Sport

Cungu: E ardhmja  ime,  e vendos pas Kampionatit

Temat Kryesore

  • Trajneri shkodran thekson dhe një herë tjetër që skuadra që ai drejton luan për fanellën dhe jo për aleanca me ekipe tjera. “Nuk e besoj se do të tërhiqet Gjirokastra”
Nga Klevis Deda

Trajneri i Vllaznisë, Armando Cungu shprehu dhe një herë tjetër se skuadra që ai drejton nuk është pjesë e asnjë aleance dhe se ky ekip luan për dinjitet. Kreu i pankinës shkodrane shprehet se ekipi mendon vetëm për ndeshjen e radhës dhe jo për akuzat që hedhin të tjerët në dëm të klubit. Në lidhje me qëndrimin e tij te skuadra e Vllaznisë, ai shprehet se si fillim të përfundojë kampionati, më pas do të mendoj për të ardhmen. Trajneri u shpreh se ekipit po i kthehet dinjiteti edhe pse duhet shumë punë për tu bërë. Skuadra e Vllaznisë pozicionohet në vendin e katër që të kualifikon në Kupat e Europës, duke lënë pas Luftëtarin me një pikë më pak.

Në ndeshjen kundër Kukësit u akuzuat se patët aleanca me Partizanin, ndërsa ndeshjen me Partizanin u akuzuar për aleancat me Kukësin, mund të na shpjegoni pak më qartë çfarë po ndodh? Apo mos ndoshta janë thjeshtë lajme të nxitura nga mediat?

Nuk kam se çfarë të them, pasi unë e kam deklaruar që para ndeshjes me Kukësin që ne luajmë për fanellën tonë, interesat tona dhe për të arritur objektivat sezonale. Fatkeqësisht në Shqipëri ndodh që kur luan për skuadrën tënde për objektivat tua të akuzojnë për aleanca. Mua më intereson  të marr më të mirën nga ekipi që drejtoj dhe tjerat nuk më interesojnë.

Presidenti i Luftëtarit, Grigor Tavo ka deklaruar se do të tërheq skuadrën nga gara, a është ky një asist për Vllazninë për tu kualifikuar në Kupat e Europës?

Besoj se Luftëtarit nuk do të tërhiqet nga gara. E njoh personalisht presidentin Grigor Tavo, pasi kam punuar me atë president  dhe mendoj se thjeshtë ka qenë një moment i keq i tij kur ka bërë atë deklaratë. Nuk mund ta tërheqë ekipin nga gara pasi ka investuar për atë klub dhe do të ishte një më mëkat i madh. Besoj se do të jenë shumë të karikuar dhe do të kërkojnë vendin e katërt. Do të jetë shumë e vështirë dhe për skuadrën time por do të shohim në fund se çfarë do të arrijmë.

Keni një thirrje për tifozët shkodran që kanë braktisur skuadrën edhe pas rezultateve të mira së fundmi?

I kam bërë  thirrja shumë herë por situata nuk ndryshon por sa vjen e përkeqësohet edhe pse ekipi është përmirësuar ndjeshëm. Dyert e stadiumit janë të hapura për të gjithë por nuk arrij të kuptoj arsyen e një interesi aq të ulët të tifozëve.

Sa krenar ndiheni për rikthimin në identitet këtij klubi të madh?

Vllaznia ka kaluar një periudhë negative në 5-6 vitet e fundit. Ndërsa në këtë sezon gjërat kanë ndryshuar por dua të theksoj që nuk është akoma klubi në dinjitetin që meriton pasi të gjithë e njohim historinë e Vllaznisë. Skuadra shkodrane meriton të jetë gjithmonë në shkallën më të lartë të futbollit në vend aty ku  e ka vendin. Të shohim nëse në sezonin e ardhshëm drejtuesit e klubit do të investojnë sa duhet për ta ringritur në maja këtë klub.

Në rast realizimi objektivash mund të qëndroni te Vllaznia sezonin e ardhshëm?

Nuk mund të prononcohem për këtë temë, pasi si fillim duhet të përfundojë kampionati e më pas mund të shprehem. Kemi akoma dhe 7-të javë kampionat dhe jam i fokusuar te klubi. Mund të qëndroj por edhe mund të largohem, mbetet gjithçka e hapur.

Nuk ka komente deri më tani. Pse të mos jeni ju të parët?

Shto komentin tuaj

4 + 3 =
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al


KM