlamenti i sotëm.  Këtu do jemi e do shohim se kush ka të drejtë, po një gjë është e sigurtë: Një opozitë që i friket Reformës në Drejtësi dhe refuzon të paraqitet për gjykim përpara popullit, nuk i duhet jo Shqipërisë, shqiptarëve dhe miqve e partnerëve tanë ndërkombëtarë, po as dreqit vetë!

XH. D.

 

Nuk ka komente deri më tani. Pse të mos jeni ju të parët?

Shto komentin tuaj

2 + 1 =
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al


KM